Udhëzimi për kontrollin e gazrave, i parakohshëm
Nga Sadedin Çeliku
Udhëzimi i Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nr.1 datë 4 Mars 2015, mbi disa ndryshime në manualin “Mbi kontrollin teknik të automjeteve” është sa i parakohshëm aq dhe i pastudiuar në kushtet shqiptare. Ajo që më bën përshtypje është se sa herë merren masa të rrepta për çështje të ndryshme, aq herë përdoret fjala standard europian ose standard i BE.
Argumenti kryesor i hartuesve të këtij udhëzimi është se kjo masë do të ndikojë më uljen e ndotjes dhe reduktimin e shkarkimit të gazrave. Sigurisht, Shqipëria ka ndotjen më të lartë në rajon, por gjithsesi si fenomen është global. Këtë e tregojnë takimet e vazhdueshme të vendeve të G8 dhe G20 si dhe vendimet që ato kanë marrë për uljen e ndotjeve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe ndryshimet klimatike.
A e shkaktojnë vërtet automjetet ndotjen e ambientale dhe kush është shkaku i vërtetë?
Ndotjet e ambientit në vendin tonë vijnë nga të gjitha drejtimet. Në ndërtim ka shumë ndotje sepse nuk zbatohet teknologjia e ndërtimit nga ndërtuesi, objektet pa rrjeta mbrojtëse dhe transporti i hedhurinave sidomos kur hapen gropat e nëntokës përsëri të pambuluara. Kësisoj dherat bien rrugës dhe pastrohen vetëm kur kemi kohë me shi. Rrugët nuk lahen, sidomos në zonat e mëdha urbane si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani,Shkodra, etj. Këtë problem e vërejmë edhe në zonat e plazhit si në Shkozet,Vlorë, Sarandë, Golem, Divjakë,Velipojë etj. Ndotjet na vijnë edhe nga kazanët e plehrave të cilat kudo që ndodhen janë pa kapakë (mbulesa) dhe shpesh çlirojnë edhe gazra.
Përsa i takon gazrave që çlirojnë automjetet duhet të nënvizojmë disa momente. Në vendet e zhvilluara e të BE për çdo 100 banorë, 60 disponojnë automjete, ndërsa në vendin tonë që kemi një inventar modest për çdo 100 banorë,10 disponojnë automjete. Pra jemi shumë larg standardit europian. Nga inventari që ka Shqipëria rreth 450 mijë automjete, ndotje na shkaktojnë automjetet e rënda, pra kamionët në funksion të ndërtimit, autobetonieret, traktorët dhe mjetet që njehsohen me to, lokomotivat që tërheqin graniturat hekurudhorë si dhe një numër i kufizuar furgonash e autoveturash me moshë 20-35 vjeçare. Në se do llogarisim se sa autovetura (numri më i madh i inventarit të automjeteve që kemi) janë permanent në qarkullim atëherë na rezulton një numër i papërfillshëm. Pra vendimet duhet të jenë produkt studimi dhe jo vendimmarrje të nxituara.
Ndikim të madh ka importi i naftës, benzinës dhe gazit të cilat të gjithë e dinë, të gjithë ankohen jo vetëm për çmimin më të lartë në rajon, por dhe për cilësinë mjaft të dobët. Nafta dhe gazi kanë lëndë të huaja si squfur dhe përbërës të tjerë kurse benzina ka përveç lëndëve të huaja edhe ujë.
Pra ndotja më e madhe na vjen nga kualiteti i dobët karburanteve. Edhe pse ka një institucion që i kontrollon siç është Inspektorati Qendror Teknik, përsëri përqindja e lëndëve të huaja në karburant dhe sidomos e squfurit është mjaft e madhe. Nuk janë vetëm këto faktorë por dhe industria na e ndot ambientin mjaft. Kështu Kombinati Metalurgjik e kemi parë të gjithë se çfarë gazrash çliron, në miniera dhe minifabrika të cilat janë me mijëra. Vetëm furrat e bukës dhe piceritë, na mbysin me tym dhe na ndotin çfarëdo. Mjafto të lësh rrobat në oborre apo ballkone dhe e shikoni se si bëhen nga bloza. Vetëm shpërthimi i gazit në Marinzë dhe Zharrëz na ka dhuruar një dozë të madhe e të pallogaritshme ndotje, të cilën qeveria dhe Ministria e Mjedisit duhet ta deklaroi dhe jo ta fsheh dhe t’ia faturojë ndotjen dhe shkarkimin e gazrave vetëm automjeteve.
Vetëm nga shpërthimi i Gërdecit ku demontoheshin armët e zjarrit ndotja ka qenë me rrezik të madh për jetën. Por ndotje ka dhe në det dhe kjo na ndodh nga mungesa e infrastrukturës së kontrollit në det të hapur. Anijet tregtare duhet të paguajnë jo pak para për disbursmente ku një peshë jo të vogël kanë mbetjet e gazoilit,naftës dhe plehrat. Që t’ju shpëtojnë kësaj takse anijet shqiptare por dhe të huaja i derdhin në det para se të vijnë në radhë, pra në ujërat territoriale shqiptare. Kjo ndotje është vënë re gjatë gjithë sezonit të plazhit nga frekuentuesit shqiptarë e të huaj.
Shikoni ç’bëhet me kanrierët që prodhojnë çakull e rërë dhe me ato kariera që prodhojnë gurë dekorativ. Vetëm këto e ndotin ambientin aq sa e ndotin 100 mijë autovetura së bashku dhe megjithatë nuk i paguajnë shtetit asnjë kacidhe për dëmin që ju shkaktojnë njerëzve.
Ministria e Mjedisit duhet të disiplinojë të gjitha objektet industriale që shkarkimin e tymit dhe gazrave të mos bëhet në atmosferë por nëntokë siç janë kudo në botë,ose të filtrohen para shkarkimit në atmosferë. Në se do ti referohemi praktikave ndërkombëtare na rezulton se ne zgjidhjet dhe mbrojtjen e mjedisit nuk e kemi në kufijtë dhe standardet e Bashkimit Europian. Askush dhe cili do qoftë ai nuk ka të drejtë të ndërmarrë kufizime të automjeteve në qarkullim për shkak të moshës së tyre. Për të argumentuar sa sipër po i referohem praktikës greke e cila e ka mjaft probleme sepse numëron në inventarin e saj mbi 5 milionë automjete.
Qeveria greke pasi ka zbuluar se sa mjete ndotin mjedisin, i ndalon të qarkullojnë dhe ekspertë nga ministria e saj e transportit bëjnë vlerësimin e autoveturës si aset dhe ju paguan paratë mbi bazën e këtij vlerësimi. Ato autovetura që janë objekt i këtij vendimi shkojnë për skrap ndërkohë që drejtuesi i autoveturës dëmshpërblehet. Në se kjo praktikë do të zbatohet në vendin tonë i bie si përllogaritje të shpenzohet një fond rreth 20 milionë euro që sigurisht në raport me ndotjet i fituar ka dalë i gjithë populli që merr një cilësi tjetër ajri.
Si konkluzion,mendoj se kjo vendimmarrje është e parakohshme sa kohë ndotjet ambientale nuk vijnë nga automjetet por nga faktorët e sipërm, ndryshe drejtuesit e automjeteve nuk do ta zbatojnë udhëzimin që nuk parasheh realisht dhe me ndershmëri burimin e kësaj të keqeje. I fituar në të gjithë këtë histori do dali mafia e skrapit së cilës i intereson mjaft ky udhëzim dhe kolaudatorët e gazrave në kontrollin e përvitshëm teknik.
*Ish-zëvendësministër Transporti