Vengu dhe Salla mbledhin strukturat e emergjencave civile: Situata në kontroll
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, kanë mbledhur strukturat e emergjencave civile për të raportuar mbi situatën aktuale në vend për shkak të motit të keq që ka prekur vendin ditën e sotme.
Vengu theksoi se deri më tani situata është nën kontroll.
“Në qarkun e Durrësit, me kërkesë të prefekturave, komanda mbështetëse e forcave të armatosura, shtabi i përgjithshëm kanë siguruar dislokimin e mjeteve, pompa thithëse dhe mjete zjarrfikëse të kalueshmërisë së lartë. Nëse do të kërkohet do të bëhet dhe në Lezhë. Reshjet intensive do të vijojnë. Kërkohet gatishmëri maksimale nga të gjitha bashkitë dhe qarqet e vendit. Është kërkuar koordinim dhe nga institucionet shtetërore të energjisë, për sigurimin e energjisë elektrike. Të gjitha hidrovoret janë në funksion të plotë. Kemi evakuimin e 10 familjeve në Durrës dhe Shijak për shkak të rrethimit të banesave nga uji”, tha ministri Vengu.
Ndërkoh Salla tha se ai dhe Vengu do të jenë në terren për të qenë të përditësuar me situatën, si dhe u bënë thirrje institucioneve përkatëse, nga ekipet e emergjencave e deri tek garantimi i energjisë elektrike për zonat e prekura. Deri më tani problematikat më të mëdha janë shfaqur në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës ku raportohet për banesa dhe toka bujqësore të përmbytura.
KOHA JONË SONDAZH

