“U shkel vija e kuqe me Klevis Balliun”, Strazimiri: Ç’do bëjmë nesër
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 tha se nesër kur pritet masa e sigurisë për ish-deputetin e arrestuar një ditë më parë, Klevis Balliun, qeveria do marrë përgjigjen e merituar.
Ai tha se ashtu si arrestimi, edhe vendimi i gjykatës për të do të jetë politik.
“Qeveria do marrë përgjigjen e merituar, kanë shkelur vijën e kuqe. Balliu u arrestua për motive të pastra politike, ashtu do jetë edhe vendimi për të”.
Sipas tij është absurde që dy prej të arrestuarve si pjesë e grupit ‘Bajri” u lanë sot të lirë ndërsa një ish-deputet, një përfaqësues i popullit arrestohet.
“Do marrim masat e duhura për këtë qeveri që shkakton të tilla skandale. Çfarëdo që të ndodhë nesër vendimi do jetë politik, do jemi atje me shumë qytetarë. Do mbështesim Balliun, do ju japim përgjigjen që meritojnë”,- vijoi ai.
Sa për protestën e 11 Majit, Strazimiri tha se nuk ka ndonjë skenar specifik. “Do zhvillohet njësoj si të tjerat populli do dalë në rrugë për të drejtat e mohuara nga kjo qeveri”,- shtoi ish-deputeti.
Klevis Balliu u arrestua një ditë më parë nga policia e Tiranës së bashku me 3 persona të tjerë, pasi ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama që do të vizitonte një biznes në zone. Ish-deputeti demokrat u përplas gjatë protestës me efektivët blu, kur këta të fundit filluan të shoqëronin banorët që kishin bllokuar rrugën. Balliu u shoqërua me furgonin e policisë për t’u dërguar në Komisariatin 6 dhe më pas në drejtorinë e policisë së Tiranës ku iu komunikua arrestimi. Klevis Balliu do të dalë nesër në gjykatë për masën e sigurisë me akuzat për “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.