Udhëtim drejt një Bregdeti të Pastër

 

Entela Binjaku*

Lëvizja “Ta Pastrojmë Shqipërinë” është padyshim në një ndër lëvizjet vullnetare të afirmuara në vendin tonë. I mbështetur mbi një kauzë të rëndësishme sic është ajo e pastrimit të mjedisit, kjo lëvizje synon që në një ditë, të mbledhë pranë, qytetarë të ndryshëm të vendit, të cilët pavarësisht angazhimive të ndryshme në përditshmëri, mjedisi i afron dhe i bashkon në një të vetëm.

 

I filluar në fundvjeshtën e vitit 2013, nisma u konkretizua dhe ka lënë gjurmën e vetë thuajse në në të gjithë vendin. Mjaft të pohosh sloganin e saj dhe reagimi është i shpejtë dhe tregon shkallën e njohjes së kësaj fushate e cila ka shkuar falë sensibilizimit mediatik thuajse në çdo shtëpi shqiptarësh.

Kjo fushatë nisi mbi nevojën për të kthyer sytë drejt hapësirës ku jetojmë, ku mjedisi shfaqet si të jetë tërësisht në mëshirë të aktorëve që më shumë e vështrojnë atë nga larg, sesa i përkushtohen së afërmi, si detyrim i marrë përsipër.

Nevoja e pandërprerë për një mjedis të pastër, bëri që sot “Udhëtimi i Gjelbër” të nisë për herë të katërt.

Nën sloganin “ Udhëtimi drejt një Bregdeti të Pastër”, kjo fushatë sensibilizuese e organizuar nga aktivistë të afirmuar tashmë, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe adresimin e problemeve që ka mjedisi në të cilin të gjithë jetojmë e pjesë e të cilit jemi.

Këtë vit fushata është menduar të zhvillohet nga data 11 Maj – 21 Maj, kohë gjatë së cilës një grup vullnetarësh do të udhëtojnë për dy javë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Muaji maj

në të cilin kemi hyrë prej disa ditësh, përkon edhe me çeljen e sezonit turistik dhe një nismë e tillë do t’i sillte vendit një shërbim të rëndësishëm në terma të pastrimit duke ndërruar tashmë edhe pamjen karakteristike të një mjedisi, ku rrallë “vihet dorë”.

Nisma përsëritet për herë të katërt dhe synon t’u tregojë qytetarëve që zakonisht ndodhen në pozitat e vëzhguesit se që aksionet në dobi të shoqërisë të kenë sukses, ato kanë nevojë të mbështeten dhe të gjejnë solidaritet. Kur gjejnë solidaritet, kanë prirjen të përsëriten, dhe kur përsëriten kthehen në pjesë të edukimit shoqëror me një nga vlerat e qytetarisë.

Nismat e mëparshme kanë treguar se kur ndryshimi është i prekshëm dhe kur ndikon në cilësinë e jetës së gjithëkujt është i mirëpritur dhe gjen shpejt mirëkuptim në terren.

Këtë vit fushata synon të sensibilizojë qytetarë jo vetëm në komunat bregdetare por edhe tek ata që jetojnë në zonat liqenore të vendit, si në Kukës ashtu dhe Pogradec.

Aktivistët e kësaj fushate kanë përfshirë në kalendar takime të tipit “open air” nëpërmjet të cilave synojnë të ftojnë qytetarët të ndërgjegjësohen për aspektet mjedisore të cilat duhet të jenë në qëndër të shqetësimit të të gjithëve.

Takimi i parë u zhvillohua në Shkodër, në orën 13:00 te zona e njohur si “Pedonalja”.

“Udhëtimi i Gjelbër 4” do të shoqërohet me një seri aktivitetesh gjithëpërfshirëse që do të jenë në shkolla, gjimnaze dhe universitete për të diskutuar me të rinjtë dhe mësuesit për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, kontributit në komunitet dhe vullnetarizmit.

Të tjera organizime do të jenë takime të hapura, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë që lidhen drejtëpërdrejtë me çështje të edukimit apo që kanë në qendër kujdesin ndaj mjedisit duke përfshirë drejtoritë Rajonale Arsimore, Institucionet dhe Agjencitë Rajonale, qytetarë të ndryshëm, organizata të Shoqerisë Civile, përfaqësues të mediave, komuniteti i biznesit, vullnetarë të ndryshëm etj.

Temat kryesore të ketyre takimeve do të kenë në fokus aksionin “Të Pastrojmë Bregdetin – 22 Maj”, rolin e shoqërisë civile në komunitet, edukimin mjedisor, kontributin në komunitet, vullnetarizmin, angazhimin e të rinjve, mirëqenien sociale, rolin e pushtetit vendor në mbrojtjen e mjedisit, turizmin e qëndrueshëm, përgjegjësinë sociale, roli i Mass-Medias në rritjen e ndërgjegjësimit për çështjet e mjedisit. Me qëllimin e rritjes së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe aksionin e pastrimit, antarësimin e vullnetarëve të rinjë është menduar të organizohen edhe aktivitete argëtuese dhe informuese në qëndrat e qyteteve.

Si një ndër partnerët më të rëndësishëm në këtë fushatë, Media nuk do të mbetej jashtë ftesës për t’u përfshirë. Pjesëmarrja në debate në mediat kombëtare dhe lokale (Radio & Televizione) do të nxiste dhe do ta ngrinte nivelin e ndërgjegjësimit në një shkallë tjetër.

Është e kuptueshme që kjo fushatë e përsëritur sensibilizimi, ku çdo vit i paraqitet përmes risive qytetarëve duke i ftuar të jenë aktivë dhe të përfshirë në kauza të përbashkëta, nuk do të kishte pasur mundësinë e nisjes dhe të vazhdimësisë pa mbështetjen e të gjithë aktorëve që falë kontributit të tyre i kanë çelur rrugën një aksioni që sjell të mira dhe përftime për të gjithë. Mbështetësit që kanë kuptuar dhe përkrahur këtë nismë u kanë dhënë tre fushatave të mëparshme suksesin dhe garancinë për një “Udhëtim” të katërt. Ai sapo ka nisur… le ta përkrahim dhe ta mbështesim me të gjithë angazhimin si qytetarë të emancipuar dhe të shqetësuar për mjedisin dhe vendin tonë.

 

*Ambasadore e lëvizjes “Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë”, Sociologe.

SHKARKO APP