UNDP: Do të vazhdojmë ta mbështesim Bashkinë Kamëz

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka zhvilluar sot një takim me drejtoren e UNDP-së në Shqipëri, znj. Yesim Oruc Kaya. Në takimin që u zhvillua në Bashkinë Kamëz z. Mziu dhe znj. Yesim Oruc Kaya folën për bashkëpunimin e deritanishëm dhe vazhdimin e projekteve mes Bashkisë Kamëz dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në kuadrin e përgatitjes së asistencës për vitin 2016. Kryebashkiaku Mziu, duke e konsideruar znj.Yesim Oruc Kaya si një ambasadore të interesave të banorëve të Kamzës, i bëri një përmbledhje të bashkëpunimit konkret dypalësh për projektet e zbatuara në territorin e Bashkisë Kamëz si dhe kërkoi zgjerim të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Në fjalën e tij zoti Mziu theksoi se pavarësisht mbështetjes së institucionit që drejton grupet ndaj familjeve në nevojë si familjet rome dhe ato egjiptiane, Bashkia ka sërish nevojë edhe për mbështetjen e partnerëve si UNDP për të qenë sa më pranë tyre. Z. Mziu foli më konkretisht për zonat, në të cilat janë të shtrira këto familje në Kamëz dhe duke e falënderuar UNDP-në për bashkëpunimin kërkoi të ecet në këtë rrugë. Z. Mziu tha se ne po komunikojmë me partnerë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit për të ndërtuar banesa sociale për këtë shtresë për të gjetur sa më shumë burime financimi dhe ndihma e UNDP-së do të ishte e vyer. Kreu i Bashkisë Kamëz theksoi se Kamza këto 3 vite është parë politikisht nga qeveria si në akordimin e grantit ashtu edhe në mosfinancim projektesh konkurruese. Z. Mziu tha se Kamza përballet edhe me mosdelegimin e kompetencave bazuar mbi ndarjen e re territoriale, ku nga 7 kompetenca që i takojnë Bashkisë ka marrë vetëm 1 dhe atë të përgjysmuar. Kjo është kompetenca për arsimin parashkollor dhe e punonjësve ndihmës të arsimit parauniversitar, por edhe kjo e përgjysmuar dhe pse është qyteti i pestë në vend sa i përket numrit të banorëve. Është i paplanifikuar numri i punonjësve që duhet të shërbejnë në çerdhe si dhe ndërtimi i tyre. Sipas z. Mziu, është skandaloze që një konvikt në territorin e Bashkisë Kamëz e administron Bashkia Tiranë.

Drejtorja e UNDP-së, znj. Yesim Oruc Kaya, në fjalën e saj tha se “Kamza do të vazhdojë të ketë mbështetjen e UNDP-së. Ndoshta do të jetë më e lehtë, pasi i kemi bazat e bashkëpunimit dhe do të mund ta zgjerojmë më tej atë. Unë po punoj personalisht për formulimin e asistencës së re që duhet të ndiqet në kuadër të ndarjes se re territoriale në mbështetje për shërbimet. Ajo që po kërkojmë është që t’u vijmë në ndihmë bashkive për t’i thjeshtuar shërbimet për qytetarin, sa më shumë online dhe të propozojmë disa standarde më efiçente në kosto dhe të aplikueshme që të realizohen brenda 2 vitesh. Në lidhje me komunitetin rom dhe egjiptian ne kemi punuar edhe në të kaluarën. Puna jonë është më shumë e lidhur me politikat që adresojnë problemet e romëve dhe egjiptianëve dhe e kuptojmë që dhe Bashkia nuk ia del dot me kapacitetet që ka të zgjidhë nevojat apo problemet e tyre. Drejtorja e UNDP-së tha se duhet të luftohet për decentralizimin të vërtet fiskal të plotë të bashkive që të arrihen ato tregues që janë vënë si objektiva dhe të rritet mënyra e mbledhjes së taksave vendore”. Bashkia Kamez i akordoi certifikatën “Mirënjohja e qytetit” dhe me pas vizituan ambientet e bashkise ku u ndalën vecanërisht të One Stop Shop.

Projektet e deritanishme dypalëshe/ Bashkia Kamëz ka qenë e para që ka zbatuar projektin e UNDP-së për qarkullimin elektronikisht të shkresave brenda institucionit. Një tjetër projekt ka qenë ai në vitin 2011 në kuadër të programit “Fuqizimi i Komuniteteve Lokale në Nevojë në Shqipëri”. UNDP ka kontribuar në rehabilitimin e ambientit përpara të shkollës në Valias të Vjetër, zonë ku ka banorë romë; rikonstruksion i qendrës shëndetësore së bashku me rikonstruksionin e kopshtit si dhe rrugën lidhëse të lagjes së romëve me qendrën shëndetësore dhe shkollën në Valias të Vjetër, ndërtimi i një ambienti sportiv si dhe rehabilitimi i territorit të shkollës, me fusha volejbolli dhe basketbolli. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka kontribuar edhe në ndërtimin e faqes zyrtare të Bashkisë Kamëz.

SHKARKO APP