Universitetet: Anglezët, dominojnë elitat e botës
I pari është vërtet amerikan, por ama, 4 ndër 10 më të mirët e listës gjenden në Londër. Fjala është për renditjen e 800 universiteteve më të mira të botës nga “Times Higher Education” për sezonin e ri akademik 2015-2016, ku Shqipëria nuk zë asnjë vend.
Dhe ku shfaqet dukshëm, se 4 ndër 10 më të mirët e listës gjenden pikërisht në Britaninë e Madhe, në kryeqytetin e saj, e isur nga kjo performancë, Londra shndërrohet në këtë mënyrë me të drejtë në kryeqytetin botëror të universiteteve.
Siç dihet në fakt, Britania ka një reputacion të njohur ndërkombëtar për arsimimin e lartë. Universiteti i famshëm i Oksfordit është i dyti në botë pas “California Institute of Technology” në SHBA, ndërkohë që Universiteti i Cambridge dhe “Imperial College of London” janë respektivisht në vendin e katërt dhe të tetë në botë.
Gjithashtu, është fakt i njohur se një numër jashtëzakonisht i madh liderësh botërorë kanë studiuar nëpër universitetet elitare britanike, ndërkohë që shumë studentë nga vendet e tjera të zhvilluara në Azi, kanë rritur numrin e studentëve që studiojnë nëpër këto universitete.
Dhe me gjithë kryesimin e listës prej 800 universitetesh në rang botëror, dominanca amerikane, përtej prezencës së më të mirëve si Universiteti i Stanfordit, Harvardit apo ai Princetonit, përkrah britanikëve të Cambridge etj, duket se ka pësuar një rënie, nëse i hedh një sy listës në pamje totale.
Pavarësisht se kryesojnë renditjen, numri i universiteteve elitare amerikane që renditen ndër 100 më të mirët në botë, ka zbritur nga 45 në 39.
RENDITJA/ Ja 10 universitetet më të mira në botë.
Nr. Universiteti Shteti
1 California Institute of Technology SHBA
2 University of Oxford Britani
3 Stanford University SHBA
4 University of Cambridge Britani
5 Mass. Institute of Technology SHBA
6 Harvard University SHBA
7 Princeton University SHBA
8 Imperial College London Britani
9 ETH Zurich Zvicër
10 University of Chicago SHBA