Tsipras: Programi i vjetër ka vdekur
Nga Kujtim Vani
“Na jepni gjashtë muaj dhe do të jemi një vend tjetër”, është titulli me të cilin revista gjermane Stern publikon të enjten intervistën me kryeministrin grek Aleksis Cipras. “Programi i vjetër i shtrëngesës është i vdekur”, deklaron Tsipras dhe shton se ai nuk dëshiron daljen e Greqisë nga Eurozona, ndërsa hedh poshtë çdo ultimatum nga ana e partnerëve dhe premton të luftojë evazionin fiskal dhe korrupsionin. Sa i përket pretendimit të reparacioneve të luftës, kryeministri grek thotë se ky është një obligim moral i Gjermanisë. “E ardhmja e Europës varet nga kryeministri grek”, komenton revista gjermane. I pyetur se ku do të gjenden paratë për të realizuar premtimet elektorale për oferta sociale që sipas revistës gjermane do të kushtojnë 12 miliardë euro, Cipras përgjigjet: “Nuk është nevoja të marrim kredi të reja. Në vend të tyre do t’i gjejmë gjetkë paratë. Do t’u japim fund padrejtësive në shoqërinë greke. Vitet e mëparshme shumë njerëz nuk paguanin tërësinë e kontributeve të tyre. përkundrazi, e përdorën krizën për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Disa bëjnë evazion fiskal, disa bëjnë kontrabandë karburantesh dhe duhani në shkallë të madhe dhe kjo i kushton miliarda shtetit. Jemi të sigurt se ka shumë para aty. Mirëpo nevojitemi kohë për t’ia arritur”.
“Sa kohë nevojiteni?”, pyet Stern. “Do të vej një bast me ju. Po të marrim gjashtë muaj, Greqia do të jetë një vend tjetër. Megjithëse qeveria e mëparshme kishte rastin që të luftojë këto veprimtari të dyshimta, i mungonte vullneti politik. Arsyeja ishte se qe shumë ngushtë e lidhur me bizneset e mëdha. Avantazhi ynë është se nuk kemi detyrime të tilla”. Cipras pyetet edhe mbi dështimin e negociatave dhe ultimatumin e Eurogrupit për marrëveshje deri të premten. Kryeministri e bën të qartë se për qeverinë e re greke programi ekzistues “është i vdekur”. “Për ne, programi i vjetër i shtrëngesës ka vdekur. Propozimi që ta shtyjmë për gjashtë muaj është paradoksal. Kush ka ide të tilla humbet kohën e vet… Ultimatume të tilla nuk do të duhej të ken vend në Bashkimin Europian. Askush nuk mund të na urdhërojë që të vazhdojmë aty ku e la qeveria Samaras. A thua se nuk u bënë kurrë zgjedhje. SYRIZA në këto momente ka një mbështetje prej 80%. Do të duhej t’i injoronim këta qytetarë? Zhgënjimi do t’i çonte njerëzit në krahët e partisë fashiste Agimi i Artë. Është e qartë se Greqia nuk mundet më të plotësojë kushtet e programit ekzistues. Prandaj dhe programi duhet të ndryshojë”.
Korrespodent i “Koha Jonë”, Athinë
Ministri i Financave
Varufaqis: Shpresojmë që propozimi të miratohet
Ndërkohë ministri i financave Varufaqis shpreh besimin se propozimi i qeverisë greke do të miratohet. Në këtë kuadër, bindjen e tij se propozimi grek do të miratohet, përmes një telekonference në mbledhjen e Eurogrupit, të premten, ka shprehur ministri i financave, Janis Varufaqis, duke dalë nga parlamenti, pas votimit për zgjedhjen e presidentit të Republikës, të mërkurën në mbrëmje. “Gjithë shenjat janë të mira. Në Euroworking Group do të ketë një konkludim që do të kënaqë edhe palën greke, edhe presidentin e Eurogrupit. Të premten besoj se propozimi grek, përmes telekonferencës do të miratohet në mbledhjen e Eurogrupit”, deklaroi ministri i financave. Të martën në mbrëmje, Varufaqis i kishte deklaruar televizionit publik gjerman, ZDF se Athina do të kërkojë një zgjatje të afatit të financimit “për disa muaj”. “Duhet të zgjasim afatin e marrëveshjes së kredisë edhe për disa muaj, për të patur stabilitetin e mjaftueshëm, me qëllim që të mundim të negociojmë një marrëveshje të re ndërmjet Greqisë dhe Europës”, tha Varufaqis nga Brukseli. Për marrjen e kësaj shtese do të nevojiten “tre apo katër kushte”, shtoi Varufakis, pa dhënë detaje të tjera.
FORUM
Në pritje të letrës nga Athina
Nga Berbara Wesel
Disa e quajnë program ndihme, të tjerët program kredie. Tingëllon ngjashëm, por ka interpretime të ndryshme të paktën në mosmarrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe Eurogrupit. Në fakt letra nga Athina duhej të mbërrinte që të mërkurën (18.02) në mbrëmje, kështu kishte kërkuar të paktën kryetari i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem. Tani ministrat evropianë të financave duhet të presin edhe një natë tjetër, deri sa të vijë kërkesa e paralajmëruar nga Athina. Është fjala për vazhdimin e pagesave miliardëshe nga Brukseli. Ministrat e financave kërkojnë vazhdimin e programit ekzistues të ndihmës, që përfundon më 28 shkurt, dhe pranimin e kushteve që përmban ai. Mbi këtë bazë mund të krijohet një lloj fleksibiliteti për qeverinë Cipras. Por ky propozim u hodh poshtë me zemërim nga Athina. Atje thonë se duan të kërkojnë "një program ndihme", kështu pohon Yanis Varoufakis, apo një kredi për të kapërcyer një farë kohe. Të gjitha perifrazime diskrete për një kërkesë për më shumë para, pa kushte ose vetëm të kufizuara. Kjo mund t'u paraqitet pastaj zgjedhësve si fitore e madhe ndaj BE-së dhe Gjermanisë. Që prej javës së kaluar nuk kanë reshtur telefonatat mes Komisionit të BE në Bruksel dhe qeverisë greke. Telefonata dhe e-maile të pandërprera. Edhe presidenti i BE Jean-Claude Juncker u kthye në ndërmjetësues të krizës, gjë që zyrtarisht nuk është roli i Komisionit dhe që çoi në debat në takimin e Eurogrupit të hënën. Yanis Varoufakis paraqiti një dokument, që gjoja vinte nga komisioneri i Financave Pierre Moscovici dhe parashikonte rregulla shumë të buta për një ndihmë të mëtejshme për Greqinë. "Kjo zgjidhje e mrekullueshme mund të nënshkruhet menjëherë", tha Varoufakis. Ai donte të fuste një pykë në mes të ministrave të financave të BE-së dhe Komisionit, por e kishte bërë hesapin pa hanxhinë. Një gabim prej fillestari, sepse vetëm ministrat vendosin për paratë. Një ditë më vonë në njoftimin për shtyp në mesditë në Bruksel Komisioneri i BE-së, Valdis Dombrovskis, përgjegjës për Euron, iu përmbajt përsëri linjës zyrtare: Eshtë fjala për zgjatjen e programit aktual me respektimin e detyrimeve, që përmban ai. Asnjë fjalë për financimin e lirë të buxhetit grek përmes kredive të reja. "Ne duhet ta kemi një herë në letër, atë që na kërkon qeveria greke. Varet nga përzgjedhja e saktë e fjalëve". Dhe për ato po punohet ndërkohë në Athinë. Nga ana tjetër vonesa e mëtejshme mund të jetë edhe pjesë e taktikës. Fundja ne nuk lejojmë që të na vihen ultimatume nga BE, theksoi kryeministri Cipras.
Edhe qeveria greke është e vetëdijshme se koha nuk pret. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble e kishte bërë të qartë në raundin e dytë të bisedimeve të dështuara: "Më datën 28 në orën 24:00 përfundon afati, ist over!" Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja për programin e ndihmës, pagesat do të ndërpriten. Dhe kushtet e Eurogrupit janë të qarta: Greqia duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me trojkën, me përfaqësuesit e donatorëve, edhe nëse këta në të ardhmen do të quhen "institucione". Athinës i duhet që edhe në të ardhmen më shumë të marrë se sa të japë. Qeveria Cipras nuk lejohet që t'i vërë në diskutim objektivat e reformës përmes masave të njëanshme, ndërkohë kryeministri Cipras ka njoftuar për të premten një paketë të re sociale në parlament. Dhe së fundi Greqia duhet të garantojë, se do t'i paguajë të gjitha borxhet.
Ky katalog përmban gjëra të papërtypshme për Athinën: Sidomos në lidhje me kontrollin dhe vazhdimin e reformave të parashikuara. E qartë është megjithatë se ministrat e Financave të Eurogrupit nuk do të mblidhen menjëherë në bazë të letrës nga ana greke. Fillimisht kërkesa do të shqyrtohet nga ekspertët. E diskutueshme si dhe më parë mbetet, nëse do të jepen edhe shifra dhe propozime konkrete, që arsyetojnë kreditë e metejshme për Greqinë. Sepse ankesa kryesore e ministrave deri tani ka qenë: Përveç formulimeve të mjegullta nuk kemi asgjë mbi tryezë. Vetëm kur Yanis Varoufakis të kryejë detyrën e tij si ministër i Financave dhe të ofrojë fakte dhe kushte konkrete, atëherë mund të vazhdohet të negociohet.
“DW”