Trafikanti shqiptar: Të gjithë donin kokainë pas fitores së Anglisë me Kolumbinë, s’më pushonte telefoni
Fitorja dramatike me penallti e Anglisë ndaj Kolumbisë, duket se ka rritur kërkesat e trafikantëve të drogës në Britani. Ata thonë se kanë pasur kërkesa rekord për të shitur kokainë. Duke folur për median “Metro”, dy tregtarë të drogës në Angli, thanë se telefonat e tyre nuk kanë reshtur së pushuari që pas fitores së Anglisë me Kolumbinë. Sigurisht që ata nuk i kanë treguar emrat e tyre.
Njëri prej tyre raportohet se është shqiptar. Ai thuhet jeton në Londër dhe ka treguar kërkesat që pati pas ndeshjes së Anglisë.
“Telefoni im po binte pa pushim pas përfundimit të penalltive. Rrugët ishin plot me njerëz, kështu që mendova se Anglia kishte fituar. Biznesi është mjaft i rregullt, por kurrë nuk kam pasur kaq kërkesa në një kohë kaq të shkurtër, veçanërisht pas minutave shtesë kur ishte shumë qetë. Unë jam shqiptar, por jam shumë i lumtur që Anglia fitoi, të gjithë janë të lumtur“, tha tregtari shqiptar.
Një tjetër tregtar i cili vepron në Birmingham, tregoi se asnjëherë më parë nuk kishte pasur kërkesa për shitje droge sa mbrëmjen kur Anglia fitoi me Kolumbinë. Mediat britanike thonë se pritet të ketë një tjetër rritje kërkesash për kokainë, nëse Anglia kalon në fazën tjetër të Botërorit 2018.