Vengu: 15 ura të dëmtuara dhe mijëra hektarë tokë të përmbytur
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, vizitoi sot Maliqin për të vlerësuar nga afër situatën e shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit dhe masat e ndërmarra për përballimin e emergjencës.
Vengu bëri të ditur se argjinatura në Sheqeras ka patur dëmtime të konsiderueshme, dhe po kryhen punime rehabilituese për riparimin e saj. Ai shtoi se edhe në zonën e Pyllit të Fazanëve ka dëmtime në argjinaturë, që vështirësojnë prurjet nga Dunaveci në Devoll, ndaj është bërë një rishpërndarje e forcave dhe është kërkuar angazhim shtesë nga Forcat e Armatosura.
“Të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë. Po vijnë mjete vetëshkarkuese për të mbuluar dëmtimet, po shtojmë forcat, por duhet të kemi parasysh se ka edhe situata të rrëshqitjes së dheut dhe masiveve malore. Në Qafë Plloçë kemi pasur problematika të mëdha, ndaj u bë një devijim përmes operatorëve lokalë,” tha Vengu.
Ministri theksoi se Ministria e Mbrojtjes po shton forcat për të siguruar që Maliqi të mos ketë problematika nga reshjet e ardhshme gjatë javës. Ai bëri të ditur gjithashtu se në rang vendi janë dëmtuar 15 ura, disa prej të cilave janë shembur dhe do kërkojnë investime domethënëse.
“Qasja jonë është të qëndrojmë pranë banorëve. Pas kërkesave të kryetarëve të bashkive për rezervat materiale të shtetit, ka nisur shpërndarja e ndihmave. Bashkitë po bëjnë kërkesat për ushqime për blegtorinë dhe për koncentrat për kafshët e prekura, dhe ushqime po shpërndahen në mbarë vendin,” shtoi ai.
Vengu paralajmëroi se reshjet priten të vazhdojnë dhe situata nuk ka dalë ende jashtë rrezikut. Sipas të dhënave paraprake, rreth 1500 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë. Ai shtoi se niveli i ujërave po ulet gradualisht, duke lejuar rikuperimin e argjinaturave, por ka diferenca mes bashkive që kanë investuar në kohë dhe atyre që nuk kanë pasur mundësi.
Ministri njoftoi gjithashtu se projektbuxheti 2026 parashikon një qasje të re për mbështetjen e bashkive, sidomos atyre me risk më të lartë për emergjencat civile. “Buxheti do t’i mbështesë me fonde shtesë dhe me shpërndarje investimesh më të drejtë se në të kaluarën,” përfundoi Vengu.
KOHA JONË SONDAZH

