Tomorri, mali ku luftohet për gurin
Nga Erjola Azizolli
Kryelartësia e tij e zbardhur nga bora tërheq vështrimin sapo qyteti i Lushnjes ndahet zyrtarisht me Beratin, në vendin e quajtur “Ura e Kuçit”. Ngritja e tij vetimtare në gjithë rrafshën zonws, e bënë pamjen zotëruese nga të gjitha anët e horizontit. Madhështia e pamjes që sa vjen dhe afrohet sipas besimtarëve Bektashian lidhet me shenjtërinë e tij mbi të mbinatyrshmen, vendin e shenjtë. Rruga drejt Beratit në ndërtim e sipër të ofron më shumë me pamjen zotëruese të bardhësisë së Tomorrit, që duket sikur është bashkuar me retë. E ndërsa, kureshtja të shtyn të ecësh përpara, për të prekur atë magji të bardhë gjatë rrugës përballesh me mjete të tonazhit të rëndë që të ngarkuara kanë pikërisht gurin që del nga mali i Tomorrit. Adhurimi pagan ndaj malit sipas besimtarëve lidhet me të mbinatyrshmen e majës më të lartë të tij, të cilit i atribohen shenjtëria e hershme. Në periudhën antike e mesjetare, nga letërsia Tomorri cilësohet se Olimpi Shqiptar. Ende pa mbërritur në Berat dëgjon nga banorët e zonës me krenari se kulti bektashi në Tomorr ka teqenë e tij dhe se gjatë ditëve të gushtit organizohet peligrinazhi i mirësisë. Pasi lë nga pas Beratin dhe qytetin tjetër Poliçanin, një tabelë në të majtë të rrugës tregon fshatin Novaj, rrugë e cila të çon drejt malit të shenjtë. Kjo rrugë është hapur vitet e fundit për qarkullim si pasojë e aktivitetit të gurit dekorativ, pasi rruga e hershme drejt malit është nga rrethi i Skraparit. Janë vetëm 19 kilometra rrugë nga hyrja e fshatit Novaj drejt malit Tomorr. Distanca është e shkurtër, por vështirësia për ti përshkruar ato është lehtësisht e dukshme. Rruga është e pashtruar, me gropa të shumta, por vende-vende është mbushur me çakull nga firmat e gurit që veprojnë këtë zonë. Banorët e Novajt, por dhe fshatrave përreth punojnë pikërisht në firmat që shfrytëzojnë gurin e malit. Për vitin 2014 u regjistruan 17 firma të nxjerrjes së gurit dhe 11 firma të përpunimit, të tij. Në fillim kanë qenë banorët e zonës, ata që e njihnin gurin dhe cilësinë e tij. Të gjitha banesat banorët i kanë ndërtuar prej gurtit të malit, i cili e bën të njohur Tomorrin sot jo vetëm për lartësinë, borën dhe shenjtërinë. Ndërsa, i ngjitesh malit, kupton se këtu nuk punohet për nxjerrjen e gurit, këtu “luftohet” për të. Faktet tregojnë se nga viti në vit, në punë e sipër punëtorë kanë humbur jetën pasi janë aksidentuar gjatë punës për nxjerrjen, ose gjatë transportimit të tij. E ndërsa, i ngjitesh me vështirësi malit, në një rrugë të thyer dhe pa asnjë tabelë orientuese nga mali zbresin njëra pas tjetrës kamionë të mbushur me pllaka. Mjafton pamja e lodhur e punonjësve mbi gurin e nxjerrë në makina për të kuptuar kushtet e tyre të punës, por dhe rrezikun që hasin. Por, kjo nuk është e vetmja pamje fatkeqe që vjen nga mali i Tomorrit. Masive gurrë të nxjerr, gati për tu transportuar, gropa të mëdha të hapura nga mali të shfrytëzuara dhe të lëna ashtu. Puna e nxjerrjes së gurit nuk duket se ku ka nisur, ku vazhdon dhe se ku do të dal. Ajo ka përfshirë shpate të ndryshme të malit në dhjetëra vende, ku duket se punohet njëkohësisht. Qetësia që mbretëron në këtë zonë, duket se i bënë drejtuesit e firmave, të ndihen “pronarë” të malit, pasi ata mund të nxjerrin gur kudo që të munden dhe si të munden, pasi “luftën” për malin nuk e vë re askush. Barbarinë me nxjerrjen e gurit nuk kanë forcë ta denoncojnë banorët e zonës, që herë-herë të pasiguruar, aksidentohen dhe humbasin jetën në punë e sipër. Bashkim Saliasi, 54 vjeçari nga fshati Dobrush i Skraparit, baba i tre fëmijëve është viktima e fundit, ndër dhjetëra të tjerë, i cili humbi jetën më 26 tetor të vitit të kaluar, pasi e zuri poshtë një masiv dheu teksa punonte. Pamja që ofrohet përpara është ajo e një pllaje mali kilometrike, e cila është ngrënë dhe gërryer krejtësisht nga nxjerrja e gurit pa kriter. Asnjë kontroll të bërë në zonë nga institucionet që në vitin 2007 morën vendimin për të liçensuar aktivitetet private të nxjerrjes së materialeve. Pamja tregon se pas shfrytëzimit gropat e hapura lihen ashtu dhe drejtimi është pllaja tjetër që shfrytëzohet shpejtë dhe lihet po ashtu. Veç pamjes rënkuese të malit, që po gërryhet përpara paraqite livadhet malore, majat e thepisura shkëmbore, të gjitha të mbuluara nga bora. Në Tomorr nuk mungojnë dhe sipërfaqet e rrafshuara që të zbardhura të krijojnë përshtypjen e fushave të vogla, ku lehtësisht mund të bësh ski. Por, kryelartësia e malit duket se ngjall vetëm etje për të përfituar nga turpi i tij vetëm atë që të pasuron shpejtë duke e shkatërruar. Asnjë nismë private nuk shihet për të ngritur qoftë dhe një bujtinë, ndërkohë që për projekte me nisma shtetin as që bëhet fjalë. Ndonëse, mban statusin e një parku kombëtar, i shpallur në vitin 1996, Tomorri nuk ofron asgjë të tillë. Shpresat për zhvillimin e turizmi i ka ngjallur “Albania Rafting Grop”, e cila synon të përfshijë në guidat e saj dhe eksplorimin e malit Tomorr. Në këtë fund dimri kjo organizatë, ka organizuar guidat me ecje, ski në malin Tomorr. Blerina Ago, sekretare e përgjithshme e Albania Rafting Group, shprehet se mali Tomorr i ka të gjithë potencialet për të qenë i suksesshëm në turizmin malor dhe fetar. Janë të shumtë vizitorët e kanioneve që kanë interes të madh dhe për turizmin malor dhe për këtë ne shpresojmë që në të ardhmen të përfshijmë në guidat tona dhe eksplorimin e malit. “Gjurma e Abaz Aliut”, “Varri i Profetit të Madh”, Teqeja e Bektashinjëve, janë disa nga ndalesat që përfshin guida turiste e malit Tomorr”, pohon ajo. Me majën më të lartë 2416 metra, me magjinë e bardhë të borës për shumë muaj të vitit Tomorri kryelartë duket se të përcjellë mes sfidën për gurin dhe turizmin.