“Tirana Moons”: Biblioteka e re hënore që sjell qetësi dhe kulturë në zemër të qytetit
Një hapësirë e pazakontë ka mbërritur në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve: biblioteka “Tirana Moons”, një instalacion i përkohshëm që ngjan me një oaz qetësie, arti dhe leximi.
Kjo bibliotekë modulare, e ndërtuar me njësi të parafabrikuara që montohen në vend, ka forma të rrumbullakëta dhe ndriçim të butë që i japin pamjen e një peizazhi hënor. Struktura prej druri krijon një atmosferë intime, larg zhurmës urbane.
Hapësira është mbushur me libra të dhuruar nga Libraria “Dukagjini” e Kosovës, si dhe nga arkitektë që kanë kontribuar në projektet urbane të Tiranës. Këto libra mund të lexohen vetëm brenda “Tirana Moons”, duke e kthyer vizitën në një përvojë të përqendruar dhe të veçantë.
Instalacioni është ideuar nga arkitekti i njohur Chris Precht, i cili njihet për ndërthurjen e natyrës me strukturat urbane. “Tirana Moons” është një shembull i kësaj filozofie, ku leximi, arkitektura dhe arti bashkëjetojnë në një hapësirë të hapur për publikun.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë bibliotekë si “një oaz ku libri, arti, arkitektura dhe natyra ndërthuren bukur, duke sjellë frymëzim e qetësi në zemër të qytetit”.
E vendosur në një nga sheshet më të frekuentuara të kryeqytetit, kjo yjësi unazash prej druri duket sikur rimerr hapësirën nga makinat dhe ia kthen këmbësorëve. Studentët dhe të moshuarit kanë qenë ndër vizitorët më të shumtë që nga dita e parë e çeljes.
KOHA JONË SONDAZH

