Vengu nga Burreli: Ligji i ri për ushtarakët forcon sigurinë dhe statusin profesional

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë në Batalionin III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ku njoftoi se në vitin 2026 do të nisë puna për ngritjen e një qendre të re operacionale, që synon rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit për efektivët e Forcave të Armatosura.

Gjatë takimit me ushtarakët, ministri shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përkushtimin e tyre, duke i cilësuar si një vlerë të shtuar për sigurinë e zonës dhe një element kyç për komunitetin e Burrelit. Ai theksoi se ngritja e qendrës së re operacionale do të shërbejë për përgatitjen dhe trajnimin profesional të trupave, si dhe për rritjen e kapaciteteve në mbështetje të emergjencave civile në zonë.

Sipas Vengut, reparti i ri që do të ndërtohet në Mollzë do të ofrojë kushte shumë më dinjitoze për efektivët, duke garantuar një operacionalitet të plotë dhe standarde moderne në përputhje me kërkesat e NATO-s.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministri siguroi se qeveria do të vijojë mbështetjen për Forcat e Armatosura, si në aspektin e buxhetit dhe përmirësimit të pagave, ashtu edhe për përfitimet sociale për familjet e ushtarakëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ligji i ri për statusin e ushtarakut përforcon ndjeshëm pozicionin tuaj dhe ju garanton më shumë siguri në këtë profesion. Nga ana tjetër, do të bëjmë të mundur që të përfshiheni edhe në misione jashtë vendit, sepse kjo ka qenë një kërkesë e hershme e juaja”, u shpreh Vengu.

Ai theksoi gjithashtu se një pjesë e trupave të këtij batalioni janë trajnuar në Gjermani dhe se rotacioni i ardhshëm në vitin 2026 do t’i gjejë të përfshirë në të gjitha misionet e Shqipërisë në zonat e interesit të NATO-s dhe Bashkimit Europian, duke vlerësuar lart angazhimin dhe rolin e tyre në shërbim të komunitetit dhe sigurisë kombëtare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?