Turqia, porta ku përplasen Perandori dhe Qytetërime

Nga Marjana Doda -Në qoftë se që në lashtësi miti i ” Kalit të Trojës” mbeti si një legjendë deri në kohët më moderne, tashmë Turqia, e konsideruar para një shekulli si e “Sëmura e Bosforit” është shndërruar sërish si “porta magjike” e Orientit për në Europë. Gjithçka është e mundur, po të mendosh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Dikur, Turqia e vjetër, e njohur si Perandoria Osmane e themeluar më 1299, për mëse 7-të shekuj shtriu pushtetin e saj nga Afrika Veriore, Lindja e Afërt, Kaukaz e Europë, duke pushtuar vende të tilla si; Siri, Egjipt, Arabi, Algjeri, Tunizi, Armeni, Austri, Hungari, etj. Ku veç të tjerave kërkoi të përhapë dhe kulturën e saj drejt Oksidentit. Përveçse të formuarit dhe fuqizimit si perandori ajo u favorizua në pushtimet e saj dhe si rezultat i pozicionit gjeografik për tu lidhur nga Azia e Vogël me Gadishullin e Ballkanit në Europë nëpërmjet Ngushticës së Bosforit, aty ku bashkohet Deti i Zi me Mesdheun.

Turqia sot është e kufizuar nga një varg vendesh si Greqia, Bullgaria, Gjeorgjia, Armenia, Azerbajxhani,  Irani, Iraku, Siria. Gjithë luftërat e pushtimet e Perandorisë Osmane me ato Europiane, përveçse interesave politike dhe ekonomike për shtrirjen e saj kishte dhe interesa me ndikime fetare. Përhapja e islamit dhe islamizimi u realizua gjatë pushtimeve veç të tjerave dhe kundrejt ofiqeve për ti bërë bejlerë e pashallarë me qëllim nënshtrimin e popujve dhe islamizimin e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

 Ndër vendet që u përballen dhe nuk pranonin influencën apo shtrirjen e pushtimeve osmane, fillimisht ka qenë Rusia, më pas Austria dhe një varg vendesh të tjera. Në vazhdën e këtyre luftërave,  lufta me Rusinë me 1723 ishte si rezultat i interesit gjeostrategjik i kësaj të fundit, e cila  donte të dilte në Detin e Zi, ku si shkak shërbyen sulmet e tatarëve myslimane të Krimesë në territorin e Rusisë. Më 1737 aleate e Rusisë bëhet dhe Austria, gjë që bëri që në këtë periudhë Ruset të marrin Krimenë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Lëvizjet kundra osmane fillojnë dhe në një varg shtetesh tjera, kjo tashmë në kuadrin e zgjimit kombëtar, por dhe të ruajtjes së identitetit fetar. Në nëntor 1910 Rusia i shpalli luftës Perandorisë Osmane në mbrojtje të krishterëve, sidomos në Ballkan, duke ngritur grekët, serbët, bullgarët e malazezët, por nuk pati ndonjë sukses, megjithëse këto vende bënë aleancë kundra Turqisë, me përjashtim të Shqipërisë,e cila i doli kundër.

Në vorbullën e këtyre ngjarjeve dhe konflikteve Ruso-Turke, në tetor 1914 anijet luftarake turke qëllojnë portet ruse, gjë e cila bëri që të dy vendet të hyjnë në luftë por tashmë dhe me përkrahjen e Austrisë bëri që sundimi osman të lëkundet në Europë. Në këto kushte, në nëntor të 1914 Sulltan Mehmeti, duke e konsideruar veten si “Pasardhës të Profetit Muhamed”, bëri thirrje për Luftë të Shenjtë për të shpëtuar rrënimin e tij, por nuk gjeti përkrahje as nga popujt arabe, që gjithsesi dhe ata ishin nën pushtimin e tij.

Meqenëse Perandoria Osmane  ishte dobësuar e kalbëzuar në Europë nga fuqitë Europiane, përfshirë këtu dhe vende të tilla si Franca, Britania e Madhe dhe Rusia ,tashmë këto vende filluan të debatojnë me njëra tjetrën për të marrë pjesët e mbetura të kësaj perandorie. Dhe pse këto ngjarje u rrokullisen deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ndër vendet potenciale Europiane që nuk i dolën hapur kësaj perandorie ishte Gjermania ,e cila do të tregohej indiferente e nuk reagoi  as ndaj gjenocidit osman kundër pakicës armene, ku u vranë rreth 1.5 milion njerëz. Pas dëbimit të osmaneve nga Europa dhe të pretendimeve greke për tu shtrirë deri në Izmir, në Turqi shfaqet Mustafa Kemal Pasha ( Ataturku), i cili u vendos në krye të nacionalisteve. Ai  dëboi grekët në vitin 1922  nga Azia e Vogël, vit në të cilin përfundon dhe sundimi i sulltanatit. Më 1923 Ataturku zgjidhet President dhe një vit më vonë Kalifati shpallet i pavlefshëm. Ai ndërmerr reforma në bazë të zhvillimeve Europiane, dhe këtu fillon ajo që quhej periudha e Turqisë moderne. Për fanatikët dhe ekstremistët e fesë islame ky njihet si momenti kur feja e tyre humbi pushtetin e dëshiruar për tu përhapur në tërë botën, të cilët më pas dhe sot e kësaj dite i kanë vetes si qëllim për t’u organizuar e përkushtuar kësaj kauze për të bërë të mundur ri ngritjen e perandorisë islame edhe pas një shekulli. Dhe pse gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk duket ndonjë rol i veçantë i Turqisë ( me përjashtim se i shpalli luftë Gjermanisë në vitin 1945 kur luftës i kishte ardhur fundi), ajo do të ketë një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Ftohtë. Gjatë kësaj periudhe, ku krijohen dhe dy blloqet më të fuqishme ushtarake mes Lindjes dhe Perëndimit, Traktati i Varshavës dhe NATO-os, me 1952 Turqia behët pjesë e kësaj të fundit, ku veç interesave të saj, ajo do të shërbente dhe si një mjet që do të bllokonte ndonjë ekspansion sovjetik në vendet perëndimore, dhe kjo ndodhte se ajo kontrollon “Ngushticën e Bosforit”.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, Turqia mbeti sërish pjesa më e rëndësishme e Aleancës së Atlantikut  te Veriut, jo thjesht për potencial ushtarak por dhe të interesave gjeostrategjike të Perëndimit në Rajonin e Mesdheut, ku sigurisht çdo ditë e më shumë Turqia po fiton terren dhe po del gati si fuqi përcaktuese në këtë rajon. Zhvillimet dhe pasojat e “Pranverës Arabe” dhe konflikteve në rritje në këtë rajon, i kanë dhënë dhe po i jep mundësi Turqisë të predominojë dhe të zhvillojë politikat e saj gjeostrategjike dhe gjithëpërfshirëse. Ajo po tregon rol kryesor në zhvillimet e Lindjes Mesme, në Siri, Iran, Irak, aty ku ndërthurën e kanë interesa fuqitë e mëdha botërore. Duke qenë në NATO, por  më shumë  si rezultat i interesave të saj, ajo është përfshirë në koalicionin kundër ISIS, pasi sipas saj  i cenohen kufijtë territoriale. Megjithatë  pjesëmarrja në këtë luftë është dhe një goditje që ju bën me këtë rast jo vetëm bazave të ISIS por dhe atyre Kurde që ajo i konsideron si një rrezik dhe si organizatë terroriste, pasi forcimi i kurdëve dhe mundësia e organizimit të tyre për të krijuar shtet në Siri ose Irak do ti krijonte rrezik potencial në përkrahje të kurdëve të Turqisë. E ndodhur në kufijtë e vendeve në konflikt apo si rrezik për Perëndimin, si Irak, Siri, Iran, ajo ka përforcuar pozitat në NATO dhe në marrëdhëniet me fuqi të mëdha si; Francë, Angli, SHBA, dhe kjo vetëm për interesat e saj në Rajon, pasi nëse i cenohen interesat si brenda dhe jashtë territorit Turqia reagon negativisht dhe ndaj aleatëve, siç ndodhi një ” ftohje” dhe në marrëdhëniet me Amerikën në vitin 2003 ( Turqia përndjek egërsisht përkrahësit e turkut Fetulla Gylen që strehohet në SHBA).

Konflikti në Siri, jo vetëm e ka shndërruar këtë vend në tokë të djegur, por dhe si një arenë ku po përplasen dhe po “vringëllojnë” armët nga fuqitë e mëdha. Mbi Siri dhe popullin sirian po përplasen fuqi dhe interesa të këtyre vendeve që po i tregojnë muskujt njëra-tjetrës. Incidenti i rrëzimit të avionit rus ishte ngacmimi që gati sa nuk ndezi konfliktin e një zjarri me pasoja të pallogaritshme për Mesdheun e më gjerë. Dhe kjo ndodhi pasi Turqia për shkak të interesave dhe aleancave të saj dëshiron  të dërgojë mesazhe sikur çdo gjë kalon nëpërmjet saj dhe ndoshta ka të drejtë. Ajo çfarë të bën të mendosh kështu, është fakti se Turqia nuk niset thjesht nga interesat e Perëndimit, më shumë se sa interesat e saj gjeopolitike, gjeo-ekonomike, gjeo-kulturore apo fetare që ka në zgjerimin e influencave të saj në Rajon, dhe sidomos në Ballkan, Kaukaz e më gjerë dhe kjo po të kemi parasysh periudhën e lavdisë kur ishte perandori dhe që sërish mbetet një ëndërr për tu realizuar prej saj. Tashmë për Turqinë duket sikur po fryjnë erërat e perandorisë së dikurshme, jo me shpata e pushkë por me forma më të moderuara. Ajo po investon me një strategji bashkëkohore të një mentaliteti të vjetër. Në vende me popullsi myslimane, si Bosnje, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, etj. Në kuadrin e “vëllazërimit” ajo po investon shumë në fusha të ndryshme, si në ekonomi, sistemin bankar, arsimim, influencim politik, etj.

Dhe pse regjimi aktual turk po tregon ashpërsi dhe ndaj kundërshtarëve politike brenda vendit, aq sa dhe fuqia e njohur e gjeneralëve të ushtrisë tashmë nuk po ndihet më. Kanë filluar të fyejnë erërat e neotomanizmit me arkitekt  Kryeministrin Ahmet Davutoglu i cili bën thirrje për “vëllazëri myslimane” ashtu si Sulltan Mehmeti para 100 vitesh që bëri thirrje për Luftë të Shenjtë. Nuk mund të thuash thjesht se Turqia është prezentë vetëm në Rajonin e Ballkanit pasi ajo është prezentë me miliona turq në Gjermani e vende tjera Europiane që po ndërtojnë ekonomitë e bizneset  e tyre, po përhapin kulturën e tyre dhe mbi të gjitha fenë e tyre e cila është themeli i bazë në zhvillimet e otomanizmit turk. Konfliktet në Lindjen e Mesme dhe sidomos ai në Siri, po i jep rëndësi dhe rol përcaktues të asaj dhe mbi te gjitha interesat që ajo vetë ka. Tashmë nga porta e Bosforit çdo ditë kalojnë me mijëra refugjatë siriane dhe jo vetëm rendin për në Europë, gjë e cila bën që ajo të fitojë përkrahjen e popujve të vendeve të Rajonit të Lindjes së Mesme që po i ndihmon në këto ditë të vështira. Në qoftë se një ditë Bashar Al Asad do dënohet për krime kundër njerëzimit, Rexhep Taip Erdogan do të konsiderohet si përkrahësi myslimaneve dhe përhapësi i Islamit kudo nëpër botë.

Përdorimi i fesë islame për të arritur objektiva politike me anë të forcës ushtarake jo vetëm në Siri, por pse jo edhe në Ballkan po kthehet në një premisë që nxit dhunë e përçarje jo vetëm fetare por edhe racore dhe midis popujve me përkatësi fetare të ndryshme, që deri dje Turqinë e shihnin si një shtet që qëndronte larg konflikteve si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në rajone të tjera, si Ballkani.  Dyndja më e padëgjuar ndonjëherë e refugjateve nga vendet arabe për në dyert e Europës nëpërmjet portës së Bosforit do mbetet histori më vete. Po të kemi  parasysh “vëllezërit mysliman”  që u islamizuan që nga periudha e pushtimeve osmane, emigrimi ndër vite i myslimaneve nga vende arabe dhe sidomos dyndjet më të fundit nga vendet në konflikt në Lindjen e Mesme, pse jo dhe shtimit në progresion gjeometrik të kësaj popullsie që e konsiderojnë të rëndësishme për shtimin e familjes, ndoshta do të vijë një dite që vështirë të thuhet se Europa është e Europianëve. Vështirë është teksa do mendojnë se hapen dyert e bujarisë, ku u futën biznesmenë e bankierë, fondacione e shoqata fetare,  por për fat të keq futën në shtëpi dhe keqbërës të kategorive të ndryshme dhe që të gjithë thuajse erdhën nga porta e Bosforit.

Ndoshta një ditë duke qenë se Turqia aspiron dhe për t’iu hapur dyert e Bashkimin Europian do të thotë: “Europë ja ku ja erdha sërish si dikur “. E gjithë kjo, duket sikur kalon nëpërmjet portës “magjike” të Bosforit, aty ku gjithmonë janë përplasur fuqi, kultura dhe qytetërime.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?