T’i bëjmë terroristë me zor shqiptarët

Nga imam Ilir Curri

Ky nuk është titulli i një reportazhi të fundit në mediat italiane mbi Shqipërinë, por si duket ky është qëllimi i tij . Corriere della Sera, me një analizë të ç’ekuilibruar mbi zhvillimin e fesë islame në vendin tonë pas ’91, gazeta bëhet zëdhënëse e “drithërimave” që paskan kapur BE, SHBA, Rusinë e madje NATO-n vetë nga “terroristët shqiptarë”. Në këtë reportazh autori që ‘na e do të mirën’ paraqet si fakte supozime të vetat personale e opinione të ateistëve të Tiranës, ku edhe tolerancën ndërfetare në vend synojnë t’ia atribuojnë etërve të tyre komunistë shkatërrues të cdo vlere shpirterore, e jo njerëzve të thjeshtë e drejtuesve fetarë të këtij vendi që punuan e punojnë për të mirën e të ardhmen e përbashkët. Duket qartë se shkrimi nuk synon të alarmojë shqiptarët (që maskat, krimi e papunësia i mbyt përditë) por ndërkombëtarët dhe të interesuarit për Shqipërinë për një rrezik terrorist të mundshëm, por në fakt kjo na bën ne shqiptarët të pyesim:

Kujt i intereson një Shqipëri eksportuese e fenomenit bujshmërisht më të rrezikshëm në botë? Kujt i intereson që turistët të mos u afrohen brigjeve tona verës apo investitorët të kenë gërdo nga emri Shqipëri e jo më të mendojnë të investojnë në të?!

Pyetja tjetër e natyrshme, ku janë këta terroristë të mundshëm (nëse vërtet ekzistokan)? Është një e drejtë e ne qytetarëve të dimë pasi kemi institucione që kanë për detyrë t’i izolojë, trajtojë, debatojë apo edhe dënojë kur ideja është shoqëruar me veprime (gjithmonë nëse paska terroristë).

Pastaj alarme të tilla, opinionit publik shqiptar duhet t’i vijnë nga SHISH e ministria e brendshme që në këtë rast s’do u falej ‘ta hanin bukën’ tonë kot. Pastaj, që unë të besoj se kemi terroristë duhet të përcaktohet ideologjia, organizimi, struktura, territori i operimit, burimi i financimit, objektivat e të tjera elemente që karakterizojnë terrorizmin e terroristët, pa këto ne nuk u besojmë dot. Germat kapitale të mediave të mëdha jo rrallë janë etiketa e një besueshmërie të vogël. Këto e shumë arsye të tjera të bëjnë të besosh se qarqe përreth nesh investojnë shumë për prishjen e imazhit e rendit të këtij vendi.

Para kësaj situate shqiptarët të mbështesin njëri-tjetrin pa dallim feje dhe shteti të shtojë përkrahjen ndaj institucioneve fetare larg diskriminimeve si dhe të inkuadrojë në arsim lëndën fetare (3 feve tradicionale) dhe të kuptojmë që shqiptarët sa më shumë fetarë të jenë aq më pak mund të jenë të demshem ndaj një insekti e jo më ndaj njerezimit, e ky rregull vlen për cdo popull. Edhe vetë muslimanët shqiptarë po vetëdijësohen gradualisht se paraqitja e identitetit të tyre islam si i huaj, jo kombëtar, i ardhur, stepënik e të ngjashme nga rrethe letrarësh e intelektualësh kameleonë të regjimit monist janë vetëm maja e përpjekjeve për shkombëtarizim e defetarizëm të tyre. Siç po kuptojnë se islamofobia në rritje është tregues i fortë se muslimanët s’janë thjesht shumica numerike në trojet shqiptare por një faktor në zgjim për të përcaktuar kursin e kombit shqiptar sic bënë rilindasit e tyre me çallma në krye kur themeluan shtetin shqiptar së bashku me bashkëkombasit e tyre jomulsimanë.

Gjithsesi, kjo kauzë për kriminalizimin e muslimanëve shqiptarë, demonizimin e shqiptarëve e mbarsja e malit për të sjell në jetë brejtësin, do të vazhdojë, për aq kohë sa të kemi fqinjë që kërkojnë destabilitet të vendit tonë e të brendshem që duan të përfitojnë fonde a mbulojnë paaftësi të tyre a larje hesapesh me kauza të paqena ose më e pakta të pambështetura. Në këtë rast s’na mbetet tjetër vec t’i lidhim minaret tona me kambanat katolike e ortodokse me flamurin tonë, për tu treguar edhe të tjerëve që realiteti ynë i varfër për nga ekonomia është thesar real për nga bashkejetesa jone fetare, eshte jete per shqiptarët dhe shqiptarët s ‘dinë kuptim tjeter të jetës veç saj.

SHKARKO APP