Tregu i sigurimeve, rritje mbi 17%
Tregu i sigurimeve është rritur me 17.27% për 9-mujorin e këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – shtator 2015 kapën vlerën mbi 10,067 milionë lekë, ose 17.27% më shumë se në periudhën janar – shtator 2014.
Gjatë periudhës janar – shtator 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 812,287 me një rritje prej 7.17% krahasuar me periudhën janar – shtator 2014. Sipas të dhënave të AMF-së, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 93.04% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 6.84% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.13%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.31% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.69% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar – shtator 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,344 milionë lekë, ose 17.63% më shumë se në periudhën janar – shtator 2014.