Urdhri i Financave: Nga 1 janari 2016, OJQ-të duhet të mbajnë bilance
Organizatat jofitimprurëse do të kenë standardet e tyre të raportimit të aktivitetit. Ky është urdhri i ri Ministrit të Financave, botuar në fletoren zyrtare.
Përmes këtij urdhri, Standardi Kombëtar i Kontabilitetit të OJF-ve bëhet i detyrueshëm për zbatim prej datës 1 janar 2016. Deri në datën e zbatimit, me përdoruesit e tyre, duhet të organizohen seminare dhe trajnime në nivel kombëtar dhe lokal.
SKK për OJF-të do të zbatohet nga të gjitha ato organizata që kanë statusin e njësive ekonomike jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri. Janë objekt i këtij standardi fondacionet, shoqatat, qendrat, partitë politike, institucionet fetare, sindikatat dhe çdo organizatë tjetër që ka statusin e një organizate jofitimprurëse, përveç atyre OJF-ve apo disa prej veprimtarive të tyre, të cilat me ligj të veçantë, përjashtohen nga detyrimi për të ndërtuar dhe raportuar pasqyrat e tyre financiare.
Ky standard përshkruan objektivin e pasqyrave financiare të OJF-ve dhe cilësitë që e bëjnë informacionin e pasqyrave financiare të OJF-ve të dobishëm. Objektivi i pasqyrave financiare të përgatitura sipas këtij standardi është dhënia e informacionit rreth pozicionit financiar, performancës dhe fluksit të mjeteve monetare të Organizatave Jofitimprurëse, të dobishëm për qëllime të përgjegjësisë dhe vendimmarrjes së përdoruesve të këtyre pasqyrave financiare.
Organizatat jofitimprurëse që kanë shifrën e aktivit ose shifrën e të ardhurave më të madhe se 5 milionë lekë, zbatojnë kontabilitetin me të drejta dhe detyrime të konstatuar dhe ndërtojnë të gjitha pasqyrat financiare, të përcaktuara më lart. OJF-të të cilat nuk plotësojnë këtë kriter zbatojnë kontabilitetin mbi baza monetare dhe ndërtojnë vetëm pasqyrën e fluksit të mjeteve monetare të shoqëruar me shënimet shpjeguese lidhur me llojin e aktiviteteve apo shërbimeve që ofron.
Nëse OJF-të zhvillojnë aktivitet ekonomik tregtar, parimet e raportimit financiar të të ardhurave dhe shpenzimeve që lidhen me këto të ardhura të aktivitetit tregtar, janë të njëjta me ato për njësitë ekonomike fitimprurëse. Zërat e tyre paraqiten në një grup më vete, në pasqyrën e aktiviteteve, të ndërtuar sipas funksionit.