Vengu: Rritje pagash deri në 5,875 lekë për ushtarakët në 2026
Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një rritje të ndjeshme të pagave për ushtarakët e Forcave të Armatosura, me synimin për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të motivuar efektivët që shërbejnë në mbrojtjen e vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi sot detajet e rritjes së pagave për çdo kategori, duke e cilësuar këtë si një vlerësim konkret për përkushtimin e ushtarakëve shqiptarë.
“Rritja e pagave për ushtarakët në Forcat e Armatosura është pjesë e politikës së qëndrueshme dhe vendimeve të Qeverisë Shqiptare për të garantuar kushte më të mira pune dhe jetese”, theksoi Vengu.
Sipas ministrit, pagat mujore do të rriten me deri në 5,875 lekë, nga Ushtari IV deri te Gjeneral Lejtnanti. Rritja përfshin edhe shtesa për kushtet e punës dhe trajtimin ushqimor.
Përveç pagës bazë, të gjithë efektivët do të përfitojnë shtesa për kushtet e punës dhe trajtimin ushqimor, si pjesë e paketës së mbështetjes për vitin e ardhshëm.
KOHA JONË SONDAZH

