V.F.L.P.

 Nga Enkel Demi – Eljani dhe shokët para se të shkonin të bënin betejën e liqenit ngritën grushtin përpjetë dhe e hodhën foton në rrjet. Në fakt, jam i befasuar me Eljanin, sepse e njoh prej do vitesh dhe kam pikasur tek ai një njeri të dashuruar me filozofinë. Megjithatë, udha më e shkurtër për t’u dalluar është revolucioni dhe e majta. Të jesh komunist është gjëja më e lehtë në botë. Mjaft të lexosh tre sllogane, librin “Nëna” të Gorkit, të shohësh filmin “Che”, të dëgjosh vetëm një këngë të Buena Vista Social Club, “Comandate…” dhe ja ku u bëre. Në një dramë shqipe të fundviteve ’80 me titullin “Komunistët”, një burrë i vjetër i Tiranës konvertohej në komunist pas një fjalie magjiplotë: “Ka emër të bukur partia jonë, ajo quhet Partia Komuniste Shqiptare”. Kaq dhe i moshuari thotë : “Mos vdeksha pa e pi një kafe me atë burrë!”. Me kë burrë do pinte kafe? Me atë që në kohën e luftës e kishte zgjedhur nofkën Tarasi. Duhet të ketë qenë njeri me humor të shfrenuar dhe vizionar ai burri.

 Gjithsesi, komunistët e rinj të Shqipërisë janë dhe ambjentalistë dhe kanë rrokur çështjen e mbijetesës që është këndi i lojërave për fëmijë. Një pjesë e tyre të djelën u përleshën sërish, madje i kanë qëlluar me bisht lopate në lukth njërit prej ambjentalistëve më të njohur të qytetit që ishte veshur polic. Pak a shumë si Kadri Roshi tek “Heronjtë e monumenteve” që u vesh ushtar i austriakëve për çapën e bukës.

 Disa prej demonstrueseve përzunë nga fusha e betejës Altin Goxhajn, të cilin e vlerësojnë fashist, sepse e shohin si të inflirtuar prej PD-së në këtë protestë të dlirë si gjaku i revolucionit. Kjo ngjarje më bëri të qesh, pasi m’u kujtua si në Sarandë në vitin 1992 hanim dru me Altinin nga komunistët e atjeshëm, sepse i mësuam një francezi me megafon të briste në mes të qytetit “Ramiz Alia është shkërdhatë!”. Duket Altinin nuk ka për ta zënë kurrë haka e Sorosit, por e komunistëve.

 Nejse, komunistët u përleshën dhe do syresh ranë në burg. Në Komisariatin 1 u shoqëruan 6 prej tyre dhe shokët e shoqet i pritën përjashtë me stoicizëm. Këtu trashet robi! Ç’donte në komisariat për të liruar shokët e ndaluar Flamur Noka, Arben Ristani dhe Leonard Olli? Në raportin e Ora nëse jua morën fytyrën dhe atyre. Kush u tha tre drejtuesve të PD-së të shkonin në polici? Nuk e mësuan ata fatin e Altinit? Apo ndoshta në ndërgjegjen e Lulit peshojnë ende ato votat e Partisë Komuniste që Ilir Meta i administroi aq mjeshtërisht në zgjedhjet vendore të vitit 2011? Ose dikush ka dashur që tre udhëheqësit e lartë demokratë të binin në grackën e njësitit guerril.

SHKARKO APP