Uliksi i dekriminalizimit dhe kali i reformës…

Nga Andrea Stefani –Po vërtetohet një gjë që edhe pse me kohë e qartë, shpresa të kota e neglizhonin. Po vërtetohet pra, se për shkak të kriminalizimit, klani berishist në PD do të tentojë gjithçka për të penguar reformën në drejtësi, deri edhe destabilizimin alla komunistçe me dhunë. Nuk është fare rastësi, por shprehje e këtij konflikti interesi të klanit berishist me një drejtësi realisht të pavarur, që pikërisht tani, kur pritet me orë të mbërrijë në Shqipëri opinioni i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, Berisha dhe Basha e kanë rindezur situatën politike duke bërë thirrje jo vetëm për bllokim të Parlamentit por edhe (gjë haptazi antikushtetuese kjo) për përmbysje me dhunë të qeverisë! Dhe cili është preteksti që gjejnë për këto kërcënime e mallkime? Është aq groteske se bëhet e pabesueshme po të mos e shohësh me sy dhe dëgjosh me veshë. Berisha dhe Basha janë të revoltuar se Parlamenti qenka shumë i kriminalizuar!! Padyshim që është shumë i kriminalizuar sa kohë që në të ka deputetë si Sali Berisha. Por a mund të shërbejë ky fakt si indinjatë për Berishën?

Punët kanë arritur deri aty sa Berisha kërcënon se do dorëzojë mandatin e deputetit ngaqë nuk qëndron dot në një sallë me deputetë të kriminalizuar si Prenga. Por shumica e shqiptarëve e di fare mirë se edhe nëse punët lidhur me Prengën do të qëndronin ekzaktësisht ashtu si i paraqet Berisha me fjalët e tij të kazanit, Prenga do të zinte në botën e krimit rangun e një tetari në një kohë që Sali Berisha, ruan gradën e pa konkurrueshme të “Marshallit”. Prenga nuk mund të konkurrojë dot me listën e pafund të krimeve për të cilët ka vite që akuzohet publikisht Berisha (dhe që për turp prokuroria hesht) madje, edhe nga ish-besnikë të afërt të tij. Në krye të listës së këtyre krimeve, ku përfshihen edhe urdhërime për vrasje personash si Remzi Hoxha, qëndron krimi më i përbindshëm dhe më i hapur që mund të bëjë një qeveri, vrasja e protestuesve të pafajshëm. Krim për të cilin mban të njëjtën përgjegjësi, ish ministri Brendshëm i asaj dite, Lulzim Basha që sot ngjiret se kriminelët duhet të largohen nga politika! Patjetër që duhet të largohen. Por kjo nuk ndodh nëse nuk largohen Berisha dhe Basha në radhë të parë.

Por kush do t’i largojë kriminelët e majtë e të djathtë të nga politika dhe nga parlamenti? Mos vallë ndërrimi i qeverisë që kërkojnë Basha me Berishën? Një mashtrim i radhës. Ndërrimi i qeverisë nuk do t’i shërbente aspak dekriminalizimit të politikës. Ngaqë do largohej “Prenga” dhe në pushtet do riktheheshin ata që kanë lyer duart me gjak protestuesish, gjeneralët e botës së krimit. Dhe që për këtë shkak, do të ishin edhe më pak të interesuar për një reformë të vërtetë në drejtësi. Drejtësia do të mbetej edhe për shumë vite, e kapur nga krimi në kokë të politikës. Dhe bashkë me të edhe Shqipëria.

Sipas Bashës, është e paprecedent që një kriminel të bëhet deputet. Injoranca nuk pa brirë. Sepse dihet që jo pak kriminelë, që i kanë sjellë dëme kolosale jo vetëm një shteti por njerëzimit, kanë depërtuar në parlamente a politikë me anë të votës. Demokracia nuk para është filtër i mirë për kriminelët! Vetë Basha dhe Berisha janë provë e gjallë e këtij depërtimi. Sepse përderisa Erion Veliaj qenka kriminel sepse, sipas Berishës, paska vjedhur paratë e dasmës, ç’mund të thuash për Berishën vetë? Apo edhe për Bashën?

Po kush është i vetmi filtër i sigurt për kriminelët? Është drejtësia e pavarur që thërret para bangos së akuzës politikanë që vrasin protestues, që bëjnë rrush e kumbulla mbi 500 milionë euro në investime pa projekt si ai i rrugës Durrës- Kukës, që ja falin ujërat detare të huajve, që organizojnë mafiozisht uzina dhe trafiqe municionesh si ai i Gërdecit, që pasurojnë me korrupsion e privilegje veten e familjen duke grabitur paratë publike, paratë e të varfërve. Mos ushqeni iluzione! Vetëm drejtësia e pastron politikën dhe parlamentin nga kriminelët gjë që nuk e bën dot “dekriminalizimi” i hartuar nga vetë kriminelët!

Dobësia para krimit është fatale. Po nuk e luftove krimin ai rrezikon të të hajë kokën. Berisha dhe Basha janë hedhur në sulm pasi përfituan nga toleranca që qeveria e Edi Ramës tregoi ndaj krimit të 21 janarit apo një korrupsioni mafioz dhe të përgjakshëm si ai i Gërdecit. Një tolerancë që, në fakt, e “legalizoi” statusin e tyre të kriminalizuar. Ky është “legalizimi” më absurd i kryer nga qeveria Rama. Një tolerancë që nuk mund të mos jetë edhe një indicie alarmuese për mungesën e dedikimit ndaj drejtësisë. Sepse sensi i të drejtës dhe dhimbja për të vrarët e 21 janarit, duhet ta kish bërë me kohë Edi Ramën e K°, të mos qëndronte dot në sallën e Kuvendit me një kriminel si Berisha. Rama duhet të kish shpallur me kohë në mënyrë tragjike por edhe më sublime, pikërisht atë që sot po e bën në mënyrën më komike dhe hipokrite të mundshme Berisha me rastin “Prenga”. Toleranca ndaj 21 janarit avancoi rekordin Guinness të pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Por ajo ka shpënë edhe në një tjetër rekord Guinness. Atë të paturpësisë që manifestojnë të inkriminuarit Berisha dhe Basha, ndërsa fyejnë inteligjencën e shqiptarëve kur shiten të dedikuar për “dekriminalizimin”.

Një përgjegjësi jo të vogël, në gjithë këtë farsë me kriminelë që bëjnë thirrje për dekriminalizim, kanë edhe ndërkombëtarët. Dhe ja po afron përsëri momenti që ata të shijojnë (sikur nuk ju kanë mjaftuar 26 vjet) frutat e hidhura që mbijnë nga lëshimet ndaj një autokrati të kriminalizuar si Berisha dhe pazaret që bëhen me të. Ndërkombëtarët kanë shpresuar se do të mund të kandisin Berishën të pranojë reformën në drejtësi duke i dhënë një rol udhëheqës në procesin e “dekriminalizimit”. Pra duke i falur ca pikë. Por Berisha është ujk i vjetër. Ai e di fare mirë se çdo të thotë drejtësi e pavarur për këdo që e ka mizën e krimit nën kësulë si ai vetë. Dhe duke qenë edhe vetë i kriminalizuar deri në palcë, do përpiqet ta sabotojë reformën me destabilitet dhe lloj-lloj tymsesh. Prandaj, tani që ka ardhur ora të votojë reformën në drejtësi, dinaku Berisha do përdorë kundër saj, si Uliksi kalin kundër Trojës, pikërisht kartën e “dekriminalizimit” që ndërkombëtarët ja dhanë për ta kandisur të votojë reformën.

Zhurma e berishistëve nuk ka qëllim zgjedhjet e parakohshme. Jo rastësisht Berisha bën thirrje për revolucion pra, për përmbysje të qeverisë jo ndërrim të saj me votë. Sepse e di që e ka të pamundur të fitojë. Berisha nuk do zgjedhje të parakohshme. Por ndërkaq, edhe mosmiratimi i reformës në drejtësi mund të çojë në zgjedhje të parakohshme. Për të shmangur këtë fatalitet, Berisha ngre tensionin në mënyrë që t’i shtyjë të majtët dhe ndërkombëtarët që të bëjnë lëshime, t’i shtrëngojë që t’i japin mundësi ta kontrollojë reformën, emërimin apo selektimin e gjykatësve dhe prokurorëve në mënyrë që në fund të ditës, ai dhe klani i tij, të mbeten të pandëshkuar. Që korrupsioni i rrugës Durrës Kukës, i Gërdecit, që përgjegjësit politikë të masakrës së 21 janarit (d.m.th Berisha dhe Basha) të mos ndëshkohen. Që drejtësia të mbetet e varur nga komandantët politikë të botës së krimit si këtu e 26 vjet.

Dhe ndërsa Berisha përpiqet të bëjë zhurmë, të kallë frikë e konfuzion te kundërshtarët dhe ndërkombëtarët, ndërsa kërcënon me revolucion, jo pak bien në kurthin e tij. Verbohen nga zhurma e akuzave për kriminelët në Parlament dhe nuk dallojnë këtë lapsus logjik në veprimet e Berishës dhe Bashës: Pengimin, nën maskën e “dekriminalizimit”, të reformës në drejtësi që është, në fund të fundit, e vetmja rrugë për të dënuar kriminelët. Natyrisht, përfshi edhe Berishën dhe Bashën.DITA

SHKARKO APP