“Unaza e Jugut të Shqipërisë”, do ndërtohen dy nënstacione në Orikum dhe Himarë

Gjatë ditës së sotme u krye inaugurimi i përfundimit të punimeve të projektit “Unaza e Jugut të Shqipërisë”. Projekti parashikonte fuqizimin dhe zgjerimin e rrjetit 110 kV.

Projekti është financuar nga një kredi e Qeverise gjermane, nëpërmjet Bankes KfW me vlerë 49 milion Euro.

Loti i parë përfshinte:

Zgjerimin e N/stacionit 400/110 kV Zemblak me një transformator të dytë 400/110 kV, me fuqi 150 MVA dhe plotësimin e skemës primare të Nënstacionit. Vlera e kontraktuar e këtij loti ishte 4.6 milion Euro dhe u implementuar nga kompania kroate Konçar.

Loti i dytë përfshinte:

–      Ndërtimin e linjës 110 kV Ersekë – Përmet, 56 km e gjatë

 

–      Ndërtimin e linjës 110 kV Babicë – Sarandë, 104 km e gjatë

 

–      Ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zëmblak – Korçë, 13 km

 

–      Rehabilitimin e linjave 110 Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km.

 

–      Zgjerimet respektive të impianteve 110 kV në N/st Babicë, Sarandë, Korçë, dhe punime rehabilituese në N/st Përmet dhe Memaliaj.

Projekti ka një shtrirje mjaft të gjërë duke përfshirë pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë.

Ndërtimi i linjës 110 kV Babicë – Sarandë, ka mbyllur në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV, duke plotësuar kriterin e rezervimit të furnizimit me energji elektrike në rast defekti në linjat e transmetimit, të një zone të gjërë që përfshin rrethet e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës e Tepelenës dhe gjithashtu garanton funksionimin e sigurtë të HEC Bistricë.

Kjo linjë mundëson ndërtimin e nënstacioneve 110/35/20 kV Orikum dhe Himarë, që të shoqëruar dhe me zhvillimin e rrjetit 20 kV nga Operatori i Shpërndarjes,  do të përmirësojnë në mënyrë rrënjësore cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zëmblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore, gjithashtu ka mbyllur në unazë një pjesë të rrjetit ekzistues 110 kV. Në këto kushte krijohet mundësia e furnizimit të zonës Jugore, nëpërmjet fluksit të fuqisë që futet nga nënstacioni 400/110 kV i Zëmblakut. Për pasojë reduktohet fluksi i fuqisë që vjen nga linjat e largëta të rrjetit 220 kV, duke balancuar më mirë dhe vet unazën 220 kV të Jugut, që përbën një problem për sigurinë e furnizimit të një zonë të gjërë.

Kalimi i linjës 110 kV në luginën e Vjosës do të krijojë mundësinë e lidhjes në rrjetin transmetues të një pjese të hidrocentraleve që do të ndërtohen në degët dhe rrjedhjen e sipërmë të këtij lumi.

Projekti në tërësi është i justifikur nga eleminimi i energjisë së mosfurnizuar dhe nga përfitimi i madh që sjell në reduktimin e humbjeve të energjise elektrike.

Fuqizimi i rrjetit 110 kV në zonën jugore, ka krijuar kushtet teknike për operim në paralel të linjës së interkonjeksionit 154 kV Bistricë – Myrtos, që deri më sot ka funksionuar vetëm në formë ishulli.

Projekti do të vazhdojë me ndërtimin e dy n/st 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, që janë në fazë tenderimi.

SHKARKO APP