Turizmi, ja si ka ecur në tre vjet

Treguesit në sektorin e turizmit që kanë lidhje me vizitorët, investimet, të ardhurat dhe të punësimin  janë në rritje të qëndrueshme në tre vitet e fundit, por perspektiva afatgjatë rrezikohet nëse qeveritë shqiptare nuk i japin një model serioz zhvillimit të sektorit.

Numri i vizitorëve të huaj është rritur në mënyrë të ndjeshme përgjatë viteve, sidomos pas 2011. Në vitin 2015, Shqipëria priti 3.9 milion vizitorë, 71% më shumë se në vitin 2010.

Sipas të dhënave paraprake, gjatë tremujorit të parë të 2016, numri total i vizitorëve të huaj është rritur me 5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Vizitorët nga Anglia, Kroacia dhe Bullgaria shënuan rritjen më të madhe ndër vendet e Europës, së bashku me tregjet kombëtare fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Nga një këndvështrim financiar, të ardhurat nga turizmi kanë pasur një trajektore pozitive, pavarësisht luhatjeve. Pas një rënie në vitet 2012 dhe 2013, të ardhurat shënuan një rritje të konsiderueshme në 2014 dhe 2015.

Faktori kryesor i rritjes së të ardhurave neto ka qenë rritja e numrit të vizitorëve të huaj, ndërkohë që rritja e shpenzimeve të shqiptarëve të cilët kanë udhëtuar jashtë ka ndikuar negativisht.

Sipas të dhënave të bilancit të pagesave, të ardhurat neto nga turizmi u rritën nga 148 milion Euro në 235 milion Euro në vitin 2015.

Ky trend vazhdoi edhe gjatë tremujorit të parë të 2016, me një rritje të të ardhurave neto prej 52% në terma vjetorë.

Ministria e Ekonomisë raporton se në sektorin e turizmit janë të punësuar 51 mijë persona më 2015 ose 1500 më shumë se një vit më parë. Vendet mesdhetare e kanë turizmin si sektorin që sjell më shumë të ardhura, por Shqipëria vijon të ofrojë shërbime të pastandartizuara . Bukuritë natyrore dhe çmimet e ulta janë oferta konkurruese në krahasim me fqinjët, por këto nuk garantojnë një ofertë të qëndrueshme turistësh ne periudhë afatgjatë.

te ardhurat nga turizmi

SHKARKO APP