Tokat shtetërore me qira, KLSH : Mungon transparenca, kontratat pa asnjë monitorim

Mungesë transparence, procedura tenderimi të paqarta, asnjë kontroll për zbatimin e kontratave në terren. Janë këto konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me dhënien me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit në favor të privatëve.

Ky institucion ka audituar kontratat për 26 sipërfaqe të dhëna me qira nga Ministria e Bujqësisë për vitet 2014-2016. Raporti konkludon se në tenderat e dhënies së këtyre tokave, konstatohen plan biznese të cilat janë paraqitur në garë nga fituesi por që nuk shoqërohen me dokumentim të mjeteve të tij financiare.

Po ashtu, përgatitja e plan bizneseve dhe sidomos projekti i ndikimit në mjedis nuk janë të hartuara nga persona të licencuar në fushën e mjedisit, mangësi që konstatohet në të gjitha kontratat. Transparenca e munguar, sipas KLSH, ka sjellë edhe garë të kufizuar. Konstatohet se edhe kur autoriteti qiradhënës ka bërë njoftim publik, ofertat kanë qenë ose të kufizuara ose me mangësi të theksuara në dokumentacion.

Ndërkaq, nga ana e Ministrisë në asnjë rast nuk është kryer monitorimi i 26 kontratave të dhëna me qira, mbi realizimin e investimit që pretendohej të kryhej nga qiramarrësi, përdorimi i tyre, punësimi i pretenduar etj. Kjo në kundërshtim të plotë me kërkesat ligjore që detyrojnë Ministrinë të ndjekë zbatimin e kontratave.

Në raportin përfundimtar Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon marrjen e masave urgjente për monitorimin e kontratave, detyrë e cila tashmë i takon Ministrit të ri të Bujqësisë Niko Peleshi.

SHKARKO APP