“Trembet” Maqedonia pas ultimatumit shqiptar, zhbllokon perimet në kufi
Pas deklaratës së ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe një sërë komunikimeve me autoritetet maqedonase, mësohet se Shkupi zyrtar ka urdhëruar të gjitha pikat e kalimit kufitar që të heqin bllokimin ndaj produkteve shqiptare.
Madje, urdhri i fundit është që ato të mos ndalohen më, siç është bërë disa herë gjatë muajve të fundit.
“Kam kërkuar sot nga ministri i Ekonomisë të Maqedonisë dhe nga ministri i Financave, që situata do të duhej të zgjidhej menjëherë dhe brenda ditës së sotme. E nëse jo, ne automatikisht, edhe mbi bazën e të gjitha të drejtave që na jep marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrim akte reciprociteti. Herën tjetër mund të ketë reciprocitet të drejtpërdrejtë, të paparalajmëruar. Një sjellje e kësaj natyre tregtare, jo gjithmonë do të ketë një pritje të duruar ose një paralajmërim, por do të ketë njëkohësisht, siç na lejon edhe CEFTA, një reciprocitet të menjëhershëm”, kujtojmë të ketë pohuar ministri Ahmetaj, pas bllokimit për të dytën herë brenda një muaji të produkteve shqiptare nga pala maqedonase.