Toni Gogu: Kontroll më rigoroz mbi substancat që mund të keqpërdoren

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, u ndal gjatë seancës plenare në Kuvend te diskutimi i projektligjit “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”. Ai theksoi se nismat ligjore të paraqitura nga qeveria, ndonëse duken teknike në pamje të parë, kanë një rëndësi të veçantë për mbylljen e hapësirave që favorizojnë tregun e paligjshëm të këtyre substancave.

Sipas Gogut, projektligji që trajton barnat narkotike dhe lëndët psikotrope synon kryesisht përditësimin e listës së tyre, në përputhje me protokollet dhe detyrimet ndërkombëtare. Ai sqaroi se ky përditësim vjen si rezultat i vendimeve të marra nga Komisioni për Lëndët Narkotike pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë sesionit të 68-të, bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministri theksoi se në listën e përditësuar janë përfshirë tre grupe të reja substancash, ndër to një kanabinoid gjysmësintetik i njohur si heksahidrokanabinol, i cili po shfaqet gjithnjë e më shpesh si në tregjet legale, ashtu edhe në ato të paligjshme. Po ashtu, ai përmendi carisoprodolin, një relaksues muskujsh që vepron në sistemin nervor qendror dhe që mbart rrezik të lartë për keqpërdorim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gogu nënvizoi se këto ndryshime lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se përmes këtyre projektligjeve synohet mbrojtja e shëndetit publik, forcimi i bazës ligjore për institucionet ligjzbatuese dhe eliminimi i zonave gri përmes harmonizimit me standardet ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në lidhje me projektligjin e dytë, ministri sqaroi se ai fokusohet në qartësimin e përkufizimeve ligjore dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, duke adresuar boshllëqet që lindin nga zhvillimet e reja në prodhimin dhe qarkullimin global të lëndëve narkotike. Sipas tij, kjo nismë është plotësisht e përputhur me direktivat e Bashkimit Evropian dhe kontribuon në përditësimin e kuadrit ligjor kombëtar, duke forcuar më tej kontrollin shtetëror mbi këto substanca.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?