Veliaj në Samitin e Qyteteve në Izrael, për transformimin e Tiranës
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është përzgjedhur nga Samiti i Qyteteve që u mbajt dje në Tel Aviv për të prezantuar projektet e Tiranës nga parkimi me sms, aplikacioni “Tirana ime” dhe transformimet në favor të fëmijëve si këndet e lodrave, çerdhet, kopshtet e shkollat, si dhe projektet urbane si Pazari i Ri apo politikat e strehimit me kredi të buta.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, Veliaj u prit nga Kryetari historik i Bashkisë së Tel Avivit, Ron Huldai, qytet me të cilin do të ketë bashkëpunim në fushën e turizmit dhe inovacionit.
Më pas, kryebashkiaku i Tiranës u prit në Bashkinë e Jeruzalemit nga homologu i tij, Nir Barkat, me të cilin Tirana pritet të bashkëpunojë për arsimin dhe inkubatorët e inovacionit. Kryebashkiaku Barkat shprehu kënaqësinë e takimit me homologun Veliaj dhe vlerësoi mundësinë e bashkëpunimit mes dy qyteteve në fushën e arsimit dhe inovacionit.