Veliaj: Nuk ka parti tjetër veç PS që ka bërë kaq shumë. Majko: Tirana simbol i ndryshimit

Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, PS zhvilloi një takim me banorët e njësisë Nr. 5 në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të votojnë PS, si një garanci e transformimit dhe e ndërtimit të shtetit. “Cila është ajo parti ka bërë më shumë për fëmijët e Shqipërisë, cila është ajo parti që ka ndërtuar më shumë çerdhe, cila është ajo parti që ka ndërtuar më shumë kopshte, cila është ajo parti që së shpejti nis 20 shkolla në Tiranë, cila është ajo parti që sapo ka mbaruar këndin e 16 të lojërave në Tiranë?! Ka vetëm një përgjigje: Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Veliaj.

Duke sjellë shembullin e tentativave të deputetëve demokratë për të prishur këndin e lojërave te Parku i Madh i Liqenit, Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se më 25 qershor, të majtë dhe të djathtë do të votojnë për PS. “ Para se të hapnim këndin e lojërave, për 100 ditë tek liqeni, erdhën deputetët me pistoleta për të prishur këndin e lojërave, erdhi grupi parlamentar i çadrës. Unë besoj se nuk ka një njeri që t’i japë shansin edhe njëherë një partie që në katër vjet i vetmi aksion që bëri ishte prishja e këndit të lojërave. Nëse ka demokrat në njësinë 5 apo të partive të tjera që u përfshinë në atë dhunë kundër fëmijëve, ne sot në 1 qershor ua kemi detyrim fëmijëve të këtij qyteti, për t’i thënë do vazhdojmë për Shqipërinë që duam, për Tiranën që duam, me PS dhe me Edi Ramën, kryeministrin tone”, deklaroi Veliaj. Kreu i bashkisë ftoi të gjithë qytetarët të dielën në hapjen e Parkut Olimpik të Tiranës, ndërsa renditi dhe një sërë investimesh që do të nisin në njësinë 5 si rehabilitim të blloqeve të pallateve apo të ndërtimit të rrugëve.  

Ish-kryeministri Pandeli Majko dhe kandidati I Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit deklaroi se Tirana është shembulli më i mirë i ndryshimit që ka sjellë e majta. “Si do të ishte Shqipëria sot nëse nuk do të kishim marrë qeverisjen me 700 milionë dollarë borxh? Ç’do të bëhej me ato 700 milionë që u paguan kilometrat e fushatës elektorale të PD? Sot ka shumë fakte dhe të tjera që çdo qytetar, të majtë e të djathtë e bëjnë të reflektojë lidhur me atë, se kush është administratori më i mirë, kush është qeveritari më i mirë? Dhe shembulli më i mirë për atë që ka ndodhur rreth nesh, është Bashkia e Tiranës.  Sepse ne mund të flasim për GDP-në, për taksat, për investimet, por çdo qytetar arrin ta kuptojë se qeverisja e mirë fillon nga dera e shtëpisë dhe sot çdo banor i Njësisë 5, por sigurisht edhe çdo banor i Tiranës, arrin ta ndjejë pa dallime politike, se Tirana është një qytet që po ndryshon çdo ditë. Ata që kanë 6 muaj në Tiranë e ndjejnë se çfarë ka ndryshuar në këtë qytet. Dikur simbol i mosfunksionimit të shtetit, simbol i kioskave, që e ktheu Skënderbeun në një figurë qesharake, ai shesh sot është institucioni i qeverisjes së mirë, është institucioni i atyre që e duan Shqipërinë dhe i ftoj shqiptarët për të votuar”, tha Majko.

SHKARKO APP