Veliaj: 92.521 kontribues më shumë në skemën e sigurimeve shoqërore
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shtyn deri në 31 mars afatin brenda të cilit subjektet private mund të shlyejnë detyrimet e papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëmarrësit e tyre. Deklarata u bë sot në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ku theksoi se ministria do t’i propozojë qeverisë miratimin e një ligji, nëpërmjet të cilit subjekteve debitore ndaj sigurimeve shoqërore do t’u falet 80 për qind e gjobës, nëse i paguajnë kontributet e vonuara për punonjësit e tyre brenda 31 marsit.
“Dua të shpalos para jush edhe një nismë të kërkuar nga kryeministri dhe dakordësuar nga të gjitha autoritetet e tjera, i cili vjen si një propozim i ngjashëm me atë për vjeljen e detyrimeve të energjisë elektrike. Për shkak të situatës së vështirë dhe rreshjeve në jug të vendit, afati për pagesën e detyrimeve për sigurimet shoqërore do të shtyhet nga 15 shkurti në 31 mars. Gjithashtu, duam të bëjmë edhe faljen e 80 për qind të gjobës për ato subjekte, të cilat brenda datës 31 mars do të paguajnë të plota principialet e detyrimeve të sigurimeve shoqërore”, shpreh ministri Veliaj.
Ai bëri të ditur se në total borxhi ndaj Insitutit të Sigurimeve Shoqërore shkon në 112 milionë dollarë, nga të cilat 15 milionë dollarë janë detyrimeve të institucioneve publike dhe 97 milionë dollarë janë detyrime të subjekteve private. Ndërsa, numri total i subjekteve debitore, sipas ministrit Veliaj, shkon në 59.411, nga të cilat 1208 janë institucione publike dhe 58 203 private. Z. Veliaj tha se situata ka filluar të ndryshojë dhe kjo si pasojë e fushatës ndërgjegjësuese që ka ndërmarrë qeveria.
Nga ana tjetër, duke u fokusuar te çështja e punësimit, ai deklaroi se në bazë të të dhënave zyrtare, në fund të 2014 në sistemin e sigurimeve shoqërore rrezultuan 92.521 kontribues më shumë sesa në vitin 2013. “Forcimi i lidhjes mes kontributeve dhe benefiteve ka nisur të japë efekte para se reforma të hynte në fuqi. Kjo gjë forcoi besimin e shqiptarëve në skemë dhe për rrjedhojë numri i kontributeve u rrit me 92.521 kontribues, krahasuar me 81.952 që kishim parashikuar. Rritja me 92.521 kontribues në 2014 është historike falë punësimeve të reja, por edhe zbardhjes së vendeve të punës. Asnjëherë në 24 vitet e fundit nuk kemi patur një rritje të sigurimeve shoqërore dhe të bazës së atyre që punojnë me mbi 15 për qind, si këtë vit. Kjo do të thotë se kemi një standard shumë të lartë për të ruajtur”, deklaroi z. Veliaj.
Gjithashtu, duke folur për reformën e pensioneve, ai theksoi se si rrjedhojë e saj situata financiare e skemës është shëndoshur vetëm për gjatë një viti me afro 70 milionë dollarë. “Për vitin 2015, kemi buxhetuar për pensionistët nga subvencioni shtetëror rreth 30 milionë dollar më pak sesa tavanet që kishim parashikuar dhe kjo falë performancës më të mirë që ul nevojën për subvencionet nga Buxheti i Shtetit. Vetëm nga të vetëpunësuarit në bujqësi ISSH ka grumbulluar 40 milion dollarë më shumë”, u shpreh z. Veliaj.
Ai shtoi se në total skema është shëndoshur me rreth 70 milion dollarë, çka e përmirëson ndjeshëm situatën financiare të skemës së pensioneve. Sipas tij, rritja e numrit të kontribuesve ku përfshihet lufta kundër informalitetit dhe hapja e vendeve të punës janë rrugët kryesore për rritjen e të ardhurave dhe uljen e defiçitit.