Veliaj: Në dy vitet e ardhshme do investojmë në Kodër Kamëz, Fresku, Astir, Unaza e Re dhe Yzberisht
Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të veçantë përmirësimit të infrastrukturës në zonat në periferi të qytetit. E amortizuar ndër vite, si pasojë e mungesës së investimeve, shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini” në Kodër Kamëz i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, ndërsa do t’i shtohen edhe 17 klasa të reja për t’i dhënë fund mësimit me dy turne.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Rakip Suli, theksoi se investimi është afatgjatë dhe planifikon rritje të numrit të nxënësve në këtë shkollë për vitet e ardhshme. “Më në fund shkolla “Isa Boletini” do të çlirohet nga makthi i klasave me dy turne sepse zona është transformuar. Fatmirësisht është ruajtur integriteti i pronës së shkollës, një territor i cili ka qenë ndër vite i lakmuar. Ka ndërtime informale gjithandej rreth e rrotull, por tani që kemi ruajtur integritetin e shkollës do të shfrytëzojmë hapësirat brenda saj për të shtuar klasat. Praktikisht po ndërtojmë një shkollë të dytë sepse shtesa është me 17 klasa, ndërkohë që 15 klasa bëjnë turnin e dytë. Kështu, jo vetëm që kemi hapësira për ata që e bëjnë mësimin turnin e dytë, por kemi edhe për të ardhmen, me shtesat që mund të vijnë nga rritja e popullsisë së zonës dhe nxënësve që do të regjistrohen në këtë shkollë”, tha ai.
Veliaj vlerësoi se krahas cilësisë në mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të ndihmojë edhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për të zhvilluar mësimin. “Shkolla ka një reputacion shumë të mirë. Kemi pasur plot nxënës me dhjeta, do të thotë që nuk ka rëndësi nëse e ke shtëpinë në Bllok apo në Kodër Kamëz, kush mëson, kush është i aftë, kush përpiqet, kush ka talent, ka një të ardhme në Tiranë. Ndaj besoj se ka ardhur koha që edhe cilësia e infrastrukturës ku dalin nxënësit me dhjeta të jetë e njëjtë si talenti i nxënësve të mrekullueshëm që kemi në këtë shkollë”, nënvizoi Veliaj.
Duke u ndalur te investimet në dy vitet e ardhshme, ai shtoi se fokusi do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat në periferi të kryeqytetit. “Bashkia e Tiranës, pasi ka rregulluar hapësirat qëndrore siç është sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri, ka filluar të fokusohet më shumë në periferi. Fokusi në dy vitet e ardhshme të mandatit tonë do të jenë Kodër Kamza, Fresku, zona e Astirit, Unazës së Re, zona e Yzberishtit, ku kemi pasur edhe problematikat e ditëve të fundit, apo zona e Liqenit Artificial. Pra, zonat periurbane të Tiranës, të cilat janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa ritmi i investimeve të Bashkisë së Tiranës, qoftë për institucione sociale, qoftë për rrjetin ujësjellës apo atë rrugor”, tha Veliaj, i cili kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të liruar vullnetarisht hapësirat e zëna pa leje ndër vite duke penguar zhvillimin.
“U bëj thirrje të gjithë atyre banorëve të cilët kanë zaptuar dhe ndërtuar pa leje në territore të institucioneve sociale, siç është rasti konkret i kopshtit, që do të lirohet së shpejti për të filluar punën, ta bëjnë këtë pa ardhur fadromat e bashkisë. Për të gjitha hapësirat ku legalizimi është në fuqi, do të respektojmë ligjet e këtij vendi, do ndihmojmë qytetarët të legalizohen, ta bëjnë falas, por për ato hapësira ku kërkohet legalizim brenda në çerdhe, në kopësht, besoj që para se të ulërasim ku është shteti, duhet të themi: Ne çfarë bëjmë si qytetarë? Ndaj edhe besoj që të gjithë qytetarët janë me bashkinë në këtë rast”, u shpreh Veliaj.
Investimi për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini” parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, si dhe ndërtimin e një objekti 3 kat (shtesë anësore), duke shtuar 17 klasa të reja. Gjithashtu, është planifikuar vendosja e shkallëve të emergjencës, nyje të reja higjieno-sanitare, si dhe krijimi i hapësirave sportive. Godina do të ketë sistem ngrohje me pelet dhe do të bëhet sistemimi i ambienteve të jashtme të shkollës.