Vengu tek Forcat e Armatosura shqiptare në Bullgari: Shembull profesionalizmi në misionin e NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka vizituar Bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo të Bullgarisë, ku ka vlerësuar kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të misionit të Aleancës. Në një postim në rrjetet sociale, Vengu shprehet se toga shqiptare luan një rol aktiv dhe kontribuon përtej detyrave të saj të paracaktuara.
“Krenar të dëgjoja nga Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar”, shkruan Vengu.
Sipas tij “kjo është një dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve tanë në çdo mision ku shërbejnë nën flamurin e Aleancës”. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon.
“Jemi të gatshëm të rrisim më tej prezencën dhe kontributin e Shqipërisë aty ku nevoja e kërkon, për të dëshmuar përkushtimin tonë ndaj sigurisë kolektive dhe për të forcuar përgatitjen tonë operacionale, krah për krah me aleatët tanë”.
KOHA JONË SONDAZH

