Tregimi me helm

 

Nga Halil Matoshi

Nëse për njeriun qenësore janë liria, siguria, drejtësia dhe e vërteta si parime universale, atëherë këto parime na udhëzojnë që të përdorim lirinë tonë negative: Me dyshue!

Me dyshue në teoritë e konspiracionit të ngritura nga shteti (nga segmente të tij), nga (para)politika dhe politikanët e korruptuar – për të mbijetuar në kohën kur do të duhej të përmbyseshin – duke e zhvendosur vëmendjen e publikut kombëtar dhe ndërkombëtar nga sfida e quajtur Gjykata Speciale…

Policia e Kosovës, së bashku me Inteligjencën dhe strukturat tjera të sigurisë, duhet të ndjekin agjendat profesionale e jo ato të politikës ditore

Rasti i ndalimit nga policia e Kosovës të pesë kosovarëve afër liqenit akumulues të Badocit është përcjellë me kontradikta të shumta policore (dhe politike e mediale), saqë njeriu i arsyeshëm nis të çoroditet, nëse së paku përpiqet ta ruajë arsyen dhe aspektin human të tërë tregimit “me helm”, i cili, ndonëse nuk u gjet, mjaftoi imagjinimi i tij në kokën e ndonjë politikani ose agjenti që të mbetet në mendjet e qytetarëve helm i vërtetë, që kontaminon shumë breza…

Shkrimtari hebraik, Amos Oz, thotë se kontaminimi i gjuhës është më i rrezikshëm se ai bërthamor, ngase helmon shumë breza.
Shoqëria parapolitike kosovare ka telashe të mëdha me gjuhën e urrejtjes dhe nga kjo nuk janë imune as institucionet e shtetit, ngase “ne u bëmë komb – thoshte Branko Merxhani në vitet ’30 – por nuk arritëm të ngrihemi në shoqëri politike” – në ‘Njësi të rritur’ (Domenique Schapper.)

Gjuha e komunikimeve mediale e sociale, politike e policore kosovare ka prekë majat e thepisura të shpatës së helmatisur. 
Të gjithë janë hedhur kundrejt të gjithëve.
Të gjithë i kanë dhe i thonë të vërtetat e tyre (injorantë e të ditur), porse e vërteta zyrtare është ajo “legjitimja”, e cila në vorbullën e taktizimeve e konspiracioneve e ka humbur tashmë legjitimitetin, sepse e prezanton një kakistokraci (pushtet i qytetarëve më të ligj.)

Po të mos kishim të bënim me politikanë mujshorë e të padijshëm në majat e pushtetit dhe politika të korruptuara e jo kohezive, natyrisht se do të isha në anën e institucioneve të sigurisë, sepse një shteti të ri e të brishtë në aspektin e sigurisë (me gjithë synimet armiqësore të Serbisë që ende ka mbështetjen ruse) do t’ia njihja të drejtën që edhe me masa jopopullore (policore) ta mbronte sigurinë e vet, qoftë edhe nga tendenca iniciale dhe rryma fetare e ideologjike, që synojnë ndryshimin me forcë të konstitucionit të saj – jo vetëm politik-shtetëror – por edhe moral e kulturor.

Pse dyshoj në tërë sfondin dhe kauzën e kësaj “lufte”, në të cilën, pavetëdijshëm dhe verbërisht, po hyn Kosova?
Qysh Dekartesi thoshte se njeriu është qenie mendore, nga kjo edhe buron maksima e tij: "Mendoj, pra jam/ekzistoj” (Cogito ergo sum.)
Ai vlerësonte se asnjë nga perceptimet tona jetëshkurtra nuk mund të mbartë siguri. 
Siguria e vetme është që "unë jam" dhe që "unë mendoj." 
Siguritë e tjera mund të jenë shtjelluar duke filluar nga këtej, me ndihmën e matematikës; nga ana e saj, ajo na lejon të vëmë rregull në botën e dukjeve të jashtme.

Kështu mund të përmblidhet shkurtimisht kartezianizmi: "Unë mendoj, pra unë jam."
Kartezianizmi është doktrina filozofike (apo shkolla e René Descartes, i cili është konsideruar shpesh si mendimtar i parë që ka theksuar përdorimin e arsyes për të zhvilluar shkencat natyrore.
Mirëpo qenia që mendon, natyrisht se dyshon.
Ndërsa Socratesi i sugjeronte njeriut: “Beso në ata që kërkojnë të vërtetën, dysho në ata që e gjejnë atë.”

Edhe pse teolog dhe filozof teokrat, Augustin Aurelie në përçapjet e tij mbi historinë e shoqërisë dhe të njeriut ishte realist dhe racionalist. Ai daljen nga skepsa e gjeti tek vetësiguria: “Dyshoj, pra jam.”
Njeriu derisa dyshon, sigurisht që mendon, e derisa mendon sigurisht që është.
Prandaj ne, gazetarë apo shkrimtarë (njerëz të shkrimit), duhet ta kërkojmë të vërtetën.

Në vazhdën e një lufte kontroverse të koduar si “antiterror”, institucionet kosovare dhe veçmas strukturat e saj të sigurisë dhe akuzës (Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia dhe Prokuroria) kanë rënë në kurthet konspirative, duke e sjellë publikun buzë konfuzionit total dhe çoroditjes.

Kuvendi i Kosovës ka bërë një ligj që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, porse asnjë nga organizatat e proklamuara terroriste nga State Departamenti amerikan, si “Al-Qaeda”, “Al-Nursa” dhe më vonë ISIS, Kuvendi i Kosovës nuk i ka shpallur për të tilla, terroriste, përmes ndonjë rezolute apo akti tjetër, sepse, në listat e zeza të presidentit amerikan, Barack Obama, ka dhe disa individë kosovarë (madje edhe deputetë të Kuvendit!???) dhe së paku një organizatë (AKSH = Armata Kombëtare Shqiptare);

Mirëpo, përkitja e kosovarëve në organizatat e cilësuara si terroriste nga SHBA, në Kodin penal kosovar cilësohet si veprimtari terroriste. 
Pas ndalimit të pesë qytetarëve kosovarë afër liqenit të Badocit, më 13 korrik 2015, policia e Kosovës iu drejtua publikut kosovar me një kumtesë kontroverse, ku përvidheshin fjalët “helm” dhe “helmim” ose “dyshohet se kanë mësyrë ose synuar të helmonin ose kontaminonin…”, pra është fjala për ujin!?

Pastaj për dy ditë rresht, nga policë e avokatë nën influencën e politikës dhe spiunazhit, publiku kosovar u terrorizua me pandehmat: "U helmua, jo s'u helmua…!"
E parafrazuar, deklarata e Policisë së Kosovës, po thoshte: "Kemi arrestuar pesë të dyshuar për terrorizëm… Dy nga ta kanë qenë edhe më parë të arrestuar, sepse dyshohet se kanë luftuar në Siri. (…) Kemi gjetur në veturat e konfiskuara flamuj dhe veshje që identifikojnë organizata terroriste.

Mohojmë të jetë helmuar uji, pra nuk ka arsye për panik, po ujin e kemi ndalë për shkaqe sigurie…"
Në mëngjesin e 12 korrikut, derisa gjysma e Prishtinës dhe e fshatrave përreth kishin mbetur pa furnizim me ujë, institucionet e shtetit ende s'kishin asnjë përgjigje të qartë për këtë.
E deklarata e Policisë përmbante kontroverse të dokshme e të ndjeshme:
E para, përse dy nga të ndaluarit qenkan liruar, derisa Kosova ka miratuar një ligj që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, e me qëllime terroriste?

E dyta, a janë gjetë flamuj të ISIS-it vërtet apo ndonjë cohë me mbishkrimin “Allah” në arabisht, dhe veshjet kamuflazh, që thuhet se janë gjetur në çantën e njërit nga të ndaluarit, a janë të modelit evropian (p.sh. të ish-UÇK-së?) apo janë të modelit të ISIS-it – kjo nuk është sqaruar fare në kumtesën e policisë!
E, fatkeqësisht, as në kallëzimin penal të Prokurorisë!?
E treta, pasi që nga goja e një avokateje (Sabrije Jashari) doli se te të ndaluarit është gjetur helm, e pastaj ajo u bë pishman që foli (tha jam keqkuptuar nga mediat!?) e pasi që nuk pati helm, si është e mundur pra që pa helm të mbizotërojë dyshimi i bazuar i Prokurorisë, se synimi do të ketë qenë helmimi, përkatësisht shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm?

Duhet theksuar se nuk është dëgjuar asnjëherë më parë nëse 'flamujt, maskat, dorëzat dhe uniformat' mund ta helmojnë ujin!???
E katërta, pos Policisë edhe Prokuroria e shtetit mohoi më 13 korrik zërat që flisnin për helmim të ujit’.
Dhe e pesta, decidivisht, nuk kemi të bëjmë me helm, por uji megjithatë është ndalur dhe ekzaminuar nga Instituti i Shëndetit Publik për arsye sigurie (testi doli negativ) kurse në kallëzimin penal të prokurores Drita Hajdari ‘versioni për synim apo mësymje helmimi’ është strumbullari i aktakuzës, rreth të cilit ajo ngre dyshimet e bazuara “për terrorizëm” dhe në këto baza është marrë edhe vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, porse nëse i bëhet një lexim dekonstruksionist, del dhe nuk del syzash se ata të pestët kanë planifikuar dhe përgatitur aktin terrorist, që Kosovës nuk i ka ndodhë as nga një armik më i madh dhe më i egër, nga fashizmi i Millosheviqit!

Pra, në këtë deklaratën e policisë, ashiqare vërehen kontradikta që të shtyjnë të dyshosh se 'operacioni' ka ngjyrime politike dhe në aspektin policor ka ngjyrime spektakolare (tregim dhëmbësh), por përcillet edhe me efekte vetëlavdëruese e pompoze, përmes të cilave synohet të jepet mesazhi se Kosova është e gatshme ta luftojë terrorizmin me efiçiencë dhe profesionalizëm të lartë.

Natyrisht se kjo mirëpritet nga qytetarët, por mënyra se si bëhet politikë në Kosovë nuk premton dhe nuk siguron një gjë të tillë!
Pra, kjo e bën të dyshojë secilin qytetar se Kosova po shndërrohet në një shoqëri paragjykuese dhe paranojake, vetëm pse pushtetin politik e ka zënë tashmë paranoja!
Paranoja e oborrit, thuhet rëndom me gjuhën e psikologjisë së pushtetit.
Dhe kjo “dhuratë” iu bë kosovarëve (u mendua për ndërrim agjendash!?) para sfidës së Gjykatës Speciale, krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe vlimeve potenciale sociale e politike.

Kjo kumtesë ka nxitë shumë spekulime dhe në këtë situatë, Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, duhej ta sqaronin publikun rreth 'Lutjet e mbramjes” tek liqeni…, për t’ua prerë rrugën thashethemeve dhe teorive konspirative.
Në secilën shoqëri njerëzore mund të ketë të krisur (shoqëritë e organizuara i mbajnë ata të izoluar në sëmundina speciale), mirëpo duke u mbështetur në konstituimin moral e historik të shqiptarëve kosovarë, nuk ka dhe nuk mund të ketë kosovarë e kosovare, ndër armiq të vjetër ose të rinj, që mësyjnë vrasjen masive të popullit, të cilit i përkasin, për interesa të fanatikëve të të gjitha ngjyrimeve, feve dhe ideologjive!

Ose thjesht e naivisht dyshoj të ketë të tillë.
Dhe në tregimin me helm, kontroverset s'kishin të ndalur.
Kontroverset policore “i stolisi” edhe një avokate, e cila “ngarkoi në shpinën e klientit të vet një çantë me helm!
Derisa më 11 korrik nuk u gjet helm (sipas zëdhënësit të policisë, Baki Kelani) në mesditën e 12 korrikut helm “polli” çanta e njërit nga të ndaluarit, ose më mirë të thuhet helmi u “voll” nga goja e njërës nga mbrojtëset e të ndaluarve.

Pra më 12 korrik avokatja Jashari u tha gazetarëve si e përgjumur se në çantën e Enis Latifit “u gjet qasi, helm…”!???
D.m.th., për 24 orë gjithçka ndryshoi.
Avokatja në këtë rast nuk ishte personi kompetent as kredibil që duhej t'i fliste publikut për provat që inkriminojnë të dyshuarit, por ekskluzivisht Ministria e Rendit (policia) dhe Prokuroria e Shtetit.
Nëse do të ishte e vërtetë pandehma se tek të ndaluarit është gjetë helm, kjo duhej të shërbente si alarm për tërë strukturat e shtetit, që nga presidentja e kryeministri deri tek ministri i Brendshëm dhe krerët institucionalë të mekanizmave të sigurisë, për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, si prerrogativë kushtetuese, e nëse ishte spekulim (konspiracion) qysh edhe doli të jetë, dikush duhej të jepte llogari jo vetëm para publikut kosovar, por edhe para ligjit!

Gjatë shthurjes së kësaj drame që u tentua t’i shitej publikut kosovar – si hamletiane – (me helm e vrasje) e doli të ishte shthurje chehoviane (me qeshje, por dhe përqyrrje e lot), Ministria e Brendshme dhe ministri Skënder Hyseni heshtën si peshku – e në vend të tyre po flisnin përçartë herë një zëdhënës policie e here një avokate – si pjesë e tërë konspiracionit. 
Prandaj, në këtë shtet më s'dihet kush pi, kush dehet e kush paguen!

Nëse gjykata nuk i konfirmon këto 'prova' në etapat tjera të hetuesisë (helme dhe plane për helmim) Skënder Hyseni dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, as dy minuta nuk mund të qëndrojnë në postet e tyre!
Nuk është as morale dhe as profesionale. 
Kjo le të dihet!

Koha.net

SHKARKO APP