Urimi i ndjerë i Florit për ditëlindjen e Elvanës
Elvana Gjata mbush 29 vjeç. E ndërsa ajo po e feston këtë përvjetor në Paris me mikeshat e saj më të ngushta ka marrë shumë urime nga të gjithë kolegët. Mes tyre, edhe producenti, menaxheri, kompozitori dhe miku më i ngushtë, Flori, i ka dedikuar një urim të veçantë në rrjetet sociale. Me pak fjalë, ai ka shprehur gjithë vlerën që ka Elvana në jetën e tij si artist, por edhe si njeri: “Jemi rritur bashkë. Gëzuar ditëlindjen muzika ime”.
Bashkë me urimin kantautori i ‘Me fjalë të vogla’ ka shpërndarë edhe një foto ku ata shfaqen duke u përqafuar. Bashkëpunimi mes Florit dhe Elvanës ka nisur shumë herët, kur të 2 ishin ende në hapat e parë të karrierës. Pas ‘Etheve’, Elvana Gjata u ngjit për herë të parë në skenë me këngën. “Të kam xhan”, të krijuar nga Flori, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut. Më pas do të zgjeronte famën me këngën ‘Nuk jam vetëm’ në bashkëpunim me Tingullin 3nt, derisa kënga ‘Mamës’, do të vuloste suksesin e Elvanës si këngëtare e muzikës R’n’B. Që atëherë e në vazhdim, Elvana dhe Flori do të ishin bashkëpunëtorë të pandarë, në çdo videoklip apo pjesëmarrje të sajën. E vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot, kur të 2 janë ndër më të suksesshmit e më të kërkuarit në koncerte e evente. ‘Jemi rritur bashkë. Gëzuar ditëlindjen muzika ime’!