Unë, kryeministri i Stabilitetit

Rrëfim (jo vetëm) për veten

Duke vajtur në takimin e thirrur nga presidenti, mendja i shkoi se mund t’i propozohej detyra e kryeministrit Dhe ai propozim u bë, shkurt e saktë: “Ylli, kam vendosur, pasi jam konsultuar edhe me shokët e tjerë, ta propozoj ty detyrën e kryeministrit”. Kur e pa që presidenti nuk po lëvizte nga propozimi që i bëri, ndjeu se “forcat” për të refuzuar, e lanë. Nuk tha asgjë dhe këtë RamizAlia e mori si miratim. Doli nga ajo zyra i trazuar së brendshmi. Po cila ishte përvoja që presidenti Alia ia theksoi gjatë bisedës?… Shkruhet në këtë pjesë të shkëputur nga libri Në fillimet e tranzicionit”, një botim i UET Press, pjesë e kolanës Scripta Manent, ku Ylli Bufi bën një rrëfim interesant për atë moment historik por dhe për veten. Emocionet, hezitimet, dyshimet e gjithçka që ndjeu që në ditën kur e pranoi postin e kryeministrit. Si dhe arsyen pse familja dhe të afërmit nuk e pritën me kënaqësi lajmin e emërimit të tij…

Nga Ylli Bufi*

Teksti i plotë i marrëveshje u lexua në fillim të seancës të së hënës, datë 3 qershor, nga kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, Kastriot Islami: “Partia e Punës, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Socialdemokrate dhe organizata OMONIA, në mbledhjen e datës 3.06.1991 ranë dakord: 1. Qeveria të japë dorëheqjen. 2. T’i sugjerohet presidentit të Republikës kryeministri i ri, i propozuar nga Partia e Punës, i cili, në bashkëpunim me partitë politike, të hartojë përbërjen e qeverisë dhe programin e saj mbi bazën e disa drejtimeve themelore të përpunuara në konsultimet ndërpartiake. 3. Anëtarët e Qeverisë së re të shkëputen nga partitë përkatëse dhe të mos kenë të drejtën të formojnë parti dhe të kryejnë veprimtari partiake dhe elektorale. 4.  Qeveria e re të mos ketë të drejtën e subjektit elektoral. 5. T’i sugjerohet presidentit që zgjedhjet e reja të zhvillohen në një datë të përshtatshme në periudhën maj-qershor 1992.

***

“Në pamundësi për të ushtruar detyrën që qeveria mori përsipër përpara Kuvendit Popullor dhe Presidentit, si rrjedhojë e mungesës së mbështetjes nga ana e forcave politike dhe e bllokimit të veprimtarisë së saj nga grevat, të cilat nisën pa kaluar as tri ditë nga marrja e votëbesimit, Këshilli i Ministrave pranon të japë dorëheqjen. Këtë akt ai e ndërmerr për t’i hapur rrugë zgjidhjes së re politike të propozuar nga përfaqësuesit e partive të vendit, të njoftuar në mbledhjen e Kuvendit Popullor të datës 1 qershor dhe të arritur sot. Qeveria është e bindur se programi i saj dhe masat e para, që ajo propozoi të merreshin, përbënin mundësinë e vetme për të stabilizuar gradualisht situatën shumë të rënduar ekonomike dhe politike, madje dhe sociale, që ajo trashëgoi. E bindur për vështirësitë që do të përballonte dhe e zhveshur nga çdo egoizëm, e udhëhequr vetëm nga dëshira për t’u shërbyer interesave të popullit, pa paragjykime partiake dhe e distancuar nga gabimet e së kaluarës, qeveria kërkoi hapur bashkëpunimin me të gjitha forcat politike dhe sindikatat për të pezulluar grevat, të paktën, deri në fund të këtij viti. Po me këtë kërkesë ajo iu drejtua edhe Kuvendit, por nuk gjeti realisht përkrahjen e duhur.”

***

Në seancën e pasdites, që u hap në orën 17.30, nënkryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, Lush Përpali, lexoi një njoftim, ku thuhej se Presidenti i Republikës u njoh me marrëveshjen e arritur më 3.06.1991 nga partitë politike, si dhe pranoi dorëheqjen e paraqitur nga kryeministri F. Nano. Në njoftim thuhej, gjithashtu, se Presidenti po konsultohet me forcat politike të vendit lidhur me formimin e qeverisë së re. Kështu, qeveria ‘Nano’ pushoi së vepruari.

***

Më datë 5 qershor 1991, në mesditë, më thirri në takim presidenti i Republikës. Unë isha në dijeni se, pas dorëheqjes së Nanos, ai kishte filluar procesin e konsultimit me kryetarët e partive për caktimin e kryeministrit. Prandaj, duke vajtur në presidencë, më shkoi mendja se mund të ishte fjala për një propozim për të më ngarkuar me detyrën e kryeministrit. E mendova këtë, ndoshta, sepse isha pjesë e kabinetit qeveritar. Qysh prej korrikut të vitit 1990, kisha kryer detyrën e ministrit të Industrisë Ushqimore, fillimisht, në qeverinë e drejtuar prej Adil Çarçanit dhe, më pas, në dy qeveritë jetëshkurtra të F. Nanos. Kjo periudhë ishte nga më të vështirat, sepse vendi ishte në anarki të plotë dhe gjendja ekonomike ishte katastrofike. Ky mendim më trazoi disi. Fillova të bluaj në mendje se, po të ishte e vërtetë kjo, a duhej ta pranoja apo ta refuzoja një propozim të tillë. Kur mendova se e gjithë kjo ngarkesë mund të rëndonte mbi supet e mia, mëdyshja për ta refuzuar detyrën e re bëhej edhe më e madhe. Çfarë mund t’i thosha presidentit Alia për të justifikuar mospranimin tim, nëse do të ma bënte një propozim të tillë? Thjesht një “Jo, nuk e pranoj” apo…? Me të tilla pyetje në kokë, u gjenda para zyrës së tij. Hyra brenda dhe, pasi u takuam me njëri-tjetrin, Presidenti nisi drejt e në temë: “Ylli, kam vendosur, pasi jam konsultuar edhe me shokët e tjerë, ta propozoj ty detyrën e kryeministrit”.

Duke shprehur, ndoshta, më shumë hezitim, sesa kundërshtim, i thashë: “Po pse duhet të jem unë, shoku Ramiz? Ka edhe të tjerë…” dhe i përmenda disa emra. “Ne i kemi menduar dhe ata që përmende ti, por duke qenë në qeveritë e fundit, ti e njeh mirë situatën që po kalon vendi, ke më shumë përvojë se të tjerët dhe, kryesorja, je i pranueshëm nga të gjithë”. Me thënë të drejtën, këto fjalët e fundit, që tha Alia,  më ngrohën dhe më lëkundën ca. Sepse, kur tha që unë isha i pranueshëm “nga të gjithë”, mendova që e kishte fjalën edhe për drejtuesit e opozitës. Me sa dukej, ai kishte biseduar edhe me ta. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse mbështetja e opozitës për drejtimin e një qeverie të koalicionit, jo vetëm ishte e domosdoshme, por, në ato kushte që po kalonte vendi, ishte edhe vendimtare për punën normale të qeverisë. Kur e pashë që presidenti nuk po lëvizte nga propozimi që më bëri, ndjeva se “forcat” e mia për ta refuzuar, më lanë. Nuk thashë asgjë më dhe, me sa dukej, këtë Alia e mori si miratim nga ana ime. Kështu rrodhi, pak a shumë, ajo bisedë me presidentin e Republikës. 

Dola nga zyra e tij i qetë në pamje, por i trazuar së brendshmi, në kokë më vinin mendime nga më të ndryshme. Isha i ndërgjegjshëm për barrën e madhe që po më ngarkohej dhe më mundonte shqetësimi nëse do ta përballoja si duhet, sepse shumë gjëra nuk vareshin prej meje. Me këto mendime, nxitova drejt e në shtëpi, pasi mendova se kështu do të qetësohesha disi emocionalisht, duke e ndarë lajmin me familjarët e mi, që ata të mos e mësonin nga televizori. Po cila ishte përvoja ime, që presidenti Alia e theksoi gjatë bisedës me mua? Pasi përfundova studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën kimi industriale, në vitin 1972, punova 8 vjet në industrinë e përpunimit të naftës dhe në industrinë ushqimore. Megjithëse dëshiroja të punoja që në fillim në byronë teknologjike të ndërmarrjes, edhe me mua u ndoq praktika e vendosur që inxhinieri punonte më parë drejt e në prodhim. Kështu, i kalova hallkat, nga inxhinier turni, inxhinier reparti dhe, më pas, drejtues ndërmarrjeje. Isha i prirur dhe i pasionuar për punën me studime dhe për hartimin e projekteve të reja, që atëherë quheshin “novacione”. Kjo më krijonte kënaqësi të veçantë, të cilën, për të thënë të drejtën, politika, më vonë, nuk do të ma jepte. Në vitin 1981, pas përfundimit të studimeve pasuniversitare në Francë, për industrinë ushqimore (më vonë mora gradën e Doktorit të Shkencave Kimike), emërohem në Komitetin e Shkencës dhe Teknikës, një organ ky pranë Këshillit të Ministrave, për drejtimin dhe programimin e punës shkencore në të gjithë vendin. Gjatë një viti pune në këtë detyrë, paraqita në Kryesinë e Këshillit të Ministrave disa raporte dhe studime mbi zhvillimin e industrisë ushqimore, të cilat u vlerësuan nga drejtuesit e qeverisë. Kjo, me sa duket, ndikoi që, në korrik të vitit 1983, të emërohem zëvendësministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Ky sektor përfshinte numrin më të madh të ndërmarrjeve të të gjithë vendit, që, së bashku, zinin vendin e parë në prodhimin e përgjithshëm industrial në shkallë Republike. Në ato vite, furnizimi i tregut me artikuj ushqimorë dhe industrialë ishte vështirësuar së tepërmi dhe kishte filluar të ndihej kriza ekonomike, e cila, në fund të viteve ’80, do të merrte përmasa drastike. Ndaj industria e lehtë dhe ushqimore konsiderohej një nga sektorët prioritarë të qeverisë së atëhershme. Kjo u reflektua në faktin që gjatë atyre viteve u ndërtuan një numër i konsiderueshëm fabrikash dhe impiantesh, disa edhe me teknologji të kohës. Në këtë punë të madhe dhe pasionante u njoha dhe bashkëpunova me shumë specialistë dhe drejtues të aftë në të gjitha ndërmarrjet e vendit, që e bënin mjaft mirë punën e tyre, por që të gjithë e ndienim pamundësinë për të ndryshuar situatën që vazhdimisht rëndohej, natyrisht, jo për fajin tonë. Ato ndërmarrje nuk e zgjidhnin krizën e rëndë ekonomike që kishte pllakosur vendin. Rrënjët e kësaj krize ishin në vetë sistemin e ekonomisë së planifikuar. Në kushtet e vetizolimit dhe të mungesës së ndjeshme të burimeve financiare, drejtuesve më të lartë të partisë dhe të qeverisë nuk u mbetej gjë tjetër veçse të rrisnin “kërkesën e llogarisë” në forumet më të larta partiake apo shtetërore. Për mua dhe brezin e specialistëve të emëruar në atë kohë në funksione drejtuese të ekonomisë, ishte e qartë se sistemi i ekonomisë së planifikuar, tashmë, ishte i falimentuar. Deri në vitet 1988-‘89 mendoja se çelësi i zgjidhjes ishte liberalizimi i ekonomisë, sidomos lejimi i financimeve dhe i kapitaleve të huaja. Por, më pas, krijova bindjen se asnjë zgjidhje nuk do të ishte e mundur brenda sistemit të ekonomisë së planifikuar. I duhej hapur rruga ekonomisë së tregut. Por kjo mund të ndodhte vetëm përmes ndryshimit të sistemit politik. Vendet e tjera të Lindjes, tashmë, kishin hyrë në këtë rrugë. Gjithsesi, këto mendime mbeteshin në bisedat private që bëja me njerëz të afërt. Në korrik të vitit 1990, kur u bënë ndryshime në përbërjen e qeverisë “Çarçani”, caktohem me detyrën e ministrit. Barrën e kësaj detyre e kam ndier mjaft në atë periudhë të vështirë të ndryshimit të sistemit. Disa herë kam qenë në dilemën e dorëzimit të detyrës, por, i pushtuar nga mentaliteti i kohës, kjo më dukej si një dezertim në një moment të vështirë për vendin. Kjo qe koha, kur u gjenda i përfshirë në rrugën e politikës. Për mua dhe për ministrat e tjerë të rinj, tashmë, ishte e qartë se kishim hyrë në rrugën pa kthim të ndryshimit të sistemit politik. Ndryshimet duhet të bëheshin me shpejtësi. Bashkë me ministrat Ismail Ahmeti, Skënder Gjinushi, Alfred Uçi, Pajtim Ajazi, këtë preokupim ia shprehëm Ramiz Alisë në një takim që patëm me të. Ishte fundi i marsit 1991. Qeveria ishte e bllokuar. Ajo nuk ishte në gjendje të vendoste për asgjë. Qeveria e re, e krijuar pas zëvendësimit të kryeministrit Çarçani me Fatos Nanon dhe të ministrave të tjerë që ishin anëtarë të Byrosë Politike, ishte më shumë një qeveri kujdestare deri në zgjedhjet e para pluraliste. Por, sidoqoftë, në këtë qeveri filluan të hidheshin hapat e parë të kalimit në sistemin e ri politik dhe në ekonominë e tregut. Kjo ishte përvoja ime, kur mora përsipër detyrën e kryeministrit të një qeverie koalicioni pesëpartiak, vetëm 6 muaj pasi ishte shpallur pluralizmi politik. 

Zyra e kryeministrit nuk ishte e panjohur për mua. Aty kisha qenë me dhjetëra herë, si zëvëndësministër dhe si ministër, kur kryetar qeverie ishte Adil Çarçani, dhe muajt e fundit, kur kryeministër qe Fatos Nano. Ishte një zyrë e mobiluar thjesht, me mobilie në ngjyrë të çelët, me tavolinat në formë ”T”-je, siç preferoheshin atëherë. Kur hyra në atë zyrë, tani si kryeministër i porsaemëruar, çuditërisht, mendja më shkoi jo tek Adil Çarçani, i cili, zakonisht, kur hynin ministrat, ngrihej nga vendi, i jepte dorën secilit dhe i priste gjithmonë qetësisht, por, instinktivisht, kujtova Mehmet Shehun, i cili edhe sot kujtohet si një njeri i ashpër. Në luftë dhe pas çlirimit ai kishte vrarë njerëz pa gjyq. Ai ishte edhe autori i vdekjes së babait tim. Në vitin 1957, kur unë isha vetëm 9 vjeç, babai vdiq papritur. Vetëm pas vetëvrasjes së M. Shehut, pas hetimeve që u kryen rreth saj, familja jonë mësoi të vërtetën e përplasjes së madhe që babai kishte pasur me M. Shehun, si dhe faktin që vdekja e tim eti kishte qenë pasojë e një helmimi. Ndoshta, kjo është dhe arsyeja përse familja ime dhe të afërmit e mi nuk e pritën me kënaqësi lajmin e emërimit tim si kryeministër.

Gjëja e parë që kërkova kur u ula në karrigen e kryeministrit ishte teksti i Marrëveshjes politike midis partive, që ishte nënshkruar disa ditë më parë. Përmbajtjen e saj për herë të parë e dëgjova, kur teksti i Marrëveshjes u lexua në seancën parlamentare nga kryetari i Kuvendit, Kastriot Islami. I lexova disa herë të gjashtë pikat e saj, që ishin të shkruara në një faqe letër. Dokumenti ishte i rëndësishëm, sepse përcaktonte mandatin e qeverisë që unë do të krijoja. Por menjëherë m’u krijua përshtypja se Marrëveshja ishte e mangët. Ajo ngjante më shumë me një deklaratë,  sesa  me një marrëveshje politike, pasi nuk përmbante as objektiva, as drejtimet kryesore të një programi qeverisjeje. Pikërisht kjo do të ishte njëra nga çështjet e rëndësishme që unë duhej të sqaroja në takimet me kryetarët e partive.

 

 

Fati i qeverisë së re

Në vlerësimin tim të atëhershëm dy do të ishin “kundërshtarët” kryesorë të qeverisë që unë do të drejtoja: partitë politike dhe koha shumë e kufizuar që qeveria do të kishte në dispozicion. Megjithëse zgjedhjet sapo kishin përfunduar, dukej që partitë politike do të ndesheshin përsëri për mbajtjen apo për marrjen e pushtetit përmes zgjedhjeve të parakohshme. Sipas studiuesit Afrim Krasniqi, me krijimin e Qeverisë së Stabilitetit, PPSH donte të fitonte kohën e duhur për t’u reformuar, ndërsa PD-së i nevojitej kohë për t’u përgatitur realisht për qeverisjen e vendit. Fakti që kryetarët e partive ishin jashtë qeverisë, përbënte një arsye serioze më shumë për të dyshuar nëse ata do ta respektonin deri në fund marrëveshjen që vetë kishin firmosur. Në këto kushte, mendova që për programin e reformave që do të ndërmerrte qeveria të bëja konsultime të rregullta me forcat politike.

*Marrë nga revista Mapo

SHKARKO APP