Tonin Tërshana, zëri që i dha ngjyrat e ndezura tablosë të artit të këngës shqiptare

Nga Albert Vataj
Dhjetë vite më parë, më 22 shtator 2015, u shua një nga zërat më të veçantë të muzikës shqiptare, por jo kujtesa e tij. Tonin Tërshana nuk ishte thjesht një këngëtar; ai ishte një emblemë e shpirtit festiv, një zë që i dha ngjyrë dekadave të artit tonë të lehtë. Në këtë përvjetor, përulemi me respekt për një figurë që nuk kërkoi privilegje, por fitoi zemrat e publikut me përkushtim, thjeshtësi dhe madhështi vokale. Ai mbetet një piketë e pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare, një zë që vazhdon të kumbojë në kujtesën tonë, si një testament i bukurisë dhe shpirtit të paepur.
Sot, në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta të një prej zërave më të shquar që vendosi emrin në kolanën e gjatë të atyre që përfaqësuan dhe pasuruan traditën e këngës shqiptare, kujtesa e Tonin Tërshanës rishfaqet si një dritë e butë në horizontin e artit tonë. Ai u rikthye pas një mungese të gjatë, fatkeqësisht për herë të fundit, në ekranin e madh të propagandës, jo si figurë e konsumuar, por si një kujtesë arti, 21 ditë para se të shuhej. Ashtu mjekërbardhë e flokthinjur, u shfaq në një moment simbolik, kur do të ribëhej me shtëpi, një strehë modeste, por me peshë të madhe për një emër të madh të muzikës, për një ikonë të zërit festivalesh. Ishte një shtëpi, një vend ku të kridhet në shtatin e vdekjes, një vend ku zëri i tij magjik, vazhdues i një tradite dhe kumtues i një shpirti të paepur, do të prehej për herë të fundit.
Mbrëmjen e 22 shtatorit 2015, fikja e këtij ylli shpërtheu si një stuhi mediatike. Ai u largua fizikisht shumë shpejt, edhe pse zëri i tij kishte nisur të zbehej më herët se kënga, ajo këngë që i blatoi më të mirën e shpirtit të tij. Ai u largua pa privilegjin për t’u rikthyer më, pa mundësinë për të rimarrë skenën me atë vokal të fortë, me timbrin e ngjyrën që e bënte të papërsëritshëm.
Tonin Tërshana iku në moshën 66-vjeçare. Zemra e tij ndaloi së rrahuri, sot dhjetë vite më parë, por zëri i tij vazhdon të kumbojë në kujtesën e të gjithë atyre që u mrekulluan, që jetuan me këngën e tij, që gjetën në të një ngushëllim, një frymëzim, një copëz Shqipërie.
Ai bën pjesë në plejadën e këngëtarëve që shkruan faqen më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare. Ngjyresa karakteristike e zërit prej baritoni e shënjon Tonin Tërshanën si një piketë të rëndësishme të historisë muzikore. Por më shumë se kaq, ai ishte një sprovë e ngadhnjimit mbi vështirësitë ekonomike, një shembull i përulësisë dhe përkushtimit. Nuk refuzoi asnjë rast për të kënduar, qoftë edhe në ambientet modeste të emigrantëve shqiptarë në Greqi, ku jetoi mes viteve 1997–2012, duke mbajtur gjallë zërin e tij dhe kujtesën e publikut.
Udha e tij si këngëtar është e gjatë dhe e pasur me episode të paharrueshme. Debutoi në Festivalin e 4-t në Radio me këngën “Kur vjen pranvera”, një perlë e pavdekshme me muzikë të Pjetër Gacit dhe tekst të Fatos Arapit, ku fitoi çmimin e parë në moshën vetëm 16-vjeçare. Më pas, triumfoi edhe në Festivalin e 11-të të RTVSH. Mori pjesë në mbi 20 festivale, duke fituar 4 çmime të para, duke u bërë një ndër këngëtarët më të dekoruar në historinë e festivaleve shqiptare. Presidenti Bamir Topi i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, një vlerësim për një jetë të tërë në shërbim të artit.
Tonin Tërshana është nder dhe krenari e gjeneratave. Sot përulemi me respekt për atë çfarë ai skaliti në ëndjen tonë të etur për të bukurën. Me zërin e jashtëzakonshëm, me kontributin e pashoq, ai jo vetëm shkroi një faqe të historisë së krenarisë së vendlindjes së tij, Shkodrës, por nguliti në memuarin e kohëve një përvojë, një sfidë dhe një mundësi të shpirtshme që këndon pambarim.
Deri këtu do të mund të vinte, jo më tej. Ashtu me kokën lart, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje, pa u fshehur pas emrit të madh. Deri në mbrëmjen e së martës së 22 shtatorit 2015, kur zemra e tij do të reshtte së rrahuri, ai nuk ndali së përpjekuri për të mbetur ai që ishte, ai që njihnim, ai që do të plazmohet në gjurmët e amshimit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?