“The Telegraph”: Gliko arre dhe komunizëm në Shqipëri
Nga Jane Byrne, Telegraph
Mund të duket si një foto bardh e zi- poshtë këmbëve kemi gurë gëlqerorë gri, në dy anët janë mure të larta të bardha dhe përpara një hyrje si një tunel i errët.
Margarita, e veshur me të zeza dhe me flokët e bardha duket si një vazhdim i iluzionit.
Vetëm shkëlqimi i qiellit dhe luleboret rozë në derë tregojnë se kjo nuk është foto.
Brenda në thellësi të Mangalemit, qyteti i vjetër i Beratit në Shqipëri, Margarita na fton brenda.
Dhoma është e ftohtë dhe e errët, ndërsa afrohem tek dritarja për të parë.
Shtëpitë “bien” poshtë drejt lumit me ura të reja dhe të vjetra dhe me një qendër aktive moderne.
Nxehtësia dhe zhurma e qytetit shtohet, por brenda është qetë.
Gradualisht sytë më mësohen me dritën e zbehtë.
Në qoshe qëndrojnë disa mobilje të vjetra, pa dyshim të trashëguara.
Kolltukët janë të mbështetur tek muret, duke lënë qendrën e dhomës të hapur.
Nis të dalloj imazhet në mure. Përkundrejt një deti me ngjyrë jeshile janë tempujt klasikë, anijet, peshkatarët dhe ishujt në gri, të bardhë dhe të zezë. Një cohë e lehtë me fruta dhe gjethe shkon poshtë dhe lart.
Ky afresk portretizon një peizash të lashtë dhe paqësor.
Margarita shpjegon se shtëpia e saj u pushtua nga italianët në vitin 1942 dhe ata pikturuan muralet.
Na kanë ftuar që ta pyesim Margaritën. Ajo përgjigjet gjatë. Në rininë e saj familja ishte e mbajtur, por humbi pronat dhe statusin nën komunizmin.
Tani 72 vjeç, ajo ka shtëpinë dhe disa pemishte. Ajo plotëson të ardhurat e saj me komposto dhe reçel.
Pasi largohet nga dhoma, kthehet me një tabaka të madhe me mallrat e saj- kavanova me komposto kumbulle dhe kajsie, plus një kavanoz misterioz me ngjyrë të zezë, ku shihen disa fruta të zinj. Mësojmë se janë arra të veshura me sheqer.
Margarita shpjegon procesin e mundimshëm- përzgjedhjen e arrave, fazën e parë të gatimit dhe se si çdo arrë testohet me një gjilpërë nëse është bërë.
Ajo na tregon një thikë të mprehtë dhe gishtërinjtë me njolla të zeza nga trajtimi i arrave.
Faza finale është përgatitja e shurupit dhe procesi i ëmbëlsimit.
Pasioni dhe krenaria për punën e saj shkëlqen.
Shumë shpejt na duhet të largohemi për të vazhduar udhëtimin nëpër Shqipëri.
I them pak fjalë shqip: Faleminderit Margarita dhe lamtumirë.
Përgjigja është një përqafim i ngrohtë dhe një puthje.
Duket si një ëndërr: Margarita në dhomën e saj të ftohtë me detin e gjelbër, në zemër të një qyteti me arrat e saj të ëmbla, njësoj si shumë gjenerata më parë, ndërkohë që jeta moderne vlon më poshtë.