Veliaj: Në mandatin e dytë transformojmë transportin publik në elektrik

Në katër vitet e ardhshme, Tirana do të transformojë tërësisht transportin e saj publik, nga mjete që punojnë me lëndë djegëse dhe që ndotin mjedisin, në një flotë tërësisht elektrike e miqësore me natyrën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin me temë “Green Cities = Improved Lives”, pjesë e Forumit të Biznesit të BERZH-it për vitin 2019 që mbajti punimet në Sarajevë, në të cilin theksoi se Tirana gjithnjë e më shumë po i kushton rëndësi politikave mjedisore.

Veliaj: Ambicia jonë është që në mandatin e dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH, t’i fokusojmë në atë që quhet “Programi i Qyteteve të gjelbra”, ku duam t’i japim fokus shumë të madh transportit elektrik. Kemi ecur shumë mirë me biçikletat, me taksitë elektrike; tani është radha e autobusëve dhe duam të financohet ky program.

Ai veçoi gjithashtu projektin e Pyllit Orbital që do t’i japë Tiranës një pajë të gjelbër me 2 milion pemë.

Veliaj: Projekti tjetër që ndoshta është një ndër projektet më afër zemrës sonë, si Bashki e Tiranës, është ai i Pyllit Orbital. Pra, në dy vite kemi thyer rekordin e mbi 100 mijë pemëve, por që të kapim atë që është ambicia jonë e 2 milionë pemëve, sigurisht na duhet pak ndihmë financiare. Po përgatitemi që në mandatin e dytë, të aksesojmë financat ndërkombëtare, kryesisht për këto dy projekte, çështjet e gjelbërimit dhe të transportit elektrik dhe të transportit të pastër.

Veliaj shtoi se me mbështetjen financiare të BERZH-it, Tirana ka nisur një nga investimet më të rëndësishme të dekadave të fundit, që ka të bëjë me shtrirjen e një linje të dedikuar ujësjellësi për të gjitha lagjet periferike.

SHKARKO APP