Tre vezë dhe një sallam për Mogherinin, për mëngjes

Nga Mero Baze-Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederica Mogherini, u takua sot herët në mëngjes, me një përfaqësi të opozitës, kryesuar nga Lulzim Basha dhe tre deputetë që janë shfaqur së fundmi në parlament, si “grupi i vezëve”. Dy gratë që janë bërë simbole të burrave të fort, dhe një burrë që po përpiqet të duket viktimë e dhunës në Kuvend, në të vërtet ishin aty si një përzgjedhje e Berishës, jo aq shumë për zonjën Mogherini, se sa për vet kolegët e tyre në PD dhe për atë çfarë do bëj opozita në të ardhmen.

Përzgjedhja ka të bëj me faktin që Berisha kërkon të imponoj si frymë të opozitës, frymën e “grupit të vezëve”, dhunën në Kuvend dhe viktimizimin e opozitës. Për fatë të tre deputetët nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër, përveç kësaj dhe janë komodë në përzgjedhjen që u kanë bërë.

Përzgjedhja e Berishës, është dhe një sinjal për Bashën, për të mos e lejuar atë të jetë një lider i moderuar dhe i pëlqyeshëm tek perëndimorët, sidomos tek Evropianët e Brukselit, të cilët mund të mendojnë për ndonjë çast se ai është kryetar i PD. Duke i vënë në tavolinë tre figurina qesharake të opozitës, me gjestet e të cilëve nuk pajtohet më as vet PD, Berisha është duke i dëshmuar Bashës, frymën që duhet të mbështes në PD.

Nga ana tjetër përzgjedhja është një shuplak sidomos për ata deputetë dhe politikanë të PD, që njihen prej evropianëve si bashkëpuntorë të tyre dhe që nuk pajtohen me këto gjeste.

Ndërsa PD ka vënë në krye të Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregun dhe e ka atë zërin përfaqësues për çdo debat në lidhje me Brukselin, një herë që mbrin në Shqipëri përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Berisha i nxjerr në tavolinë, pikërisht ato gra deputete, me gjestet e të cilave, Bregu nuk është pajtuar publikisht. Kjo është dhe një mënyrë për ti treguar Mogherinit, se ajo nuk mund të ketë kurrë deputete të Brukselit në PD, por vetëm deputete të Berishës në Bruksel.

Kjo është po ashtu një paralajmërim i qartë për një fund politik të pakëndshëm për zonjën Bregu, brenda partisë, pasi është praktikisht shkarkim i saj nga përfaqësimi i politikës evropiane në PD. Evropën në PD tani e përfaqësojnë pikërisht ata që njihen si grupi i vezëve.

Është ky imponim i Berishës për Bashën i cili e bëri takimin thuajse të dështuar, duke mos qëndruar së bashku me zonjën Mogherini as dhjet minuta, dhe duke lënë një shije të keqe dhe vet brenda PD.

Por mbi të gjtiha kjo përzgjedhje, tregon dhe një lloj karshillëku se me kë do përballet vizioni evropian në PD.

Porositë e Mogherinit për reformën në drejtësi dhe kalimin sa më shpejt në Kuvend, janë deinkurajuar sot nga opozita, e cila paralajmëroi bojkotin e kuvendit, me arsyet që gjen sa herë pyesin Berishën, pikërisht për të mos votuar reformën në drejtësi.

Për ti treguar Bruskelit se vendimet në PD nuk i marrin ata deputetët e moderuar që komunikojnë ata në Bruksel, por “grupi i vezëve”, Berisha ja coi atyre në tavolinë qysh herët në mëngjes, si një mesazh i qart që opozita do bazohet mbi një aksion antiperëndimor.

Fakti që Basha, i mori mevete me qetësi dhe nuk bëri dot asnjë koment për kriteret dhe arsyet e përzgjedhjes tyre, tregon se ai nuk ka asnjë fuqi të ndaloj çdo vendim që Berisha do ti diktoj PD, sidomos lidhur me reformën në drejtësi. Duke u ofruar zonjën Mogherini një menu opozitare, me vezë qysh në shtatë të mëngjesit, Berisha, i tregoi asaj dhe vet PD, se nuk ka ndërmend të bëhet evropian, për të përfunduar në duar të shqiptarëve. Mjaftonin tre vezokratë dhe Bashën si sallam për garniturë qysh në mëngjes, në zyrën e saj, për ti treguar asaj, se çfarë i ofrojnë ata, si opozitë Perëndimit. Tre vezë dhe një sallam për mëngjes!

TEMA

SHKARKO APP