Veliaj: 5000 shqiptarë që nuk plotësonin kushtet, do marrin pensionin social
“Sot për herë të parë, 5000 shqiptarë që nuk plotësonin kushtet për pension do të mund të marin pensionin social”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj në konferencën e organizuar për reformën e pensioneve.
Kjo skemë prek çdo shtetas shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç dhe ka qëndrim të përhershëm në Shqipëri mund të përfitojë pension social sipas vendimeve të qeverisë. Pra, që të përfitosh pension social duhet të kesh mbi 15 vite punë, si dhe ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruar dhe që janë mbi 70 vjeç. Nëpërmjet pensionit social mund të përfitojnë ata që nuk kanë mbushur vitet e pensionit.
“Sipas skemës së re, mosha e pensioneve nuk do të rritet, por është negociuar në mënyrë të tillë që mosha e pensionit te rritet gradualisht për ata qe sot ende nuk kanë mbushur 30 vjeç”, tha Veliaj.
Lidhur me masën konkrete të pensionit social është vendosur që masa mujore të jetë e barabartë me shumën e pensionit të pjesshëm të pleqërisë të 31 dhjetorit të 2014ës, përllogaritur për 15 vite vjetërsi pune të siguruara kundrejt pagës minimale.
Kësaj mase i shtohen edhe kompesimet për rritjen e çmimeve dhe për pensionistët me të ardhura minimale sipas masës dhe kritereve të përcaktuara ne vendimet e Këshillit të Ministrave.
Vendimi ka të bëjë me kompesimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, kompesimin përkatës të përcaktuar për rritjen e pensioneve 2009-2010.
Nga përllogaritja e këtyre rezulton se duke nisur nga 1 janari i 2015 , masa e pensionit të plotë social të jetë 67.500 lekë të vjetra në muaj.
Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se Shqipëria është në prag të mbylljes së negociatave me Italinë për pensionet, për të gjithë emigrantët.
Veliaj zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Itali, ku u takua me homologun e tijGiuliano Poletti dhe Presidentin e Komisionit të Punës në Dhomën e Deputetëve, Cesare Damiano.
Në takimin e zhvilluar për hapjen e negociatave me Italinë, Veliaj theksoi se “secila palë duhet të përgatisë një raport, ku do të përfshihet numri i qytetarëve shqiptarë dhe italianë që punojnë në vendet respektive, si dhe koston financiare të operacionit. Gjykoj se është një hap shumë i mirë që do të na shpinte në hapin tjetër, atë të hapjes së negociatave”. Nga kjo marrëveshje do të përfitonin edhe rreth 19.000 qytetarët italianë që aktualisht punojnë në Shqipëri.
Një tjetër marrëveshje për pensionet është nënshkruar me Belgjikën. Numri i qytetarëve shqiptarë në Belgjikë është rreth 35 mijë, të cilët në një formë apo në një tjetër, mund të jenë objekt i marrëveshjes. Këtyre qytetarëve u lind e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore në një periudhë të dytë, kur ata të kenë mbushur moshën për pension.
Qytetarët shqiptarë që janë në Belgjikë dhe kanë më pak se 15 vite pune të siguruara nuk do të jenë në të ardhmen subjekt i kësaj marrëveshjeje, por, duke pasur parasysh që ata janë relativisht të rinj dhe duan të paktën 10 vjet për të dalë në pension, efektet financiare do të fillojnë pas një periudhe mesatarisht 10vjeçare. Me një llogaritje të përafërt, shpenzimet që do të mbulojë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për sigurimet shoqërore, do të jenë rreth 17 milionë e 200 mijë lekë, ndërsa kostot administrative do të jenë të pallogaritshme
Gjithashtu një tjetër marrëveshje është ajo me Luksemburgun, e cila u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin shqiptar, nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas.
Veliaj është shprehur në lidhje me këtë marrëveshje se ‘nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla me vende si Belgjika apo Luksemburgu bëjnë të mundur që një emigrant shqiptar në Greqi apo Itali, mjafton të ketë punuar qoftë edhe një muaj në një nga vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen, mund të përfitojë njohjen e kontributeve të pensionit të fituara në secilin prej vendeve të BE-së’.
Përveç Belgjikës dhe Luksemburgut, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, Gjermaninë, Çekinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë. MMSR do të nënshkruajë shume shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë. Nga ana tjetër, nënshkrimi i marrëveshjes me Italinë nënkupton një vend, ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh.
Negocimi, përafrimi dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për mbrojtjen sociale ndërmjet Shqipërisë dhe Luksemburgut, e më pas ratifikimi dhe zbatimi i saj në praktikë, ka realizuar mbështetjen në aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të rreth dy mijë emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Luksemburg.