Tufa: Këngëtarët kundër Hiskut? Xhelozë që nuk ishin femra, të përdhunoheshin”

 

Kush e di se sa herë ato kanë mërmëritur nën zë “gurit të varrit ia rrëfefsha”. Histori të errëta, të dhimbshme, një njollë faji e pa faj dhe turpi, sepse ishin bija e një të dënuari e një “të deklasuari”, por edhe sepse ishe e bukur, ishe aq dinjitoze sa të mos i jepeshe punonjësit të Sigurimit të Shtetit që vinte vërdallë si “skifter”… Ky ishte fati i vajzave në vitet e diktaturës, sidomos atyre me “kleçka” në biografi, por edhe nëse nuk e kishe një të tillë, gjithçka mund të vlente për të të damkosur.

Pikërisht këtyre vajzave dhe fateve të tyre shkrimtari Agron Tufa u ka dedikuar romanin e tij më të fundit, titulluar pikërisht si ajo pëshpërimë, “Gurit të varrit ia rrëfej”. Një roman i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, e që na vjen i strukturuar në formën e një rrëfimi, që një vajzë me emrin Lirika Mërtiri i drejton djalit që e deshi e që e humbi në një aksident.

Duke u konceptuar në formën e një rrëfimi, autori hyn në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor, te mendimet e tij më të thella, përjetimet. Shpesh ai vjen i vrazhdë, sepse e vërteta shpesh është e pabukur. Në këtë roman ndërkallen dy rrëfime, ai i Lirikës, një studente e bukur, por me një fëmijëri të dhimbshme, e përdhunuar fizikisht e shpirtërisht nga mësuesi i letërsisë, për të pësuar të njëjtën dramë teksa përpiqej të arratisej drejt Italisë gjatë eksodit të madh. Ndërsa rrëfimi i dytë është ai i një këngëtareje, që autori e ka quajtur Rita O., e cila u dënua sepse nuk pranoi të shkonte në shtrat me një oficer të lartë Sigurimi, që në libër na vjen me emrin Hetem Gj.

Ky roman i Tufës rezonon me debatin e këtyre muajve të fundit mbi karrierën e këngëtareve gjatë viteve të diktaturës, raportet që ato mund të kishin me ish-shefa të Sigurimit, por edhe me një intervistë të dhënë nga këngëtarja Alida Hisku, e cila tregonte se si përdhunoheshin femrat nëpër burgje.

I ftuar në studion e emisionit të mëngjesit “Wake Up”, në “Top Channel”, shkrimtari për herë të parë rrëfeu dje të vërtetat e librit të tij. Sipas tij, ky roman mbështetet në “disa dhjetëra-qindra biseda të regjistruara në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Rrëfimet e femrave që kanë kaluar këtë kalvar janë të papërballueshme psiqikisht. Ato të bëjnë të ngrish gur; si është e mundur të kenë ndodhur këto? Por nga njëri rrëfim në tjetrin sheh se kanë një universale të përbashkët të gjitha këto histori reale.

Kupton se ka qenë si një procedurë, edhe kolegët e mi që merren me këtë sferë kanë zbuluar të njëjtën gjë. Këtyre femrave u është rezervuar një fat i trishtë, një fat i zi me qëllim që ato të thyhen. Nuk po flas vetëm për atë pjesë të tyre që quheshin si klasa të përmbysura, të deklasuarat që i takonte fati të lindnin të bukura etj., të cilat se s’bën do të implikoheshin ose do t’u krijonin një diagramë të posaçme për t’i nënshtruar, por edhe për femra të tjera që shkëlqenin me një hijeshi dhe dhunti që u kishte dhënë natyra”, është shprehur Tufa.

Për sa i takon debatit që nxiti intervista e këngëtares Alida Hisku, jo shumë kohë më parë, shkrimtari thotë se “nëse dikush preferon se përpara rrasës së varrit t’ua thotë të gjallëve, ky është problem i njerëzve të gjallë. Por unë mendoj se debati që nisi nga rrëfimi i këngëtares Alida Hisku ka qenë vetëm një pjesë e vogël e së vërtetës. Dhe për turpin e tyre prostitutat që u janë nënshtruar burgjeve refuzuan një ndër të vërtetat më rrëqethëse të asaj kohe. Debati përfshiu shumë zëra, kanë folur shumë, por për ironi të fatit nga këta zëra dy meshkuj pretendojnë se nuk ka pasur përdhunime.

Ata duhet të kenë qenë xhelozë që nuk qenë gjatë gjithë kohës femra dhe nuk vuri dorë kush mbi ta, por mbi Alida Hiskun, ose përndryshe nuk ka shpjegim ky mohim. Duhet pasur kurajë të rrëfehet e vërteta”.

SHKARKO APP