Testimi i punonjësve të OSHEE – Jahaj: Do ketë largime nga puna, përmirësojmë shërbimin

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përfunduar testimin e rreth 600 punonjësve të nivelit teknik në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Brenda nëntorit ky proces do të përmbyllet edhe për punonjësit e nivelit menaxherial, ndërkohë që sipas drejtorit të OSHEE për Tiranën, Klevis Jahaj procesi synon përcaktimin e nivelit të performancës, duke përmirësuar më pas shërbimin ndaj klientit.

“Jemi duke përfunduar këtë proces  i cili ka konsistuar në formimin e përgjithshëm që kanë jo vetëm nga ana teorike e procedurave dhe qëllimit të punës që ata kryejnë, por gjithashtu edhe në nivelin praktik të kryerjes së këtyre proceseve duke përfshirë dhe njohuritë që kanë për sigurimin teknik që janë shumë të nevojshme për t’u mbuluar veprime që kryejnë në lidhje me pajisjet elektrike. Aktualisht ne jemi duke përpunuar rezultatet pas çdo intervistimi. Qëllimi i këtij procesi shumë të rëndësishëm i cili ka nisur me këtë kategori punonjësish që ne kemi, është për të identifikuar jo vetëm përputhshmërinë që kanë me profilin dhe detyrat që kanë marrë përsipër të realizojnë pranë Operatorit të Shpërndarjes, por gjithashtu edhe për të parë nevojën për zhvillime të mëtejshme ose trajnime që mund të kenë punonjësit në fusha të caktuara në mënyrë që të jenë të kompletuar për të vazhduar të kryejnë këto procese.”

Sipas drejtorit, në përmbyllje të procesit të testimit, nuk përjashtohen edhe largimet nga puna për ata punonjës që nuk arrijnë të kalojnë testin.

“Natyrisht, nëse ka punonjës që nuk janë në përputhshmëri me kërkesat që ka Operatori, sidomos në këtë status ku po kalojmë në një rritje të cilësisë së shërbimit që kemi kundrejt abonentit, pa diskutim që do të ketë edhe vendimmarrje me largime ose me kërkesa të tjera për punonjës më të kualifikuar, por që mbulojnë këto procese”.

Jahaj paralajmëroi se pas Tiranës, procesi i testimit do të shtrihet në gjithë drejtoritë e tjera rajonale, duke kaluar në “sitë” gjithë punonjësit e OSHEE.

/SCAN

SHKARKO APP