Topi i Artë 2015, Buffon mbetet jashtë
FIFA publikoi 59 kandidatët për Topin e Artë 2015.
Një prej befasive në listën e madhe ishte përjashtimi i portierit të Italisë dhe Juventusit, Gianluigi Buffon. Një vendim i papritur prej faktit se Buffon ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Juventusit finalist në Champions League. Mungesa e portierit u komentua si goditje për futbollin italian, që gjithsesi përfaqësohet nga dy lojtarë të tjerë, mbrojtësi Giorgio Chiellini dhe mesfushori Andrea Pirlo.
Në listë janë portierë fenomenalë si Neuer e Courtois, por edhe De Gea, Bravo e Ospina. Përjashtimi i Buffon bën zhurmë edhe sepse për momentin në garën për Topin e Artë janë lojtarë si mesfushori i QPR-së, Luongo, i shpallur lojtari më i mirë i edicionit të fundit në Kupën e Azisë apo koreano-jugori Heung-Min Son i Tottenham-it.
Mes kandidaturave të diskutueshme janë Edu Vargas i Hoffenheim, argjentinasi Nicolas Otamendi i Manchester City apo peruani Paolo Guerrero dhe meksikani Andres Guardado i PSV Eindhoven.
Në klasifikimin për kontinentë, Europa kryeson me 28 futbollistë, e ndjekur nga Amerika Jugore me 22. Më pas vijnë Afrika me 4 lojtarë, Azia 3 dhe Amerika e Veriut me 2. Përsa i takon kombësive, Argjentina përfaqësohet nga 6 futbollistë, e ndjekur nga Kili dhe Spanja me 5. Më pas vijnë Italia, Kolumbia dhe Franca me 4, ndërsa surprizë është që Gjermania dhe Brazili kanë vetëm tre kandidatë, aq sa Uruguai dhe Belgjika.
Nga lista me 59 emra, një komision i FIFA-s në bashkëpunim me revistën “France Football” do të përzgjedhin 23 finalistët. Ata do të votohen nga trajnerë, kapitenët dhe gazetarët nga e gjithë bota. Në dhjetor do të shpallen emrat e tre kandidatëve për Topin e Artë, me trofeun që do të dorëzohet në ceremoninë e 11 Janarit 2016 në Zyrih.