Vasilika Hysi: Parlamenti nuk është shtojcë e qeverisë
una e ministrave monitorohet nga Parlamenti. Ajo vlerësohet dhe kur puna nuk shkon mirë, edhe do të kritikohet për ta përmirësuar”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “KJ”, deputetja socialiste, Vasilika Hysi, lidhur me nga kritikat që kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, ngriti në një nga seancat e fundit plenare ndaj disa ministrave. Duke shtuar në këtë kuadër faktin se “sa më i fortë të jetë kontrolli parlamentar, aq më e suskseshme do të jetë qeverisja”. “Lidhur me nevojën për ndryshime në qeveri, unë them se nuk ka nevojë. Ekipi qeverisës po punon mirë”, pohon më tej ajo gjatë kësaj interviste për “KJ” ….
Kanë kaluar gati 13 muaj që nga ardhja në pushtet e qeverisë së majtë. Si do ta vlerësonit punën që është bërë deri tani nga qeveria aktuale dhe sa efekt apo impakt pozitiv kanë pasur disa nga reformat kryesore që janë ndërmarrë prej saj?
Është vështirë t’i përgjigjesh në mënyrë të plotë pyetjes suaj, pasi janë disa reforma të mëdha të ndërmarra që kërkojnë më shumë hapësirë për të listuar ndikimin e tyre në shoqëri dhe në zhvillimin e vendit. Që në fillimin e qeverisjes, kjo qeveri kishte përgjegjësi të ndalonte të tatëpjetën e ekonomisë së vendit dhe të mësonte gjendjen reale në çdo sektor. Për mendimin tim, u deshën disa muaj për të bërë transparente gjendjen në sektorë jetikë dhe për të përcaktuar strategjitë e daljes nga situata e rënuar. Të gjitha reformat e ndërmarra janë të rëndësishme, parësore për qytetarët dhe kanë ndikim të drejtëpërdejtë në jetën e tyre. Unë do të përmendja disa prej tyre.
Rendi dhe siguria janë bazë për zhvillimet në çdo fushë të jetës, lufta kundër kultivimit të drogës në zona që ishin njohur edhe jashtë vendit. Secili prej nesh e njeh ndikimin që ka ekonomia e vendit, shëndeti i qytetarëve, lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës. Vendi mund të zhvillohet me ekonomi të ndershme dhe jo me para të krimit.
Mbrojtja e mjedisit dhe kthimi i mjediseve publike të zaptuara në shërbim të publikut jo vetëm që po u jep frymëmarrje qyteteve dhe banorëve, por mundëson planifikimin dhe zhvillimin urban të qyteteve sipas kërkesave për një jetesë të shëndetshme.
Reforma në arsimin e lartë, frenimi i shkatërrimit të sistemit arsimor me disa shkolla që ishin kthyer në piramida që mblidhnin paratë e njerëzve dhe jepnin kartona, por vetëm arsim nuk ofronin, do ta japë ndikimin e vet pas disa vitesh, por është një nga reformat që do të ndikojë në suksesin e të gjithë reformave të tjera. Nuk mund të ketë zhvillim të një vendi, pa pasur burime njerëzore të formuara sipas kërkesave të tregut.
Pak ditë më parë, qeveria bëri publike strategjinë për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare në sistemin e energjisë. Kjo reformë, jo vetëm që do të shëndoshë ekonominë, por do t’i japë fund pabarazisë: disa paguajnë energjinë dhe të tjerë e vjedhin atë. Kam dëgjuar shumë zëra, kryesisht nga opozita, se njerëzit do të paguajnë më shumë, por nuk kam dëgjuar gjë që të marrësh një mall dhe të mos e paguash atë, madje këtë e kanë bërë edhe institucionet dhe kjo është vjedhje. Pavarësisht debateve që ka, një gjë është e sigurt, ekonomia do shëndoshet me paratë që shkojnë sot për të paguar humbjet në sistem dhe nga vjedhjet do të ketë më shumë investime për qytetarët, se shtresat që preken nga heqja e kufirit të çmimeve të ndryshme do të marrin drejtëpërdrejt lekë më shumë për të përballuar këtë ndryshim.
Forcimi i administratës publike mes konkurrimeve me pjesëmarrje të madhe kandidatësh dhe trajnimeve të punonjësve në detyrë është një tjetër reformë e ndërmarrë. Le të shohin efektet e ligjit të ri të nënpunësit civil. Por një fakt është mëse i qartë: është arritur të bëhet inventari i burimeve njerëzore, të unifikohen procedurat e marrjes në punë, do të ndryshojë mënyra e matjes së cilësisë së punës së punonëjsve të administratës publike.
Reformë tjetër, është vënë në rrugën e zgjidhjes problemet e pronës dhe të shpërblimit të pronarëve të saj, një “gangrenë” që ka bllokuar ekonominë e vendit dhe ka prodhuar kosto ekonomike, financiare, morale të mëdha. Sot shteti dhe qytetarët paguajnë moszgjidhjen e drejtë të problemeve të pronës dhe për korrupsionin në drejtësi. Fatura financiare për dënimet e gjykatës së Strasburgut është e madhe. Mendoni sikur ato para të ishin përdorur për shëndetësinë, strehimin social, për arsimin etj, sa shumë njerëz do të përfitonin nga investime të tilla.
Reforma territoriale-administrative është një hap tjetër shumë i nevojshëm që hodhi kjo qeveri dhe që prej vitesh nuk guxonte të hidhte asnjë qeveri e mëparshme. Falë saj do të ketë më shumë zhvillim rajonal, por edhe mirëmenaxhim të burimeve natyrore, njerëzore, financiare dhe zhvillim të territorit. E rëndësishme është paketa e ligjeve që po përgatit qeveria në kuadër të qeverisjes vendore.
Ka edhe shumë reforma të tjera të ndërmarra në fushën e shëndetësisë, të kulturës, bujqësisë, pensioneve dhe shërbimeve sociale që kanë filluar të japin efektet e tyre. Së shpejti, do të fillojë edhe reforma në drejtësi, e cila është shumë e mirëpritur nga publiku dhe vetë profesionistët.
A mendoni se ka nevojë për ndryshime në qeveri nga ana e Partisë Socialiste, nisur edhe nga kritikat që kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, ngriti ndaj disa ministrave?
Ju falënderoj për pyetjen që më bëni. E them këtë se është e para mazhorancë që ka filluar të zbatojë parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe jo vetëm përfaqësues të medias që nuk e kuptojnë këtë, por edhe njerëzit, madje mbështetësit tanë.
Shumica parlamentare ka qeverinë e saj, por kjo nuk do të thotë që Parlamenti është shtojcë e qeverisë. Parlamenti ushtron kompetencat e veta të përcaktuara në Kushtetutë. Krahas procesit legjislativ, Parlamenti ka kompetenca të kontrollit parlamentar, pra edhe të qeverisë. Puna e ministrave monitorohet nga Parlamenti. Ajo vlerësohet dhe kur puna nuk shkon mirë, edhe do të kritikohet për ta përmirësuar. Ne jemi votuar për të zbatuar një program qeverisës dhe mbajmë përgjegjësi për realizimin e tij së bashku me qeverinë. Sa më i fortë kontrolli parlamentar, aq më e suskseshme do të jetë qeverisja.
Lidhur me nevojën për ndryshime në qeveri, unë them se nuk ka nevojë. Ekipi qeverisës po punon mirë, pavarësisht se disa janë më të pranishën në media, por të tjerë kanë zgjedhur të jenë më pak të pranishëm në media.
Në një qeverisje demokratike, roli i pozitës është i ndërlidhur ngushtë me opozitën. Sa produktive dhe bashkëpunuese ka qenë opozita që prej fillimit të qeverisjes së majtë?
Është e vertetë që roli i opozitës është i rëndësishëm në një demokraci parlamentare. Roli i opozitës në Parlament, nuk mund të zvëndësohet, pavarësisht se edhe mazhoranca në Parlament ka luajtur rolin e vet konstruktiv. Për fat të keq, opozita nuk ka qenë bashkëpunuese jo vetëm për faktin se është jashtë Parlamentit, por edhe kur ka qenë në Parlament nuk ka diskutuar për çështje që shqetësojnë publikun dhe të kritikojë qeverisjen e të ushtrojë mekanizmat e kontrollit parlamentar. Uroj dhe shpresoj që opozita do të kthehet shpejt për të përfaqësuar zgjedhësit e saj dhe luajtur rolin që mban. Opozita ka mundësi të shprehet për qeverisjen, por edhe të ofrojë alternativa. Është koha që ajo të vijë në parlament për shkak të reformave të mëdha që po ndërmeren. Reformat nuk janë vetëm për ata që qeverisin, por për të gjithë qytetarët.
Marrëdhëniet mes dy forcave politike kryesore, PS-së dhe PD-së, do t’i cilësonit më të mira gjatë kohës që kjo e fundit drejtohej nga Berisha, apo tani që drejtohet nga Basha?
Nuk shoh ndonjë dallim nga ana e PD-së, aq më tepër që opozita nuk është në Parlament. Nga ana e mazhorancës ka një qasje tjetër ndaj opozitës. Nëse i referohemi Parlamentit, shumica e kohës së diskutimeve parlamentare është përdorur nga opozita. Shumë projektligje të rëndësishme janë mbajtur gjatë në diskutim në komisione për t’i dhënë mundësi opozitës të jetë pjesë e procesit. Edhe kur opozita ishte në Parlament, është përpjekur të pengojë punimet e Parlamentit me një taktikë të zgjedhur prej saj, për të bërë të gjitha diskutimet në lidhje me rendin e ditës, pa folur për projektligjet.
Partia Socialiste ka rritur numrin e grave pjesëmarrëse, në qeverisje. A janë të mjaftueshëm numrat dhe sa rëndësi ka, sipas jush, përkatësia gjinore në qeverisjen e vendit?
Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në çdo nivel është jo vetëm një e drejtë, por edhe domosdoshmëri. Gratë përbëjnë 50% të popullsisë, shtresa e mirë arsimuar dhe në disa fusha përbëjnë numrin më të lartë të të shkolluarave. Kryeministri Rama ka qenë model për vlerësimin e punës së grave dhe këtë e dëshmon jo vetëm numri i grave në qeveri, por edhe në shumë drejtori dhe sektorë të rëndësishëm. Në programin politik dhe në kodin zgjedhor janë vendosur kuota. Kjo është një masë e nevojshme, për aq kohë sa shoqëria është maskiliste dhe nuk i vlerëson gratë sa duhet. Por nuk do të thotë se gratë në parlament dhe në qeveri përbëjnë numra. Ato janë vlerë në qeveri, Parlament dhe në pjesën tjetër të administratës publike. Unë vlerësoj të gjithë ekipin qeverisës, por jam shumë e kënaqur që gratë ministre punojnë me përkushtim dhe ndërgjegjie. Kjo tregon sesa më shumë gra në vendimmarrje në nivel qendror dhe vendor aq më mirë do të ecin punët në këtë vend. Edhe gratë deputete janë të përkushtuara dhe ngrejnë zërin e tyre për shumë grupe sociale, për çështje me rëndësi, për nisma ligjore me natyrë sociale, për të mos lënë pa përmendur që janë shumë të përgjegjshme dhe të palodhura.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, mbetet në fokus të kritikave. Nga një çështje parimesh, reforma po kthehet në një debat emrash, si rasti i fundit i shkarkimeve në KLD. A është e përgatitur klasa politike për të bërë reformën që kërkohet nga ndërkombëtarët?
Reforma në drejtësi nuk është çështje emrash, por është ndërtim sistemesh dhe mekanizmash që e bëjnë sistemin e drejtësisë të pavaruar, efektiv dhe të vlerësuar nga publiku. Klasa politike është e përgatitur. Reforma do të jetë gjithëpërfshirëse, me angazhimin e të gjithë profesionistëve, ekspertëve, akademikëve, asistencën ndërkombëtare. Do të ketë analiza të asaj që është bërë, të arritjeve dhe të problemeve për zgjidhje. Reforma do të përfshijë shumë fusha. Vendimmarrja politike në Parlament do të bazohet në gjithë studimet dhe vlerësimet e bëra nga vetë sistemi i drejtësisë, mekanizmat vendas e të huaj që monitorojnë dhe asistojnë sistemin e drejtësisë.
Unë jam pjesë aktive e politikës dhe shpesh dëgjoj shprehje, madje ndihem keq kur dëgjoj se fajtore për çdo gjë është klasa politike; se politikanët janë të korruptuar, se ky vend ka probleme vetëm për shkak të klasës politike etj.
Të gjithë ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, jetojmë dhe punojnë mes njerëzve, jemi zgjedhur prej tyre. Klasa politike është e përgatitur të bëjë reforma, por ato nuk bëhen të vetme. Për më tepër që reformat bëhen të mira, kur të gjithë kontribuojnë në to. Publiku është dhe duhet të jetë vëzhgues i kujdesshëm, vlerësues, kontribues në këto reforma. Vetëm kështu, klasa politike do të jetë e përgjegjshme për përgjegjësitë që ka në qeverisjen e vendit.
Së fundmi zonja Hysi, zgjedhjet lokale janë ende larg, por lakimi i emrave për bashkitë kryesore ka kohë që ka nisur. Në bashkinë e Tiranës, duhet një kandidat i Partisë Socialiste, apo i Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Ajo që mund të them është se duhet një kandidat/e që të punoj për banorët e Tiranës dhe që do t’i përkushtohet qeverisjes së qytetit dhe do të votohet nga shumica e tyre. Ju falënderoj për intervistën!