Triumfi i pandëshkueshmërisë dhe arroganca e re

 

 

Nga Mero Baze.

Disa eskavatorë dhe makina transporti thyen sot derën e fshatit turistik “Laguna Blu”, në Golem, dhe u drejtuan nga këndi sportiv i fshatit, duke filluar prishjen e rrethimit dhe rafshimin e tij. Disa banorë të zemëruar që mbërritën aty nga Tirana nuk mundën të bëjnë asgjë. Pak çaste më parë Veton Surroi më nisi disa foto nga fusha e tenisit ku ishte gërmuar dhe rrethimi ishte prishur, ndërsa në sfond dukej një diell që perëndonte bashkë me parajsën e vogël turistike tek “Laguna Blu”. “Laguna Blu”, e vendosur në një nga zonat më të mira të pishave në Malin e Robit, në drejtim të Qerretit, ishte një nga destinacionet më tërheqëse të plazhit të Golemit, për shkak të mjediseve zbavitëse dhe këndeve të bollshme për zbavitjen e fëmijëve. I vetmi kufizim në vite, ka qenë rruga para vilës së Aleksandër Frangaj, e cila ishte e bllokuar për banorët e fshatit, pasi e shqetësonin. Për 12 vite rresht askush nuk guxoi të hiqte atë pengesë përdhunuese për të gjithë, në emër të pushtetit të tij. As ministrat dhe as ishministrat që banonin aty. Biles ata me servilizmin e tyre, përkëdhelnin arrogancën e një katundari, që kishte bërë zap “b..q..” e qytetit, siç i quante ai. Sot edhe ata, po prekin pasojat e këtij përdhunimi. Po shikojnë, po aq të pafuqishëm sa ishin para dy blloqeve betoni, të jenë dhe para eskavatorëve që po shembin gjithçka. Përsëri hezitojnë duke pasur paraysh se ai ka diçka që e mbron dhe tek pushteti i ri.

Një histori e pastër korruptive që duhet hetuar

Fshatrat turstik në Shqipëri janë dhënë në bazë të ligjit të konçesioneve për zonat turistike, ku investitori e ka pasur tokën me qera për 99 vjet, dhe ka qenë i detyruar të ndërtonte resortin sipas një plani urbanistik. Investitori i atij fshati turistik prej vitit 2009, u sulmua politikisht dhe u izolua, duke i krijuar konflikte prej këtij grupi interesi, që po zapton sot pishat dhe këndet sportive. Duke e futur në konflikte fizike dhe financiare me shtetin, dhe duke qenë në krye të pushtetit të Berishës, Frangaj ka arritur jashtë çdo ligji dhe rregulli të privatizojë përmes legalizmit, një sipërfaqe të madhe toke, brenda territorit që ishte dhënë me qera për fshatin turistik, duke e legalizuar si invesim të vetin dhe duke e hipotekuar atë. Konkretisht, ai ka sajuar një vërtetim, sipas të cilit, ai ka bërë investime tek fushat e sportit dhe e ka përdorur atë në një proces tërësisht antiligjor legalizimi, duke hipotekuar tokën. Pas kësaj, ai ka nxjerrë një leje ndërtimi ende të paqartë për ndërtim vilash tek këndi sportiv, ku duhet të presë ende dhe ca pisha. Sipas autoriteteve të sotme të ALUIZNI­t, nëse ka ndodhur kështu, ai që ka firmosur mund të burgoset, por e vërteta është se të vetmit të burgosur sot, janë ata që kanë blerë apartamente në atë zonë turistike, me shpresë se kanë pasur në dispozicion hapësira argëtuese, për vete dhe fëmijët. Është e paqartë se kush ja ka dhënë lejen e ndërtimit, KKRT e Berishës apo e Ramës, por ka mundësi të dy palët të jenë të përfshira në këtë aferë. Berisha është i përfshirë tërësisht në paligjshmërinë e dhënies së tokës së një fshati turistik një banori të fshatit, për shkak të pushtetit, dhe ndoshta i ka miratuar me shpejtësi dhe ndonjë leje ndërtimi. Por, e vërteta është se pas ardhjes së Ramës në pushtet, Komuna e Golemit ka miratuar sërish një leje për shesh ndërtimi. Këtë ma ka pohuar vetë ish­ kreu i asaj komune, biles duke shtuar dhe faktin që kishte miratimin e Ramës për këtë akt. Një vit më parë, gjatë pritjes në mbrëmjen e vitit të ri, kolegu im Andi Bushati ja ngriti këtë problem kryeministrit Rama, duke i thënë se po bën një krim duke dashur të blesh TV Klanin, dhe po shkatërron një pasuri turistike të vendit. Rama nuk mohoi që ka dhënë leje, por as nuk e pohoi atë, duke u mjaftuar me fjalinë që “unë nuk do të pyes ty kujt i jap leje”. Bushati këmbënguli gjatë, por nuk mori ndonjë përgjigje. Pas kësaj, u përhap një opinion se projekti ishte pezulluar, por sot u vërtetua se asgjë nuk ka ndodhur. Frangaj arriti të fusë buldozierët dhe i shoqëruar nga tri makina policie në vendngjarje, ai arriti të fillojë punimet, duke shkatërruar të vetmin mjedis argëtues të atij fshati turistik. INUK nuk ishte aty. Kushedi nga po prishte ndonjë kioskë fukarenjsh, nga ata që nxjerrin bukën e gojës në anë të rrugës.

Trimërimi nga pandëshkueshmëria

E gjithë ajo që ka ndodhur sot nuk do t’ia vlente të bëhej objekt i një shkrimi dhe aq më tepër të bëhesh avokat i atyre banorëve. Personalisht nuk jam banor i atij fshati dhe me gjysmën e atyre njerëzve aty, as nuk flas, pasi në shumicë janë ish­ qeveritarë dhe qeveritarë aktual. Kështu që nuk kam ndonjë keqardhje nga pikëpamja njerëzore, për me tepër që i kam parë gjithonë si qenë të rrahur para arrogancës së Frangajt, që u kishte bllokuar dhe rrugën para vilës së tij trekatëshe. Por, nga ana tjetër, ajo që ndodh sot atje është një shenjë e keqe e triumfit të pandëshkueshmërisë dhe trimërimit të atyre që mendonin se do të dënoheshin. Vonesa për t’i treguar dhëmbët paligjshmërisë së Berishës dhe pastaj krushqia me abuzuesit e tij, është gjëja më e rëndë që po i ndodh qeverisë Rama. Aleksandër Frangaj është simbol i abuzimit me pushtetin, pasi ka zaptuar gjysmën e Kinostudios përmes ligjit të koncesioneve, që e ndryshonte me akt normativ siç i duhej atij. Tre herë ka ndryshuar ai ligj nga 2006 deri më 2008, sipas nevojave të këtij personi, që zaptonte tokat e ish­ pronarëve duke i kthyer në pronë privat e të tij, për të mos përmendur gjëra të tjera. Biles nëse studion ndryshimet në këtë ligj dhe verifikon çfarë kontratash janë lidhur nga Frangaj pas ndryshimeve, e kupton qartë se e kishte kapur shtetin dhe e përdorte për pasurimin e tij. Privatizimi tërësisht i paligjshëm i një toke e cila ka pasur statusin e një fshati turistik me qera për 99 vjet, ishte një skandal që duhet të hetohej urgjent sapo Rama erdhi në pushtet. Në të vërtetë, ai ngriti një Task Forcë dhe bllokoi të gjithë tokat bregdetare, por askujt si ka prekur qimen, përveç atyre të bregut nga Palasa në Ksamil, që ja ka lënë Kokëdhimës ta negociojë. Frangaj ndoshta ka besuar vërtet që Rama do t’ia anulonte këtë pronë dhe hezitoi të ndërtonte vitin e parë. Duket se filloi pak nga pak të trimërohej vitin e dytë dhe tani që u familjarizua me pushtetin dhe e pa, që dhe këta duan të marrin ndonjë gjë për vete, natyrisht që u rikthye tek arroganca e kohës së Berishës, pasi e konsideron veten “njësoj” me këta. Në një vend ku burgoset një fshatar pse rregullon pa leje çatinë e shembur nga era dhe shiu, një bashibuzuk pushteti zapton prona dhe ndërton pa ju dridhur syri nga asnjë pushtet. Është kjo arsyeja që pandëshkueshmëria në këtë rast ka prodhuar një arrogoncë të re të abuzuesve të Berishës të cilët jo vetëm që janë të qetë se nuk do t’i ndëshkojë njeri, por ndjehen dhe komod tani që pushteti është bërë boll pis me hajdutët e vet.

Sandri nuk është më simbol i pushtetit në këtë vend. Pushteti po bëhet simbol i Sandrit.

SHKARKO APP