Vasili: Koncesionet, të maksimalizohet transparenca

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar” nismë kjo e grupit parlamentar të LSI-së.

Të ftuar ishin Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, të cilët prezantuan para anëtarëve të komisionit risitë e kësaj nisme.

Vasili tha se qëllimi i këtij projektligjit është përfshirja e konceptit të “vlerësimit të alternativës” në aktin bazë që rregullon kompetencat e autoriteteve kontraktuese për të hyrë në marrëveshje koncesionesh.

“Qëllimi më i mirë dhe kryesor i saj është për të shtuar dhe maksimizuar transparencën në të gjithë procesin e partneritetit publik privat. Së dyti për të mundësuar që leverdishmëria, pra dobishmëria e tij në çdo rast ku ai aplikohet është e qartë dhe evidente, e kuptueshme dhe për opinionin e tërë publik i cili do të jetë më tej përfituesi përkatës i shërbimeve”, – tha Vasili, teksa risolli në vëmendje çështjen “Panama Papers”, duke theksuar se ky proces kërkon më shumë transparencë.

“Nën dritën e ngjarjeve më të fundit, siç qe fenomeni mbarë botëror tashmë i pagëzuar me emrin ‘Panama Papers’, transparenca e plotë dhe pa ekuivoke, evidenton qartë në procesin e përzgjedhjes, në partneritete publike dhe private, kompanitë, raportet që kompanitë kanë me fiskun, raportet që ata kanë me veprimtaritë e paligjshme, por edhe mundësinë që ato të penetrojnë në sistemin publik shtetëror nëpërmjet koncesioneve”,- shtoi kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së.

Më tej, Vasili deklaroi se institucionet më të rëndësishme financiare si FMN dhe BB kanë shprehur preokupacion për këto praktika dhe kanë evidentuar që transparenca është ajo që duhet të na udhëheqë.

“Të gjitha institucionet më të rëndësishme financiare që asistojnë vendin, më së pari FMN por edhe BB i janë kthyer e rikthyer me preokupacion kësaj praktike dhe kanë evidentuar që transparenca, një studim i plotë në mënyrë të veçantë i udhëhequr nga Ministria e Financave i fizibilitetit dhe bindja e plotë që kjo është zgjidhja më e mirë në çdo rast se sa format e tjera e përdorura më parë, janë ato që do të na udhëheqin”, – shtoi Vasili gjatë fjalës së tij para anëtarëve të komisionit.

“Një moment tjetër i rëndësishëm i ligjit është dhe kohëzgjatja e këtyre koncesioneve. Ne kemi propozuar, bazuar mbi një bindje të plotë e kemi bërë këtë propozim, që ratifikimi i këtyre marrëveshjeve koncesionare, të cilat pra tashmë do ta kenë miratimin e këtyre tre institucioneve tashmë, sipas propozimit që bëhet, të ratifikohet dhe në Parlament, – u shpreh Vasili. – Ka qenë një preokupacion i ngritur nga opozita e djeshme për një transparencë më të madhe dhe për konsultimin e Parlamentit dhe me shumë të drejtë deputetë të opozitës së djeshme kanë kritikuar mazhorancën e djeshme pse një pjesë e mirë e koncesioneve nuk vinin në Parlament. Besoj që kjo kritikë e bërë dje merr një përgjigje sot pasi të gjitha këto do të kenë mundësi të dëgjohen të debatohen dhe të ratifikohen në Parlament dhe i tërë opinioni publik ka mundësi në mënyrë shumë transparente të dëgjojë që kjo zgjidhje ka qenë më e mirë”, – përfundoi Petrit Vasili.

Pas prezantimit, mbledhja vijoi me diskutime mes anëtarëve të komisionit dhe nismëtarëve të projektligjit.

SHKARKO APP