UKT: Skema e re, ja si do të shlyhen borxhet e ujit

Të gjithë konsumatorët familjarë që janë debitorë ndaj ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e prapambetura duke paguar një tarifë fikse mbi faturën mujore të ujit të pijshëm.

UKT përmes njoftimit zyrtar ka bërë me dije se ka hyrë në fuqi aktmarrëveshja e re me konsumatorin, kjo sipas tyre, për t’i ardhur në ndihmë familjeve debitore dhe për të lehtësuar barrën e pagesave të pakryera për faturën e ujit të pijshëm.

” Në bazë të kësaj akt-marrëveshje tani çdo konsumator familjar, i cili për arsye të ndryshme apo pamundësi financiare ka akumuluar detyrime të pashlyera për periudha kohore të gjata, do të paguajë çdo muaj 2 mijë lekë të reja plus vlerën e faturës së përmuajshme. Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re të gjithë konsumatorëve familjarë debitore u ofrohet një skemë, e cila synon të jetë e përballueshme për cilindo që ka borxhe të papaguara ndaj UKT-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas UKT-së, me akt-marrëveshjen e vjetër, konsumatori duhet ta kryente pagesën me këste mujore, ku kësti i parë përbënte 20% të vlerës së detyrimit, plus faturën koherente mujore. Ndërsa këstet e tjera vijonin të përshkallëzuara, me 10% të vlerës së detyrimit të mbetur, duke i shtuar faturën e muajit.

Akt-marrëveshja e re e ofruar nga Ujësjellësi i Tiranës, synon të lehtësojë mënyrën e pagesës për konsumatorët familjarë debitore me UKT dhe të nxitë konsumatorët që të shlyejnë të gjitha detyrimet e parapambetura ndaj UKT sh.a.

SHKARKO APP