Udhëzimi i ri, si do sigurohen depozitat tona nëpër banka?
Zyrtarizohen rregullat e reja për bankat lidhur me sigurimin e parave të klientëve të tyre në formë depozitash. Ku këto të fundit duhet të jenë nën nivelin prej 2.5 milionë lekësh, i cili është edhe kufiri ligjor për sigurimin e tyre. Fjala është konkretisht për hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, të nxjerrë nga qeveria shqiptare më 18 dhjetor të vitit të kaluar, sipas të cilit, përcaktohen të gjitha kushtet, procedurat dhe afatet në lidhje me skemën e sigurimit të depozitave, të detyrueshme këto për të gjitha bankat në rang vendi…
Anëtarësimi në skemë
Për anëtarësimin në skemë bankat plotësojnë kushtet e mëposhtme: a) kushtin e aftësimit profesional të personelit dhe organeve drejtuese lidhur me zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për sigurimin e depozitave; b) kushtin për krijimin e sistemeve të administrimit dhe operacionale; c) kushtin për mbajtjen e saktë të të dhënave për depozitat dhe depozituesit me qëllim identifikimin e depozituesit me një person konkret dhe përcaktimin e saktë të shumës që banka i detyrohet këtij depozituesi; d) kushtin teknik për krijimin e regjistrit elektronik të ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave për depozituesit dhe depozitat në funksion të identifikimit unik dhe konkret të depozituesit në këtë regjistër dhe të vlerësimit të shumës së depozitës së siguruar; e) kushtin e informimit të publikut për dhënien e informacioneve të sakta dhe të plota mbi skemën e sigurimit të depozitave; f) kushtin e gjendjes financiare gjatë vitit të parë të anëtarësimit të bankës në skemë. Për plotësimin e këtij kushti, banka duhet të dëshmojë se ka gjendje financiare, e cila siguron vazhdimësinë e veprimtarisë; g) kushtin e pjesëmarrjes në simulimet dhe kryerjen e proceseve të kompensimit, të shitjes së bankës; h) kushtin e pagesës së kontributit fillestar.
Sigurimi i depozitave
Agjencia siguron depozitat e individëve në bankat anëtare në skemë, bazuar në: a) kontratën e depozitës; b) dokumentet kontabël; c) të dhënat e regjistrit elektronik. Kurse sigurimi i depozitës përfundon kur: a) depozita klasifikohet si depozitë e pasiguruar; b) depozita kompensohet nga Agjencia si pasojë e likuidimit të detyruar të bankës. Në rastin e likuidimit vullnetar të bankës, depozitat mbeten të siguruara deri në përfundimin e këtij procesi. Në rastet e riorganizimit juridik, depozitat e siguruara të bankave pjesëmarrëse mbeten të siguruara për çdonjërën prej tyre tre muaj pas datës në të cilën Agjencia njoftohet me shkrim nga Autoriteti Mbikëqyrës për përfundimine procesit të transformimit. Shuma e depozitave të siguruara është vlera aritmetike që shërben si bazë për për-llogaritjen e primit dhe që rezulton nga zbatimi i hapave të mëposhtëm: a) mbajtja e saktë e të dhënave personale të depozituesit dhe për depozitat e këtij depozituesi; b) mbajtja e një numri të vetëm (kodit personal në sistem) të depozituesit, me qëllim që ai të identifikohet në mënyrë të saktë dhe pa përsëritje; c) zbatimin e përjashtimeve nga skema e sigurimit të depozitave; d) përllogaritjen e interesit përkatës të çdo depozite të depozituesit; e) konvertimin e depozitave në valutë, në lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës; f) zbatimin e kushteve kontraktore që zbatohen ndaj çdo depozite; g) mbledhjen e të gjitha depozitave të depozituesit si një llogari depozitë e vetme. h) krahasimi i vlerës së depozitës të vetme me 2.500.000.
Neni 10
Kompensimi i depozitave
Agjencia kompenson depozitat e individëve në bankë, të dokumentuara nëpërmjet dokumenteve të mëposhtëm:
a)kontrata e depozitës;
b)dokumentet kontabël;
c)të dhënat e regjistrit elektronik.
PROCEDURAT
Si llogaritet shuma e kompensimit?
Për llogaritjen e shumës së kompensimit zbatohen këto kërkesa:
a)mbajtja e saktë e të dhënave personale të depozituesit dhe për depozitat e tij;
b)mbajtja e një numri të vetëm (kodit personal) të depozituesit, me qëllim që ai të identifikohet në mënyrë të saktë e pa përsëritje;
c)zbatimin e përjashtimeve nga skema e sigurimit të depozitave;
d)përllogaritjen e interesit përkatës të çdo depozite të depozituesit;
e)konvertimin e depozitave në valutë, në lekë, sipas kursit zyrtar të këmbimit përcaktuar nga Autoriteti Mbikëqyrës;
f)zbatimin e kushteve kontraktore që zbatohen
ndaj çdo depozite;
g)mbledhja e të gjitha depozitave të depozituesit si një llogari depozitë e vetme;
h)krahasimi i vlerës së depozitës të vetme me 2 500 000 lekë;
i)zbritja e shumës së kësteve të papaguara në afat që burojnë nga marrëdhënia kreditore e depozituesit me subjektin.
Çfarë duhet të dini
Ç’do të thotë të sigurosh depozitat?
Në një ekonomi tregu, bankat mund të falimentojnë. Falimentim do të thotë që banka nuk ka para të mjaftueshme për të paguar depozituesit e saj. Në këtë mënyrë, pasojat që sjell falimentimi shoqërohen me humbjen e kursimeve të qytetarëve. Për të parandaluar pasojat financiare që sjell falimentimi i një banke tek depozituesit, si dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve ndaj bankave janë krijuar sistemet e sigurimit të depozitave. Projektimi i tyre është bërë i tillë që, të sigurojë kompensimin e pjesës më të madhe të depozituesve të një banke që falimenton.
Roli i Agjencisë së Sigurimit?
Në rast se një bankë falimenton pa i paguar të gjithë depozituesit e saj, mund të lindë rreziku i humbjes së përgjithshme të besimit të qytetarëve ndaj bankave në veçanti dhe sistemit financiar në tërësi, e si pasojë, vendi mund të përfshihet nga një krizë financiare e përgjithshme. Sistemet e sigurimit të depozitave ne pergjithesi, e përqendrojnë vëmendjen në mbrojtjen maksimale të depozituesve. Kjo ndodh meqenëse këta depozitues nuk janë në gjendje, që në çdo kohë të vlerësojnë bankën ku kanë investuar kursimet e tyre, pasi kanë njohuri të kufizuara për aktivitetin financiar dhe për operacionet financiare dhe bankare.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka si rol kryesor mbrojtjen e depozituesve nga falimentimi i bankës ku kanë vendosur kursimet e tyre. Kompensimin e depozitave të tyre deri në nivelin dhe sipas dispozitave të ligjit.