Udhëzimi i ri për TVSH-në, rregullat për sipërmarrjen

Duke nisur nga data 1 janar e këtij viti, ndaj sipërmarrjes shqiptare ka nisur zbatimi i efekteve financiare që rrjedhin nga aplikimi i rregullave të reja për taksimin me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Dhe kjo, falë një udhëzimi të ri të hartuar nga ministria e Financave, i cili në fakt ende nuk është zyrtarizuar përmes publikimit në Fletoren Zyrtare, por që realisht ka hyrë në fuqi nga fillesa e këtij viti. Ja cilat janë përcaktimet e reja të tij për të gjithë procedurën e ndjekur deri më tani nga ana e biznesit privat mbi pagesën e TVSH-së:

 

Kush taksohet me TVSH?

Sipas këtij ligji tatohen me TVSH: a) Furnizimet e mallrave të kryera kundrejt pagesës nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë; b) furnizimet e shërbimeve të kryera kundrejt pagesës nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë; dhe c) importet e mallrave. Ku një nga kriteret që duhet marrë parasysh përsa i përket zbatimit të TVSH-së është vendi ku kryhet transaksioni. Për të përcaktuar vendin e furnizimit, për pasojë vendin ku zbatohet TVSH-ja, duhen dalluar: a) vendi i furnizimit të mallrave dhe /ose b) vendi i furnizimit të shërbimeve. Dhe nëse vendi i furnizimit nuk është në Shqipëri, atëherë furnizimi i mallit ose shërbimit nuk është objekt i aplikimit të TVSH-së. Gjithashtu, që një transaksion të konsiderohet në fushën e zbatimit të TVSH, duhet të ekzistojë një lidhje e drejtpërdrejtë mes furnizimit të kryer dhe kundërvlerës (pagesës) së marrë. Për të provuar lidhjen e drejtpërdrejtë duhet të verifikohen kushtet e mëposhtme, të cilat duhet të plotësohen njëkohësisht: a) Avantazhi që transaksioni i sjell klientit, pra nëse klienti ka marrë një furnizim të drejtpërdrejtë ose të individualizuar ose jo. b) Çmimi, pra nëse ky çmim ka lidhje me avantazhin e marrë prej klientit ose jo. Gjithashtu, është i detyruar t’i nënshtrohet regjimit normal dhe të regjistrohet për TVSH-në, çdo person fizik apo juridik që kryen importe të mallrave qarkulluese, pavarësisht qarkullimit të realizuar apo qarkullimit të pritshëm. Përjashtohen nga ky rregull personat e tatueshëm që realizojnë ose parashikojnë të realizojnë qarkullim nën kufirin minimal të regjistrimit dhe importojnë mallrat e grupit AQT të tilla si: makineri dhe pajisje pune, instalime teknike, makineri e pajisje energjetike, instrumente e vegla, mjete transporti, mobilie e orendi zyrash, pajisje zyrash e informatike, mallra që përdoren në funksion të veprimtarisë ekonomike, dhe jo për t’u tregtuar.  Gjithashtu, nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së personat e tatueshëm që kryejnë eksporte, qarkullimi i të cilëve është nën kufirin minimal të regjistrimit të TVSH-së. Nga ana tjetër, nuk detyrohet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohen regjimit normal për TVSH-në, çdo organizatë jofitimprurëse që nuk kryen veprimtari ekonomike, pra kur përfitojnë pagesa nga kuotizacionet, nëse kanë të tilla, ose fonde, grante, donacione të përfituara për qëllime të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, në përputhje me ligjin për organizatat jofitimprurëse. Nëse këto organizata përfitojnë pagesa si rezultat i veprimtarisë ekonomike, janë të detyruar të regjistrohen, përveç kur përcaktohet ndryshe në ligj apo në aktet nënligjore të tij. “ Çdo person i cili plotëson kriteret për t’u regjistruar si person i tatueshëm për TVSH-në dhe nuk është regjistruar, e as ka kërkuar të regjistrohet për TVSH-në, regjistrohet në Janar, 30 , 2015”, sqaron gjithashtu udhëzimi në fjalë.

 

Çregjistrimi nga TVSH-ja

Çdo person i tatueshëm i regjistruar në regjimin normal të TVSH-së, ka të drejtë të kërkojë të çregjistrohet nga TVSH, në rastet e mëposhtme: a) Kur personi i tatueshëm mbyll veprimtarinë e tij ekonomike. b) Kur personi i tatueshëm ka plotësuar kushtet dhe procedurën për t‟iu nënshtruar regjimit të bizneseve të vogla, siç përcaktohet në këtë udhëzim.) Kur personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në nuk ka qenë asnjëherë i detyruar të jetë i regjistruar dhe as nuk e ka ushtruar vullnetarisht të drejtën e zgjedhjes për t’u regjistruar për TVSH-në. Ky person çregjistrohet në momentin kur konstatohet që as ka qenë i detyruar dhe as nuk e ka ushtruar vullnetarisht të drejtën e zgjedhjes për tu regjistruar për TVSH-në.

 

Organizatat jofitimprurëse

Në kuadër të veprimtarisë jofitimprurëse që kryejnë organizatat jofitimprurëse të tilla si: shoqatat, fondacionet, qendrat, të cilat e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti, nuk përfshihen në regjimin e TVSH-së, duke ditur se përcaktues për të konsideruar një organizëm si person të tatueshëm për TVSH-në, është pikërisht kryerja e një veprimtarie ekonomike në mënyrë të pavarur. Ndërsa në rastin kur një organizatë jofitimprurëse përfiton pagesa si rezultat i veprimtarisë së saj ekonomike, pavarësisht nëse kjo veprimtari nuk është veprimtari kryesore e saj, për qëllime të TVSH-së kjo organizatë është person i tatueshëm dhe transaksionet që ajo kryen janë në fushën e zbatimit të TVSH-së si furnizime të tatueshme, përveç nëse janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja, siç është përcaktuar në ligj.

 

LISTA

Aktivitete të tatueshme që

kryhen nga organe publike

– Shërbimet e telekomunikacioneve.

– Furnizimi me ujë, gaz, energji elektrike dhe termike.

– Transporti i mallrave.

– Kryerja e shërbimeve portuale dhe aeroportuale.

– Transporti i personave.

– Shitjet e mallrave të reja, të prodhuara për shitje.

– Veprimet e organizmave bujqësorë të ndërhyrjes, lidhur me produkte bujqësore, të kryera në zbatim të rregulloreve mbi organizimin e përbashkët të tregjeve të këtyre produkteve.

– Menaxhimi i panaireve dhe i ekspozitave me karakter tregtar.

– Shërbimi i magazinimit.

– Veprimtaritë e zyrave të publicitetit tregtar.

– Veprimtaritë e agjencive të udhëtimit.

– Menaxhimi i shitjeve, i kooperativave, i mensave të ndërmarrjeve dhe të ngjashme.

– Menaxhimi i enteve radio-televizive.

 

ZËRAT

Kartat me parapagim

Operatorët kryesorë të telekomunikacionit dhe operatorët kryesorë të transmetimeve televizive tokësore dhe satelitorë, llogarisin dhe paguajnë TVSH për vlerën e plotë të kartave të parapaguara, ose të kodeve tarifore/ paketave tarifore të telekomunikacionit/abonime transmetimi televizive me parapagesë, që ata u furnizojnë distributorëve të tyre. Furnizimi i këtyre kartave, ose kohës bisedore nëpërmjet kodeve tarifore ose paketave, ose abonimeve të transmetimit televiziv, nga distributorët nuk është objekt i aplikimit të TVSH-së, pasi TVSH-ja është aplikuar për çmimin përfundimtar nga operatori kryesor që furnizon shërbimin e telekomunikacionit ose shërbimin e transmetimit televiziv.

Furnizimi i cigareve

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për cigaret paguhet tërësisht nga “Furnizuesi kryesor” në “Furnizimin e parë” Furnizuesi kryesor e llogarit TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të bazuar në çmimin me pakicë për çdo furnizim të kryer. Pra, vlera e tatueshme e çdo furnizimi, të kryer nga furnizuesi kryesor për të tretët, përcaktohet si produkt i sasisë së cigareve të shitura, me çmimin e shitjes me pakicë, pa përfshirë TVSH-në. Furnizuesi kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur.

Punimet në ndërtime

Punimet në pasuritë e paluajtshme si operacionet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit, si dhe mirëmbajtjes, janë furnizim shërbimi në kuptim të ligjit të TVSH-së. Duke u cilësuar si furnizime të tatueshme për TVSH-në. Ndërtimi përcaktohet si çdo operacion që ka për rezultat përfundimin tërësor ose pjesor të një ndërtese të re ose substancialisht të ndryshuar. Mirëmbajtja përcaktohet si çdo operacion i kryer mbi tokë ose në ndërtesë, për të parandaluar degradimin ose dëmtimin dhe për t`i mbajtur tokën dhe ndërtesat me pamje të mirë dhe rregull funksionimi, duke përfshirë pastrimin.

Furnizimet me energji

Furnizimet me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje të tatueshme në vendin ku ndodhet blerësi Furnizimet me gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje për qëllime të ndryshme nga ato të konsumit apo të përdorimit të tyre nga blerësit, janë të tatueshme në Shqipëri kur blerësi person i tatueshëm ka në vendin tonë selinë e veprimtarisë së tij ekonomike apo një vendndodhje të qëndrueshme, ku furnizohen këto mallra ose në mungesë të tyre, vendin ku ai ka adresën e përhershme ose ku ai banon. I tillë është rasti i personave të tatueshëm që blejnë gaz natyror, energji elektrike, ngrohje apo ftohje me qëllim rishitjen e tyre në Shqipëri.

 

Neni 36

Zbatimi i shkallës së TVSH-së

Shkalla standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, është 20%. Kjo shkallëzbatohet si një përqindje e vlerës së tatueshme. Shkalla e TVSH-së qëzbatohet për furnizimet e tatueshme, është shkalla e TVSH-së në fuqi në momentin e lindjes së tatimit, i cili për qëllime të ligjit përkon me momentin e faturimit.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP