Vendimi, koncesionarët detyrohen t’i bëjnë publike kontratat
Qeveria duket se synon të bëjë më transparente koncesionet lidhur me partneritetin publik privat. E gjetur prej shumë kohësh në një kryqëzim akuzash për mungesë transperence në lidhje me disa koncesionet mësë fundi ajo duket se ka reaguar duke krijuar regjistrin elektronik për koncesionet publik privat.
Qeveria ka miratuar krijimin e këtij regjistri në të cilin do të përfshihen të dhëna lidhur me autoritetin kontraktues; me objektin e kontratës së koncesionit/PPP; llojin e kontratës; vendndodhjen e objektit të kontratës; kohëzgjatjen e kontratës; vlerën e kontratës; çmimin e shërbimit publik; tarifën koncesionare që i paguhet autoritetit kontraktues; tekstin e plotë të kontratës, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen dhe trajtimin e të dhënave personale, si të dhëna dytësore, të dhënat lidhur me koncesionarin/partnerin privat, që administrohen nga baza e të dhënave të Regjistrit të QKR-së.
Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Koncesionit/Partneritetit Publik Privat (REKP) parashikohet të ndërveprojë me bazën e të dhënave të Regjistrit të QKR-së. Të gjitha autoritet kontraktore do të jenë të detyruara që të japin informacion. Regjistri elektronik i koncesionit/PPP do të jetë i aksesueshëm dhe pa pagesë, nga të gjithë autoritet kontraktore, nga partnerët privatë dhe nga të gjithë personat e interesuar. Autoritetet kontraktore duhet të përcaktojnë, që në fillim, të dhënat për të cilat kërkojnë kufizimin e publikimit të tyre në regjistër. Autoritetet kontraktore kanë detyrimin të përcjellin, brenda 30 ditëve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kopje të të gjitha kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat, të nënshkruara prej tyre para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.