Trinia e mallkuar
Nga Arben Idrizi-
Lista Srpska do të donte që Kosova t’i bashkëngjitet Serbisë. Vetëvendosje do të donte që Kosova t’i bashkëngjitet Shqipërisë. Ekstremizmi islamik, ende i papërfaqësuar politikisht, me gjasë do të donte Kosovën në kufijtë e saj, por të qeverisur nga Sheriati. Një trini e përbindshme fashizmash
Ka tri palë, me një fuqi të frikshme, në vendin tonë që nuk e duan as respektojnë, haptazi, Republikën e Kosovës dhe zhbërja e saj, për qëllimet e tyre, është një ëndërr mbi ëndrrat: Lëvizja Vetëvendosje, Lista Srpska dhe ekstremizmi islamik. Dy të parat janë brenda institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit, ndërsa pala e tretë ende nuk ka një organ politik që do t’i përfaqësonte. Këto dy palë të para, sidoqoftë, i kanë hapur rrugë, me qëndrimin e tyre jokushtetues, një lëvizjeje të tillë të mundshme religjioze të regjistrohet si parti ose lëvizje politiko-fetare, në organet relevante dhe rrjedhimisht të garojë për ulëset e veta në Kuvend dhe më tej për ta marrë pushtetin dhe për të qeverisur me vendin. Listës Srpska dhe Vetëvendosjes iu është lejuar që, edhe përkundër qëndrimeve të tyre politike kundërkushtetuese, mosnjohjes së Kosovës, bashkëngjitjes së saj Serbisë përkatësisht Shqipërisë, të jenë pjesë përbërëse e Republikës së Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, fqinj i Serbisë dhe Shqipërisë. Ka shumë gjasa që një lëvizjeje ekstremiste islamike, që Kosovën do ta donte të pavarur, por jo laike, të sunduar me Sheriat, të mos i lejohet regjistrimi dhe tamam ekzistimi. Në rast të kundërt, do ta kompletonte edhe zyrtarisht, po e marr guximin ta quaj kështu, laikisht, Trininë e mallkuar.
Vështirë të gjesh një gërshetim fashizmash dhe kafshërish më të madh në një vend të vetëm që as nuk duket në hartën e botës. Tri burime të paana të urrejtjes, përbindshmërisë, frikës dhe ankthit.
***
Nga ana tjetër, sado që pa asfarë fantazie dhe mjeshtërie, bëhen se e duan dhe respektojnë si të tillë Republikën e Kosovës, por, pra, vetëm për ta zotëruar për vete, plaçkitur, kriminalizuar, vjedhur, bërë qesharake dhe mjeruar: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Prej vitesh flasim se si, për shembull, në Kuvendin e Kosovës kemi me dhjetëra deputetë milionerë, pasuria e të cilëve dyshohet të jetë arritur brenda pak, shumë pak viteve, menjëherë pas luftës, dhe askush nuk arrij t’i hetojë për prejardhjen e asaj pasurie.
Të tillët, ish komandantë e udhëheqës të lartë të UÇK-së dhe përfaqësues të lartë të LDK-së, ose thjesht keqbërës të rëndomtë të ardhur në fuqi, dyshohet të kenë përfituar mbi të gjitha nga uzurpimet dhe privatizimi.
E përveç kriminalizimit të politikës, kanë arritur në vijim ta kriminalizojnë edhe arsimin dhe kulturën. Ashtu siç kemi një mafia të politikës dhe ndërtimit, kemi edh enjë mafia arsimore dhe kulturore.
Kryeministri i sotëm i vendit, pak kohë para se të merrte këtë post, ishte akuzuar rëndë nga hiç më pak se ambasadorja amerikane në Kosovë, për krime që përfshihen në po hiç më pak se në shtatëdhjetë dosje. Ai dyshohet se është fajtori kryesor për shkatërrimin e Prishtinës dhe në të njëjtën kohë njëri prej keqpërdoruesve më të mëdhenj të fondit të tre përqindëshit të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Mandej, me të ardhur në pushtet ai pati edhe dy afera aq inkriminuese: tenderët për të birin dhe zgjedhja në Gjykatën Kushtetuese e një ish zyrtareje të partisë së tij.
Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, nuk ka hetues që do të guxonte ta hetonte për dyshimet që e zbukurojnë, nëse na lejohet ironia, si aurë hyjnore, as gjykatës vendor që do të guxonte ta dënonte.
Ndërsa Fatimir Limaj, kryetari i Nismës, vazhdon të zvarritet prej vitesh gjyqeve për krimet dhe dëmet që ia ka shkaktuar vendit, me dyshimet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe paranë publike, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit, në emër të të cilit flet hipokriti, me miliona euro.
***
Edhe mbetjet e lëvizjes së armatosur, sot PDK, AKK, NISMA, dje ishin fashistë e të përbindshëm, adhurues dhe drejtpërdrejt kërkues të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Prandaj i konsideronin tradhtarë përfaqësuesit e lëvizjes paqësore, LDK-së, dhe, dyshohet, edhe i vrisnin. Njëjtë, sot, fashistët e rinj, i akuzojnë për tradhti përfaqësuesit e sotëm të pushtetit, e ndoshta, nesër, edhe do t’i vrasin.
***
Serbët e Kosovës dhe VV i duan të mirat e Kosovës dhe iu përshtaten disa ligjeve dhe rregullave, nga të cilat ata përfitojnë materialisht, por nuk i duan as respektojnë simbolet e saj; serbët e Kosovës e mbajnë në qytetet, fshatrat dhe shtëpitë e tyre flamurin e Serbisë thua se jemi në Serbi, shqiptarët në përgjithësi dhe VV fanatikisht, atë të Shqipërisë – në qytetin e vetëm që qeverisin, kryeqytet, valojnë vetëm flamujt e Shqipërisë, thua se jemi në Shqipëri.
***
Të duash dhe të respektosh është të njihesh dhe mbi të gjitha të njohësh.
***
Për këto arsye e të tjera, edhe hipokritët, ish shokët e komandantëve, plaçkitësve, uzurpuesve, të dyshuarve dhe dënuarve për krime nga më të ndryshmet, deri më monstruozët, si Rexhep Selimi, pra dhe ai vetë i tillë si ish shokët e tij, shtiret se mund t’ia tregojë vendin një ambasadori të Francës. Sepse, po të kishte fuqi më të madhe, ky banditi edhe do t’i përzinte ambasadorët e huaj, ashtu siç i përzënë në vendet totalitare dhe ashtu siç i përzinte Millosheviqi.
Shpresojmë që Gjykata Speciale ta shpërblejë me një qeli, për kontributin e dhënë për “vendin e shqiponjave” dhe xhepin e vet. Gazeta Express