Ushtarakët nuk duhen anatemuar
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 15:49
Nga Azem Parllaku
"Oficeri ka në dorë të hedhë në luftë rininë e një Kombi”. Kur, Napoleoni është shprehur kështu, kishte provuar mu midis betejave, jo anën teatrore të këtij akti, por thelbin e një prej motiveve më të vjetra të epikës botërore, atij të triumfit.
Njëri nga ish-ushtarakët dhe politikanët më të suksesshëm të kohës sonë, Kolin Pauell, kur i referohet profesionit të ushtarakut sjell në vëmendje se; “Nuk ka profesion në të cilin përgjegjësia për jetën e vdekjen bie në supe kaq të njoma si në Ushtri, kësaj pjese të nderuar të Kombit, të asaj pjese të shoqërisë, që e përjeton idealin demokratik më përpara se çdo pjesë tjetër e saj”.
Është e drejtë të dakordohesh me këtë konstatim të burrështetasve të cituar më lart, e për më tutje të reflektosh në realitetin tonë shqiptar.
Në këtë pikëshikim po sjellim në vëmendje vetëm harkun kohor të njëzetepesë viteve të fundit, me të vetmin qëllim, për të mos shikuar verbërisht, përkundër për të mbetur qartësisht në anën e të vërtetës.
Shqipëria e fundmit nga vendet e Europës, kaloi butësisht në demokraci, ashtu e varfër dhe me shpresë.
Në këtë periudhë të ndryshimit të madh, Forcat e Armatosura si instrument i Sigurisë Kombëtare, më së shumti u konsideruan njëlloj si klasa politike, fajtore të prapambetjes ekonomike dhe të izolimit me botën.
Kjo vinte për faktin se në emër të Sigurisë Kombëtare, ishin bërë shpenzime kolosale, shpenzime të cilat i faturoheshin Forcave të Armatosura, pasi në inventarin e tyre ishte i gjithë ai arsenal, që përfshinte armatimin, pronat ushtarake, deri dhe bunkerët.
Kur një vit më parë, një i tillë objekt nëntokësor, u restaurua dhe u hap për publikun, pak kush nga ky i fundit e di, që bunkerë të tillë ka me dhjetra, të shpërndarë anekënd Shqipërisë.
Në fakt, ushtarakët nuk kanë pse të konsiderohen aq fajtorë për këtë sipërmarrje në dëm të popullit të tyre, ata kurrsesi nuk kanë patur shansin për të vepruar pa patur klasën politike si udhërrëfyese, edhe pse ishin edukuar për të udhëhequr betejat e luftës.
Përse ata, ushtarakët nuk duhen anatemuar?
Ka një arsyetim të shëndoshë për ta definuar këtë fakt.
Ushtarakët veçanërisht studentët ushtarakë të viteve 1990, të cilët sot janë në mesin e karrierës, mbetën promotorë në kërkesën më thelbësore, atë të departizimit të Forcave të Armatosura, me qëllimin e mospërdorjes së tyre për llogari të politikës.
Disa ngjarje të ndodhura në Shkollën e Bashkuar, kanë dëshmuar sesi politika kërkoi të implikonte Forcat e Armatosura, c'ka do të sillte luftën vëllavrasëse nga më të shëmtuarat, në historinë e njerëzimit.
Shqipëria ishte vendi i parë i Lindjes komuniste, që bëri kërkesën zyrtare për t'u bashkëngjitur nismës së Partneritetit për Paqe.
Ndërkohë, që politikëbërësit e intensifikuan axhendën e tyre me Perëndimin, qëlloi shpesh dhe më shpesh, që homologët e tyre tërhiqnin vëmendje se “Pa integrim ushtarak nuk mund të ketë integrim në fushat tjera, pasi integrimi ushtarak është garanci”.
Në lidhje me problemet e sigurisë, opinioni publik është i ndjeshëm, mjafton të përmenden zhvillimet e herpashershme në rajon, ku implikonen strukturat e sigurisë sic mund të jenë Forcat e Armatosura.
Shteti fqinj Greqia, edhe pse anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, ka paralajmruar për një militarizim të kufirit me Shqipërinë, një veprim ky që, sipas politikës greke, bëhet në emër të sigurisë.
Ndërsa fqinji tjetër Serbia, i përdori gjerësisht Forcat e Armatosura, përgjatë gjithë kohës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Në fundin e vitit të kaluar Serbia dhe Rusia, nënshkruan një marrëveshje për modernizimin e Forcave të Armatosura të Serbisë, duke i shndërruar ato në një potencial të frikshëm për rajonin.
Me ëndërrën, për të rritur ndikimin në Ballkan, Turqia shpenzon shuma marramendëse për të mbajtur ushtrinë më të madhe në kontinent.
Nëse, ngjarjet e fundit të ndodhura në Maqedoni, hetohen me lupë profesionale, atëherë është e qartë, që në konfliktin e armatosur në Kumanovë, janë përdorur njësi speciale të Forcave të Armatosura.
Në vazhdimësi publiku në Shqipëri, ka kërkuar e kërkon të dijë cfarë ndodh me Forcat tona të Armatosura. Për të qenë të sinqertë informacioni, është i vakët, ku më së shumti promovohet aktiviteti rutinor i drejtuesve të mbrojtjes.
Përtej pozitivitetit të shënuar në ecurinë e Forcave të Armatosura, prezencës së tyre në NATO dhe misionet e saj për llogari të sigurisë dhe paqes, ka ende sfida për t’u kapërcyer.
Ka mjaftueshëm qasje që janë prezente, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me personelin, burimet tjera të fushës së mbrojtjes, si strukturat, sistemet, pajisjet, armatimi, teknika, pronat, shërbimet e përkujdesjes për ushtarakët siç janë pagat, uniforma, trajtimi me strehim, përkujdesja shëndetësore, stërvitja, arsimimi, etj.
Ka një numër të konsiderueshëm arsyesh për ta justifikuar këtë pozitë aspak të favorshme, po kaq dhe të padëshiruar në menaxhimin e këtij personeli. Karriera në funksionet ushtarake fatkeqësisht dhe në veçanti për ata, është kushtëzuar nga një parregullsi rregullash me gjasme vlerësimin e tyre, gjë e cila ka krijuar diferenca që duhen analizuar dhe kapërcyer. Vlerësuar në këtë pikëshikim, këto diferenca janë të kapshme lehtësisht, mjafton të investigohen urdhërat e njëpasnjëshëm, pse jo dhe të dhënë qëllimisht, për ta bërë këtë hendek kaq të dallueshëm. Ka qëlluar në mënyrë permanente, që media të rrokë shqetësimet të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin dhe ecurinë në karrierë të personelit, por mospërgjigjet apo reagimet shkurt duke gjetur justifikimin në stilemën “reformë në ushtri”, e kanë justifikuar punën e komisioneve të karrierës.
Në emër të transparencës për vlerësimin e personelit është goditur ai brez që mund të quhet vërtetë i artë, pikërisht 40-vjeçarët në moshën dhe pjekurinë e lakmuar për të shërbyer. Ushtarakët përgjithësisht nuk duhet të influencohen as nga nostalgjia, e as nga pritshmëritë e të sotshmes dhe të së nesërmes, përkundër kësaj ata mirëfilltë u duhet të jenë profesionistë në përputhje me parimet kryesore të fushës së tyre të përgjegjësisë. Nëse artikulojmë më tej rreth kësaj çështje pikërisht ky brez duhet për t’u mbajtur në konsideratë. Trajnimi i personelit u trumbetua me të madhe gjatë gjithë kësaj periudhe, por për fat të keq kurset e trajnimit dhe ecuria në karrierë mbetën luksi vetëm për një pjesë servilësh dhe të nënshtruarish me lidhje nepotike, të cilët dhe pasi u nënshtruan këtyre kurseve, nuk ishin në gjendje të sjellin në praktikë ndonjë risi për t’u shënuar.
Kapërcimi i kompetencave nga funksionarët politik, ndërkohë dhe heshtja dhe zbatueshmëria e detyrës nga funksionarët ushtarakë, nuk ka pse t’i rrëshqasë të vërtetës dhe logjikës së ftohtë. Ka mjaftueshëm arsye për të bërë një transparencë të plotë në lidhje me hapat e rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara. Si rezultoi ky lloj përmirësimi, kur vetëm në harkun kohor të 15 viteve të fundit Forcat e Armatosura u janë nënshtruar jo më pak por 19 ristrukturimeve? Metafora “Po vjen struktura e re” është shndërruar në rendin e ditës, e ardhja e herëpashershme e saj na kthen në pikën zero.
Sigurisht sot ushtarakët kanë të drejtë të jenë krenarë, pasi Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë anëtare të NATO-s, kësaj Aleance më garante të sigurisë dhe paqes në mbarë botën.
Edhe pse në këto kushte, përsëri ushtarakët kanë mbetur pa një status të qartë, përpos kaq, statusi i ushtarakut është ndryshuar disa herë, për të mbetur ashtu amorf siç është aktualisht. Të konsideruar si “mall i lirë” ushtarakët nuk kanë mundur të vetanalizojnë, e as nuk kanë patur qasje për të bërë një analizë të qartë për shumë e shumë probleme, të cilat e për të cilat nuk janë fajtorë, e nuk ka pse të jenë përgjegjës.
Ende deri sot në Shqipëri nuk ka një analizë publike, kombëtare për ngjarjet e vitit 1997. Pavarësisht artikulimit të vazhdueshëm në media për Gërdecin e famshëm, ende nuk ka një analizë të qartë, por thjesht “fajtorë të uniformës së blertë” e pa asnjë faj të cilët thirren e stërthirren në gjykata dhe fajtorët e vërtetë sot janë në kupolë të politikbërjes.
Gjatë gjithë kësaj periudhe Forcat e Armatosura në vazhdimësi i’u nënshtruan një transformimi rrënjësor në rrugën për t’u bërë anëtare të NATO-s.
Në këtë rrugëtim u dëshmua se Forcat e Armatosura kishin e kanë një korpus oficerësh të përgatitur dhe të edukuar për të bërë detyrën e shtetarit nën uniformë.
Edhe pse u bënë hapa të rëndësishëm në përmirësimet strukturore, për të patur një operacionalitet dhe ndërveprueshmëri të niveleve të kërkuara, shpesh dhe më shpesh ishin ushtarakët ata të cilët në emër të “statusit” dilnin në rezervë, e fatkeqësisht në moshën më të mirë për të shërbyer.
Akoma më i dhimbshëm është fakti, kur një ushtarak i trajnuar në Perëndim viktimizohet po në emër të “statusit”.
Pothuaj çdo vit ndryshojnë rregullat të cilat përcaktojnë kriteret e trajnimit dhe karrierës së ushtarakut.
Diferencimi në pagë për funksione që relativisht kanë të njëjtën ngarkesë në punë, shpeshherë e ka demotivuar personelin.
Me status të papërcaktuar ushtarakët nuk kanë mundësinë e të bërit problem të shqetësimeve që ata mund të kenë.
Ende deri sot nuk është marrë në konsideratë të bëhet një analizë në lidhje me shpenzimet e qindra miliona lekëve për të ndërtuar, apo ristrukturuar shumë objekte ushtarake, të cilat dolën jashtë funksionit vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre.
Po kështu nuk ka një transparencë në lidhje me pasuritë dhe resurset materiale që dalin jashtë funksionit;
Ku shkojnë dhe si administrohen të ardhurat që mund të krijohen nga shitja, apo transformimi i tyre.
Në këtë hark kohor janë ripunuar rregullore, apo dhe ligji për autoritetet e komandimit e drejtimit, por ata ende mbeten jo qartësisht të shprehura për një ndarje të kompetencave, çka bën shumë herë të vazhdojnë reminishencat.
Shpesh një drejtor civil në Ministrinë e Mbrojtjes merr kompetencën e drejtuesve të lartë ushtarakë, duke anashkaluar qëllimisht argumentin e këtyre të fundit.
Ushtarakët janë pjesë e nderuar e shoqërisë shqiptare, të cilët shpesh në kushte të vështira ekonomike, madje deri në kufijtë e varfërisë, pa strehim, pa trashëgimi, pa mundësi pasurimi, pa pjesëmarrje në privatizimin kombëtar, arritën të qëndrojnë dinjitoz në detyrën e tyre fisnike.
Kur më sipër, është thënë, që ata nuk duhen anatemuar, në kushtet kur shteti sillet si njerku me ata, ka shumë e shumë argumente të tjerë që thuhen e thuhen vazhdimisht në komunikimin ndërushtarak e më gjerë, mbasi Forcat e Armatosura janë pasuri kombëtare, që disponojnë resurse njerëzore e materiale për të mbetur qartësisht në detyrën e tyre siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.