Tre të mira e tre të këqija

 

Nga Sadedin Çeliku

Zgjedhjet vendore përfunduan dhe ja lanë vendin analizave që lidhet me fituesit dhe humbësit. Ajo që ra në sy në këto zgjedhje ishte rritja e ndjeshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por kjo u pa dhe në disa parti të tjera si PDIU dhe Fryma Demokratike.

Asambleja e Partisë Socialiste e mbledhur këto ditë nuk bëri ndonjë analizë edhe pse pati një ulje të madhe të votuesve të vet tradicional, pra gati 300 mijë vota më pak, që në fakt është një lajm i keq kur mendon se pas dy vjetësh do të kemi përballje për zgjedhjet e përgjithshme. PS nuk duhet të llogarisë votat e LSI-së dhe as të mburret me to dhe me punën e tyre. Mendoj se në rezultat kanë ndikuar shumë faktorë në lëvizjen e elektoratit socialist, siç janë kontribuesit e pakënaqur socialistë, emërimet me dhe pa vend e shpesh klienteliste, mosmbajtja e disa premtimeve, papunësia, varfëria si dhe angazhimi i faktorëve politikë. Partia thuajse është inekzistente dhe askush nuk merret me të. Me sa duket është harruar shprehja kollaj të marrësh pushtetin e vështirë ta mbash atë.

Tashmë që po mbushen gati dy vjet nga qeverisja kemi të drejtë të themi dy fjalë më shumë. Qeveria ka realizuar sipas meje tre gjëra të mira, të cilat mund rendis si më poshtë:

Lufta për rivendosjen e rendit dhe qetësisë publike dhe në mënyrë të veçantë kundër bimëve narkotike kanë qenë pa dyshim një sukses dhe arritje e admirueshme. Jo vetëm kaq, por kishim një polici që gjobat i merrnin për vete dhe mendonin vetëm për ryshfete dhe jo për të vendosur rregull në qarkullimin e mjeteve. Sot kemi një realitet krejt tjetër të cilën duhet ta pranojmë se në atë dikaster punohet shumë dhe efektiviteti nuk mungon. Ishte bërë Lazarati një fshat që e njihte e gjithë bota madje nuk gaboj të them se dhe vetë shteti e kishte frikë ose ishte ortak me ta. Sot ata banorë po kuptojnë se shteti ligjor vepron pa mëshirë kur zbaton vullnetin e ligjit.

Reforma territoriale-administrative sigurisht është në fillimet e veta dhe do duhet të presim rreth dy vjet për rezultatet. Mungesa e kësaj reforme ka bërë që të shpërdorohen ose të vidhen rreth 100 milionë euro. Në këndvështrimin tim është një reformë e domosdoshme, serioze dhe unë besoj se do dali me sukses. Kemi përjetuar një masakër urbane të bërë nga komunarë të cilët ajo masakër i ka dhënë mundësi të bëhen milionerë. Kjo ka ndodhur kudo por në mënyrë të veçantë në zonat e bregdetare, komuna Dajt, Kashar, Yzberish por dhe në zonat e tjera turistike etj.

Reforma energjetike në se e quajmë kështu ka të bëjë me heqjen e disa licencave për hidrocentralet private, por vlen të përmendim se ajo ishte selektive, kështu disave ju hoq dhe disa të tjerëve ju la. Edhe atje ku janë lënë jam i sigurtë se impakti i tyre do jetë me pasoja negative për shfrytëzimin e burimeve ujore. Rritja e të ardhurave në lek si rezultat i masave për të arkëtuar nga debitorët private faturat e papaguara prej dy dekadash padyshim ishte nga sipërmarrjet më të suksesshme të kësaj qeverie. Ishte e papranueshme fakti që qyteti paguante për fshatin apo zonat rurale dhe kjo ka qenë arsyeja e tarifave të larta. Kjo reformë është pritur mirë nga masat popullore por kjo luftë duhet të thellohet më tej. Problemet që lidhen me investimet në fushën energjetike kanë dinamikë dhe duhen vlerësuar pozitivisht.

Reforma në drejtimin e doganave dhe administrimi nga kompania angleze Crown Agents ishte dhe rezultoi një gabim i madh. Kjo konfirmohet nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe nga përfaqësuesi i firmës sipas së cilës të ardhurat fiskale nga ky sektor nuk janë realizuar dhe evazioni fiskal është ulur këmbëkryq. Kush tjetër përveç qeverisë mund të kondrabandojë mallrat?  Por të ardhurat nuk realizohen edhe në tatime dhe qeveria hesht dhe nuk merr asnjë masë për përmirësimin e situatës. Dilni nga zyrat se do të gjeni me qindra, mijëra dyqane të paregjistruara në QKR.

Sikur të mos mjaftoje kjo Kryeministri na deklaroi se edhe portin detar Durrës do t’ia kalojë një kompanie të huaj për administrim. A nuk duket marrëzi dhe kjo kur një eksperiencë të keqe e ka në kurriz? Çfarë e shtyn dhe cilat janë arsyet nuk bëhen me dije por kjo nuk është reformë dhe veprimi duket i dyshimtë.

Aksioni për prishjen e objekteve pa leje dhe zgjerimi i hapësirave publike ishte punë mjaft e mirë por ajo ishte selektive. Nuk e di nëpër rrethe por në mes lagjeve të Tiranës ka qindra objekte pa leje që bien ndesh me kondicionet urbane dhe janë lënë sepse ustallarët janë dorovitur. Sa për trotuaret ato janë të zëna kudo dhe s’bëhet fjalë për hapësirë publike. Sa për hapësirat publike në plazhe besoj se shqiptarëve ju është ngrënë e drejta e pushimeve sepse breg e rërë s’kanë lënë objektet me dhe pa leje. Kjo vërehet në Durrës, Qerret, Golem, Velipojë, Shëngjin, Divjakë, dhe në bregun e jugut, e kudo tjetër.

I njëjti fenomen ndodhi me spitalet të cilat të krijojnë përshtypjen e një thertore bagëtish ose prania e madhe e njerëzve të krijon idenë se je në stadium futbolli. Shërbimi mjekësor nuk është përmirësuar dhe pacientët ende paguajnë për shërbimet që marrin. Po kështu paraqitet sistemi arsimor ku licencat u hoqën në mënyrë selektive. Ato që mbeten janë si të tjerat dhe tani ne për punë korruptive duam ti japim edhe para publike e ti shpërblejmë. Reforma e arsimit nuk po diskutohet me grupet e interesit dhe më duket se është kapur me inat. Për reformën në drejtësi duhet të presim se ç’do të bëhet. Nisma është e drejtë dhe e argumentuar por kjo varet dhe nga vullneti politik i opozitës. Borxhi publik vazhdon 72 përqind të PPB sepse të ardhurat nuk realizohen dhe shpenzimet qeveritare janë rritur. Vazhdojnë mbahen Ministri kot që s’bëjnë asnjë punë dhe nuk përfaqësojnë asgjë. Pra duhet reformë strukturore në funksion të borxhit ndryshe ekonomia do shfaqet me plagët tradicionale. Këshilli ekonomik pranë Kryeministrit i ngritur dhe propaganduar me aq bujë nuk duket gjëkundi. Në atë forum vërtet marrin pjesë njerëz me integritet profesional por ato nuk mblidhen. Edhe kur mblidhen Kryeministri flet një orë ndërsa ato vetëm nga dy minuta. Efektiviteti zero. Në këto kushte janë të papërshtatshme lavdet që ju bëhen disa ministrave. Është koha të ndryshojë qeveria jo me emra por me njerëz profesionistë e të aftë për të nxjerrë nga balta qeverisjen sepse shqiptarëve nuk ju duhet një qeveri Facebook-u dhe as Ministra e qeveritarë që kalojnë kohën me to.

 

SHKARKO APP